Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

“INNOVATING THE MARKET MINDSET” – U2SID ISHTE TEMA E TRAJNIMIT DY-DITOR TË ZHVILLUAR ME STUDENTË NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”

Si pjesë e nismës U2SID, projekti për ngritjen e kapaciteteve Erasmus+ i fokusuar në nxitjen e transformimit dixhital dhe të barabartë në zonën e Ballkanit Perëndimor, në Universitetin “Fan S. Noli” në datat 4-5 prill 2024 u zhvillua një workshop dy-ditor me studentë të programeve të ndryshme të studimit.

Qëllimi i workshop-it ishte përmbushja e objektivave kryesore për integrimin e dixhitalizimit të Universitetit “Fan S. Noli”, duke lehtësuar kështu modernizimin e programeve të studimit në të gjitha nivelet dhe promovimin e bashkëpunimit me palët e interesuara, duke përfshirë ekonominë, politikën, biznesin dhe shoqërinë civile. Workshop-i “Innovating the Market Mindset” – U2SID shërben si një element i rëndësishëm i procesit të edukimit dhe trajnimit, me përfshirjen e pedagogëve, studentëve dhe palëve të interesuara.

Prof. as. dr. Benita Stavre, zëvendësrektore për shkencën dhe projektet  në Universitetin “Fan S. Noli” përshëndeti pjesëmarrësit, ndërsa foli për qëllimet e projektit dhe pikat kryesore të tij.

Më pas, dr. Dorela Kaçauni pedagoge e departamentit të Gjuhëve të Huaja paraqiti analizën e pyetësorëve “Digital Literacy Knowledge and Needs for Lecturers and Students at UNIKO” (Analiza e pyetësorëve e realizuar me pedagogë dhe studentë në UNIKO në lidhje me njohuritë e tyre dixhitale).

Trajnimi vijoi me temat e referuara nga trajnuesit: Realb Kushe, departamenti i Informatikës me temën: “Teknologjitë dhe Konceptet Themelore të Zhvillimit të Internetit”, duke vënë në dukje teknologjitë dhe konceptet themelore të zhvillimit të internetit, si: HTML, CSS, JavaScript dhe PHP. Pjesëmarrësit mësuan edhe të ndërtojnë faqe web-i, aplikacione dinamike dhe interaktive.

Dr. Blerina Çeliku nga departamenti i Informatikës paraqiti temën: “Mjetet Dixhitale dhe Inteligjenca Artificiale”. Ajo vuri në dukje se disa nga mjetet dixhitale, si : Canva, PowerPoint, Figma, ilovePDF, praktikat dhe reklamat e Google dhe Inteligjencën Artificiale tashmë janë pjesë e integruar e jetës sonë, pasi shumë nga këto programe gjejnë përdorim të gjerë në arsim, industri e biznes.

Në ditën e dytë të trajnimit, vëmendja u përqëndrua te studentët e programeve Master, të diplomuarit e tjerë dhe palët e interesuara, duke adresuar interesat e tyre te “Interneti i Gjërave (IoT)”, i cili përfaqëson një rrjet ku pajisjet dhe teknologjitë e ndryshme komunikojnë pa nevojën për përfshirjen e drejtpërdrejtë të njeriut. Ky inovacion i hap rrugën krijimit të qyteteve të zgjuara në nivel global.

Prof. as. dr. Mamica Nene nga departamenti i Marketing-Turizmit paraqiti temën: “Universiteti si Katalizator i Zhvillimit të Marketingut Digjital: Ndikimi Social”. Ajo tregoi me shembuj se si universitetet luajnë një rol kryesor në përparimin e praktikave dhe teknologjive të marketingut dixhital, duke ndikuar më pas në shoqëri.

Pedagogu, dr. Landi Gushi, departamenti Marketing-Turizëm solli për pjesëmarrësit temën: “Rëndësia e Optimizimit të Motorëve të Kërkimit në botën dixhitale” duke theksuar rëndësinë e Optimizimit të Motorëve të Kërkimit (SEO) në botën dixhitale. Pedagogu Marijon Pano, departamenti i Informatikës prezantoi temën “Interneti i Gjërave (IoT)”, duke iu referuar rrjetit të pajisjeve të lidhura, objekteve dhe sistemeve që komunikojnë dhe shkëmbejnë të dhëna në internet pa ndërhyrjen e njeriut.

Temat e trajtuara në këtë trajnim u panë me mjaft interes nga studentët, të cilë shpesh bënin pyetje, diskutonin dhe sillnin përvoja personale në lidhje me to.  

Leave a Reply