Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

Nga data 14- 17 maj 2024 Universiteti “Fan S. Noli” organizon Javën Studentore: “Learners Today, Inspires Tomorrow”

Veprimtaritë e kësaj jave filluan në datën 14 maj 2024 me Panairin “Inspire, Educate, Innovate”, në të cilin morën pjesë institucionet e pushtetit vendor, si dhe biznese që operojnë në rajonin e Korçës.

Në fjalën përshëndetëse prof. as. dr. Benita Stavre, zëvendësrektor për shkencën dhe projektet falënderoi pjesëmarrësit në panair, duke vënë theksin në këtë organizim të ndërmarrë nga UNIKO, pjesë e të cilit do të jenë takime të hapura të studentëve me Alumnit e Universitetit, me drejtues biznesi, aktorë lokalë e individë të angazhuar në komunitetin lokal, leksione të hapura; promovime e takime me studentë pjesëmarrës në programet Erasmus+, promovime të rasteve të suksesit të mobiliteteve; si dhe veprimtari shoqërore dhe sportive.

Në ditën e çeljes së veprimtarive të Javës Studentore përshëndetën edhe Kryetari i Këshillit të Qarkut, Korçë, dr. Erjon Nexhipi, prefekti i Korçës, z. Nertil Jole, si dhe përfaqësuesja e Bashkisë Korçë, znj. Aida Kristo, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij organizimi për studentët, si dhe bashkëpunimin e suksesshëm e të vazhdueshëm me Universitetin “Fan S. Noli”.

Gjatë panairit studentët u njohën me veprimtarinë që zhvillojnë kryesisht institucionet e pushtetit vendor, si dhe disa nga bizneset që operojnë në rajonin e Korçës, si dhe me mundësitë që ato ofrojnë për praktika profesionale e punësim.

Më pas, në fakultete vijuan takimet me përfaqësues të Alumnit të Universitetit “Fan S. Noli”, të cilët sot sjellin përvojat e tyre të suksesit si drejtues të institucioneve apo bizneseve të ndryshme.

Java Studentore vijoi më pas me vizitën që studentët e programeve të studimit “Arsim Fillor” dhe “Arsim Parashkollor”, viti I të shoqëruar edhe nga pedagogë të departamentit të Edukimit zhvilluan në Shkollën Speciale Korçë.

Ata u njohën atje me veprimtarinë dhe shërbimet që ofron kjo shkollë si një aset i rëndësishëm në zonën e Korçës në mbështetje të arsimit gjithëpërfshirës.

Studentët bënë dhe pyetje në lidhje me mënyrën se si kjo shkollë kontribuon në praktikat gjithëpërfshirëse të fëmijëve që e frekuentojnë atë.

Ndërkohë, në kuadër të veprimtarive sportive të kësaj jave studentët të ndarë sipas fakulteteve zhvilluan ndeshje në disiplinat e volejbollit, basketbollit etj.

Gjithashtu me studentët u zhvillua edhe një takim, ku të ftuara ishin znj. Aida Kristo, përgjegjëse e Sektorit të Integrimit Evropian në Bashkinë Korçë dhe znj. Mariela Aliçkolli këshilltare për projektet e BE-së në Këshillin e Qarkut Korçë. Ato diskutuan me studentët në lidhje me aderimin e Shqipërisë në BE, statusin aktual, si dhe në lidhje me Fondet e Bashkimit Europian dhe integrimi që bën Këshilli i Qarkut Korçë për investimin në komunitet.

Veprimtaritë e kësaj jave u pasuan me dhurimin vullnetar të gjakut, ku studentët dhe stafi dhuruan gjak me moton:’ “Kush dhuron gjak shpëton jetë”.

Leave a Reply