Category: Fakulteti i Ekonomise

Nga data 14- 17 maj 2024 Universiteti “Fan S. Noli” organizon Javën Studentore: “Learners Today, Inspires Tomorrow”

Veprimtaritë e kësaj jave filluan në datën 14 maj 2024 me Panairin “Inspire, Educate, Innovate”, në të cilin morën pjesë institucionet e pushtetit vendor, si dhe biznese që operojnë në rajonin e Korçës.

Në fjalën përshëndetëse prof. as. dr. Benita Stavre, zëvendësrektor për shkencën dhe projektet falënderoi pjesëmarrësit në panair, duke vënë theksin në këtë organizim të ndërmarrë nga UNIKO, pjesë e të cilit do të jenë takime të hapura të studentëve me Alumnit e Universitetit, me drejtues biznesi, aktorë lokalë e individë të angazhuar në komunitetin lokal, leksione të hapura; promovime e takime me studentë pjesëmarrës në programet Erasmus+, promovime të rasteve të suksesit të mobiliteteve; si dhe veprimtari shoqërore dhe sportive.

Në ditën e çeljes së veprimtarive të Javës Studentore përshëndetën edhe Kryetari i Këshillit të Qarkut, Korçë, dr. Erjon Nexhipi, prefekti i Korçës, z. Nertil Jole, si dhe përfaqësuesja e Bashkisë Korçë, znj. Aida Kristo, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij organizimi për studentët, si dhe bashkëpunimin e suksesshëm e të vazhdueshëm me Universitetin “Fan S. Noli”.

Gjatë panairit studentët u njohën me veprimtarinë që zhvillojnë kryesisht institucionet e pushtetit vendor, si dhe disa nga bizneset që operojnë në rajonin e Korçës, si dhe me mundësitë që ato ofrojnë për praktika profesionale e punësim.

Më pas, në fakultete vijuan takimet me përfaqësues të Alumnit të Universitetit “Fan S. Noli”, të cilët sot sjellin përvojat e tyre të suksesit si drejtues të institucioneve apo bizneseve të ndryshme.

Java Studentore vijoi më pas me vizitën që studentët e programeve të studimit “Arsim Fillor” dhe “Arsim Parashkollor”, viti I të shoqëruar edhe nga pedagogë të departamentit të Edukimit zhvilluan në Shkollën Speciale Korçë.

Ata u njohën atje me veprimtarinë dhe shërbimet që ofron kjo shkollë si një aset i rëndësishëm në zonën e Korçës në mbështetje të arsimit gjithëpërfshirës.

Studentët bënë dhe pyetje në lidhje me mënyrën se si kjo shkollë kontribuon në praktikat gjithëpërfshirëse të fëmijëve që e frekuentojnë atë.

Ndërkohë, në kuadër të veprimtarive sportive të kësaj jave studentët të ndarë sipas fakulteteve zhvilluan ndeshje në disiplinat e volejbollit, basketbollit etj.

Gjithashtu me studentët u zhvillua edhe një takim, ku të ftuara ishin znj. Aida Kristo, përgjegjëse e Sektorit të Integrimit Evropian në Bashkinë Korçë dhe znj. Mariela Aliçkolli këshilltare për projektet e BE-së në Këshillin e Qarkut Korçë. Ato diskutuan me studentët në lidhje me aderimin e Shqipërisë në BE, statusin aktual, si dhe në lidhje me Fondet e Bashkimit Europian dhe integrimi që bën Këshilli i Qarkut Korçë për investimin në komunitet.

Veprimtaritë e kësaj jave u pasuan me dhurimin vullnetar të gjakut, ku studentët dhe stafi dhuruan gjak me moton:’ “Kush dhuron gjak shpëton jetë”.

STUDENTË TË FE MORËN PJESË NË SEMINARIN ME TEMË: “CUISINE AND RESTAURANT BUSINESS IN BOSNIA AND HERZEGOVINA” QË U MBAJT ONLINE NGA MJESHTRI PEDRAG TOSIC

Në datën 14 maj 2024 në mjediset e Fakultetit të Ekonomisë, studentët e programit të studimit “Menaxhim në Turizëm dhe Mikpritje” morën pjesë në një ëorkshop në lidhje me kulinarinë me temë:“Cuisine and Restaurant Business in Bosnia and Herzegovina” që u mbajt online nga mjeshtri Pedrag Tosic.

 Studentët u njohën me atraksionet turistike ,natyrore dhe kulturore, ndërsa në fokus të  seminarit ishin gatimet tradicionale, si dhe funksionimi i restoranteve në këtë destinacion.

