Data 13 qershor 2025- Me fjalë mirënjohjeje dhe përgëzimi, rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi së bashku me zëvendësrektoren për mësimin prof. as. dr. Lorena Zeqo pritën në një takim të veçantë studentët që arritën rezultate maksimale në provimin e lëndës “Analiza Matematike 3”. E bazuar mbi funksionet me shumë variabla, kjo është një ndër lëndët më të vështira të këtij programi studimi.
Rektori u shpreh krenar për arritjen e tyre, duke e konsideruar këtë sukses, si dhe përkushtimin e të gjithë studentëve të tjerë të këtij kursi, një shembull frymëzimi që dëshmon aftësi, seriozitet në punë dhe dashuri për profesionin.
Programi i studimit “Inxhinieri Informatike”, një program që ofron diplomë të dyfishtë me Universitetin Politeknik të Tiranës po mbyll me sukses vitin e tij të parë akademik dhe, mund të themi me krenari se i gjithë kursi po ecën përpara me hapa të sigurt, duke ndërtuar themelet e një brezi të ri inxhinierësh të aftë dhe të motivuar.
Studentët tanë janë frymëzim, energji, janë e ardhmja!











