UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” PJESËMARRËS NË TAKIMIN II TË PROJEKTIT SHKENCOR NDËRKOMBËTAR “AI-BASED PHOTOVOICE”

Në datat 8–12 nëntor 2026, në Volos të Greqi-së u zhvillua takimi i dytë i ekipit të projektit shkencor ndërkombëtar “AI-based PhotoVoice: A Cross-Cultural Study for Enhancing Student Teachers’ Social Engagement”, i realizuar në bashkëpunim ndërmjet tri institucioneve të arsimit të lartë: Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë (Shqipëri), Kolegjit Akademik Sakhnin (Izrael) dhe Universitetit të Thesalisë (Greqi).

Universiteti “Fan S. Noli” u përfaqësua në këtë takim nga pedagogët e departamentit të Shkencave Sociale, njëkohësisht anëtarë të ekipit të projektit, PhD. Jordan Jorgji dhe prof. as. dr. Magdalini Vampa.

Gjatë takimit pjesëmarrësit diskutuan mbi ecurinë e projektit dhe përdorimin e metodës PhotoVoice, të mbështetur nga mjetet e inteligjencës artificiale, për të nxitur angazhimin social të studentëve, ndërgjegjësimin kritik ndaj çështjeve të drejtësisë sociale dhe mirëkuptimin ndërkulturor.

Në kuadër të kësaj vizite, stafi akademik u prit edhe nga drejtuesi i Rajonit të Thesalisë, prof. dr. Dimitris Kouretas, i cili shprehu mbështetjen e institucionit që drejton për forcimin e bashkëpunimit shkencor dhe akademik ndërmjet institucioneve partnere, në funksion të zhvillimit rajonal dhe shoqëror.

Rezultatet përfundimtare të projektit parashikohet të publikohen në një revistë shkencore ndërkombëtare, duke kontribuar në zgjerimin e njohurive mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në edukim, angazhimin qytetar dhe bashkëpunimin ndërkulturor.

 

Postimi i Mëparshëm
“PËRTEJ AUDITORIT: PROJEKTIMI I KURSEVE UNIVERSITARE NË MJEDISIN E MËSIMDHËNIES SË KOMBINUAR” – TRAJNIM NË UNIKO
Postimi Pasues
Shpallje e thirrjes për vetëkandidim për tre anëtarë akademikë, kategoria “Profesorë”, të Komitetit të Etikës në Kërkimin Shkencor