Seminari mundësua nga La Fondation pour la Formation Hoteliere.

Në fund të takimit pjesemarrësit u testuan për njohuritë e përfitura nga ky seminar si dhe u pajisen me certifikata pjesëmarrjeje.

UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” MORI PJESË NË PANAIRIN E 3-TË MBARËKOMBËTAR TË LIBRIT AKADEMIK DHE SHKENCOR, TIRANË 2024

Universiteti “Fan S. Noli” mori pjesë në Panairin e 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, i cili u zhvillua në Tiranë nga data 23-25 prill, një nismë e përbashkët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës.

Në fjalën e hapjes akad.  Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë falënderoi pjesëmarrësit dhe u shpreh se ky panair, i kthyer tashmë në traditë provoi se libri akademik dhe shkencor kërkon qasje të tilla gjithëpërfshirëse, ku akademikët, studiuesit, autorët, botuesit, institucionet kërkimore, Institucionet e Arsimit të Lartë, të jenë së bashku, në shërbim të promovimit të këtyre botimeve dhe lehtësimit të rrugës së librit akademik dhe shkencor drejt lexuesit.

Universiteti “Fan S. Noli” u paraqit në këtë panair me botime shkencore të Konferencave të organizuara nga Universiteti ynë, botime të pedagogëve dhe botimet periodike të Buletinit Shkencor etj.  

Krahas ekspozimit të librit në stenda të dedikuara, përmes promovimeve të arritjeve në nivel akademik; përmes paraqitjes së botimeve më të reja të institucioneve të lidhura drejtpërdrejt me kërkimin shkencor, të kërkuesve; studiuesve, trupave pedagogjikë, botuesve, panairi shërbeu edhe si një hapësirë dhe mundësi diskutimi mbi tema të rëndësishme të dijeve shqiptare, kërkimit shkencor dhe të drejtës së autorit.

Në këtë kuadër, pedagogë të Universitetit “Fan S. Noli” referuan për të pranishmit temat: “Bimët foragjere”; “Trashëgimia natyrore dhe kulturore e Qarkut Korçë, vlerat dhe përdorimi turistik”.

NË KUADËR TË NËNSHKRIMIT TË MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT MIDIS UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” DHE UNIVERSITETIT “MESDHETAR TË SHQIPËRISË”, AKAD. ANASTAS ANGJELI DHE PROF. DR. ADRIAN CIVICI ZHVILLUAN NJË LEKSION TË HAPUR ME STUDENTË TË FAKULTETIT TË EKONOMISË, UNIKO

Në datën 12 prill 2024 në kuadër të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Universitetit “Fan S. Noli” dhe Universitetit “Mesdhetar të Shqipërisë”, në Fakultetin e Ekonomisë, UNIKO u zhvillua edhe një leksion i hapur me studentët dhe stafin akademik nga Akad. Anastas Angjeli dhe prof. dr. Adrian Civici, rektor i Universitetit “Mesdhetar të Shqipërisë”.

Fillimisht akademikët u pritën në një takim nga zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, UNIKO, prof. as. dr. Benita Stavre dhe prof. as. dr. Ledina Alolli, dekan i FE, ku diskutuan në lidhje me   bashkërendimin e veprimtarive mes palëve me synim komunikimin dhe shkëmbimin e ekspertizës midis stafeve, informacionit, ideve dhe përvojave që lidhen me fusha me interes të përbashkët.

Më pas, gjatë leksionit të hapur me stafin dhe studentët, Akad. Anastas Angjeli dhe prof. dr. Adrian Civici paraqitën botimet e tyre: “Kriza ekonomike në kohën e koronavirusit” dhe “Përballë krizës-Sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike”, në të cilët dy ekspërtët e njohur të ekonomisë, ofrojnë, në formën e informimit, analizave, komenteve, përshkrimeve dhe rekomandimeve, atë që ka ndodhur me këtë krizë.

Disa kopje të librave ata i dhuruan për bibliotekën e Universitetit “Fan S. Noli”.  

GRUPI I EKSPERTËVE TË “RESEARCH EXPERTISE” NGA DIASPORA AKADEMIKE, READ ZHVILLOI NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” DISA TAKIME ME DREJTUES TË INSTITUCIONIT NË LIDHJE  ME DRAFTRAPORTIN E HARTUAR PREJ EKSPERTËVE NË VIJIM TË PROJEKTIT TË KËRKUAR NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT, PËR VLERËSIMIN DHE ZHVILLIMIN E UNIKO

Në datat 8-9 prill 2024 grupi i ekspertëve të “Research Expertise” nga Diaspora Akademike, READ: phd.Dritan Agalliu nga Universiteti Columbia; prof. as. dr. Mirjeta Beqiri nga Universiteti Gonzaga dhe ekspertja e statistikave, phd. Lantona Sado të shoqëruar nga përfaqësuesit e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, znj. Jonida Lamaj, administratore e programit për Arsimin dhe Lidershipin dhe z. Enrik Keco, koordinator i programit READ ishin në Universitetin “Fan S. Noli”, ku zhvilluan disa takime me drejtues të Fakulteteve në vijim të projektit të kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, financuar dhe zhvilluar nga AADF për vlerësimin dhe zhvillimin e Universitetit “Fan S. Noli”.

Në këto takime u diskutua mbi draftraportin e hartuar prej ekspertëve, duke i krijuar mundësinë edhe Universitetit për të dhënë mendime e sugjerime në lidhje me gjetjet e këtij draftraporti.

Takimet e para u zhvilluan me drejtues të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë dhe të Fakultetit të Ekonomisë, ndërsa në ditën e dytë, grupi i ekspertëve takoi drejtues të Fakultetit të Shkencave Natyore dhe Shkencave Humane dhe të Fakultetit të Bujqësisë.

Grupi i ekspertëve zhvilloi një takim edhe me autoritetet drejtuese të Universitetit “Fan S. Noli”.  

STUDENTË TË KLUBEVE TË DEBATIT TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” MORËN PJESË NË TRAJNIMIN “FORMULIMI I ARGUMENTIT DHE KOMUNIKIMI” NË KUADËR TË PROGRAMIT “DEBATING ECONOMICS” TË JUNIOR ACHIEVEMENT OF ALBANIA

Në datën 27 mars 2024 në kuadër të programit “Debating Economics” të Junior Achievement of Albania, studentë të Klubeve të Debatit, të fakultetit të Ekonomisë me koordinatore pedagogen, dr. Klaudia Lipi dhe student të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, me koordinatore pedagogen, dr. Edlira Xega morën pjesë në trajnimin me temë: “Formulimi i argumentit dhe komunikimi” me trajnuese prof. as. Ogerta Koruti Stroka.

Temat e trajtuara në këtë trajnim kishin si qëllim zhvillimin e mendimit kritik, të folurit në publik, përgatitjen e argumentave dhe kundërargumentave, llojet e debatit, teknikat e komunikimit në formatin e përzgjedhur, si: mesazhi, vëzhgimi, dëgjimi, kodimi, zëri, konfidenca, gjuha etj.

Këto debate synojnë të pajisin studentët me aftësi të nevojshme për tregun e punës, t`i rritin profesionalish, si dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre debatuese.

STUDENTËT E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” BËHEN PJESË E SHKOLLËS DIMËRORE TË ASECU YOUTH TË ZHVILLUAR NË POLONI

Në datat 21-26 mars 2024 në Kielce, Poloni u zhvillua Shkolla II Dimërore e ASECU Youth. Universiteti “Fan S. Noli” u përfqësua në këtë veprimtari nga studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë.

50 studentë dhe studiues nga 10 vende të ndyshme u bënë pjesë e diskutimeve rreth temës bosht të veprimtarisë për zhvillimin e qëndrueshëm, zhvillimet gjeo-politike dhe gjeo-ekonomike në zonën e Detit Balltik, Detit të Zi dhe Detit Mesdhe.

Grupi pjesëmarës i Universitetit “Fan S. Noli” përbëhej nga studentet Gabriela Foto, Denada Ramo, Klea Selami dhe Klerisa Lako të shoqërura nga pedagogia dr. Aida Mosko. 

Gjatë qëndrimit të tyre në Poloni, studentët ndoqën kurse në lidhje me temën e shkollës dimëore, ndërsa punuan si anëtarë të grupeve që eksploruan tema të qëndrueshmërisë në lidhje me mjedisin, shoqërinë, ekonominë si edhe paqen e drejtësinë.

Kjo shkollë dimërore e ASECU Youth u organizua nga ASECU në bashkëpunim me Universitetin “Jan Kochanowsky” Kielce dhe Akademinë Nikolas.

Grupi i Universitetit “Fan S. Noli” falënderon organizatorët e kësaj veprimtarie, ndërkohë është duke punuar për të qenë pjesë e Shkollës Verore Rinore ASECU, e cila do të zhvillohet në Vlorë gjatë periudhës 1-7 shtator 2024.

VEPRIMTARITË NË KUADËR TË PROJEKTIT “ANALIZA E RISKUT EKONOMIK PËR BIZNESET E VOGLA, QARKU KORÇË DHE ROLI I DIGJITALIZIMIT NË FUQIZIMIN E TYRE EKONOMIK GJATË DHE PAS PERIUDHËS SË PANDEMISË COVID-19” U PËRMBYLLËN ME NJË SIMPOZIUM SHKENCOR NË TË CILIN U PARAQITËN MANUALI I DIGJITALIZIMIT PËR BIZNESET E VOGLA DHE RAPORTI I PROJEKTIT

Në datën 10 janar 2024 në kuadër të projektit: “Analiza e riskut ekonomik për bizneset e vogla, qarku Korçë dhe roli i digjitalizimit në fuqizimin e tyre ekonomik gjatë dhe pas periudhës së pandemisë Covid-19” u zhvillua një simpozium shkencor në të cilin u paraqitën botimet: “Manuali i digjitalizimit për bizneset e vogla” dhe “Raporti i projektit”.

Në këtë simpozium, i cili përmbylli edhe veprimtaritë e këtij projekti ishin të pranishëm drejtues të Universitetit e pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë dhe studentë.

Gjatë takimit u vu në dukje se ky projekt kërkimor i finacuar nga të ardhurat e Universitetit dhe Buxhetit të Shtetit, realizoi një studim shkencor, ku u përfshinë rreth 100 biznese të vegjël të qarkut të Korçës.

Pas plotësimit të një pyetësori nga këto biznese dolën në pah edhe disa nga problemet kryesore me të cilat ato u përballën gjatë periudhës së pandemisë së Covid-19, gjë e cila nuk kaloi pa pasoja.  

Projekti synon rritje të bashkëpunimit midis Universitetit “Fan S. Noli”, Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë dhe HUB Korca Innovation and Technology.

REKTORI I UNIVERSITETIT PËR BIZNES DHE TEKNOLOGJI, PRISHTINË, PROF. DR. EDMOND HAJRIZI VIZITOI FAKULTETIN E EKONOMISË, KU ZHVILLOI EDHE NJË LEKSION TË HAPUR ME TEMË: “SFIDAT E SIPËRMARRJES DHE MARKETINGU 4.0 NË RAJON”

Në datën 11 dhjetor 2023 rektori i Universitetit për Biznes dhe Teknologji, Prishtinë, prof. dr. Edmond Hajrizi vizitoi Fakultetin e Ekonomisë.

Fillimisht ai u prit në takim nga dekania, prof. as. dr. Ledina Alolli dhe zëvendësdekani, dr. Emil Frashëri, ku diskutuan në lidhje me bashkëpunimin ndërinstitucional dhe përfshirjen e FE në sa më tepër veprimtari të përbashkëta, vizita të ndërsjella të stafit dhe studentëve etj.

Më pas, rektori Hajrizi zhvilloi leksionin e hapur me temë: “Sfidat e sipërmarrjes dhe Marketingu 4.0 në rajon”, ku të ftuar ishin pedagogë dhe studentë të këtij fakulteti.

“PRONËSIA INTELEKTUALE” ISHTE FOKUSI I TRAJNIMIT QË DPPI ZHVILLOI ME STUDENTË TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”

Në datën 4 dhjetor 2023, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale në bashkëpunim me Universitetin “Fan S. Noli” organizuan me studentë të programeve të studimit “Financë- Kontabilitet”, “Ekonomiks” dhe “Informatikë – Biznesi” një trajnim mbi rëndësinë intelektuale dhe industriale.

Znj. Rovena Beqiraj, drejtoreshë e Përgjithshme e Pronësisë Intelektuale, znj. Sonila Meka, përgjegjëse e Sektorit të Koordinimit, Analizës dhe Raportimeve dhe znj. Eneda Shiroka përgjegjëse e Sektorit të Promovimit dhe Qendrës së Trajnimeve, DPPI referuan temat: “Pronësia intelektuale dhe arsimi i lartë” dhe “Objektet e pronësisë industriale në Shqipëri”.

Takimi vijoi më pas në formën e një bashkëbisedimi, ku ndër të tjera u vu në dukje se Strategjia Kombëtare për Pronësinë Industriale synon rritjen e ndërgjegjësimit, si dhe forcimin e sistemit të regjistrimit, administrimit dhe mbrojtjes së të drejtave që rrjedhin nga Pronësia Intelektuale, si të drejta që ushtrojnë një ndikim të fuqishëm në zhvillimin dhe mirëfunksionimin e ekonomisë.

Ky takim i radhës erdhi gjithashtu në kuadër të bashkëpunimit që Universiteti ynë ka me DPPI.