Category: Fakulteti i Ekonomise

“Roli i dixhitalizimit në biznesin e vogël” ishte tema e një seminari informues i organizuar në Fakultetin e Ekonomisë, në kuadër të projektit: “Analiza e riskut ekonomik për bizneset e vogla, Qarku Korçë dhe roli i dixhitalizimit në fuqizimin e tyre gjatë dhe pas periudhës së pandemisë COVID-19”

Në datën 17 nëntor 2023 në Fakultetin e Ekonomisë u zhvillua seminari informues me temë: “Roli i dixhitalizimit në biznesin e vogël” i organizuar në kuadër të projektit: “Analiza e riskut ekonomik për bizneset e vogla, Qarku Korçë dhe roli i dixhitalizimit në fuqizimin e tyre gjatë dhe pas periudhës së pandemisë COVID-19”

Në këtë seminar morën pjesë ekspertë të ekonomisë, pedagogë, studentë të programeve të ndryshme të studimit, kryetari i shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm te Shqiperisë, z. Albert Nasto etj.

Fokusi i diskutimit ishte roli i dixhitalizimit dhe prezantimi i platformave të ndryshme online. Pjesëmarresit u informuan për përfitimet që sjell përdorimi i secilës platformë, si dhe ndanë mendime e përvoja personale.

MARRËVESHJA E BASHKËPUNIMIT LIDHUR MIDIS FAKULTETIT TË EKONOMISË DHE SHOQËRISË “SIGAL UNIQA FOND PENSIONI” U KONKRETIZUA ME LEKSIONIN  E HAPUR: “NË FOKUS PENSIONI PRIVAT, DOMOSDOSHMËRIA E ZHVILLIMIT TË TIJ PËR TË PATUR NJË JETË MË TË MIRË NË MOSHËN E PLEQËRISË”

Në datën 30 tetor 2023 u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis Fakultetit të Ekonomisë dhe Shoqërisë “Sigal Uniqa Fond Pensioni”.

Marrëveshja ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit midis Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti “Fan S. Noli” dhe shoqërisë “Sigal Uniqa Fond Pensioni” për zhvillimin e praktikave mësimore të studentëve, shkëmbimin e përvojave, promovimin e punimeve shkencore të shërbimeve financiare novatore për të gjithë llojet e investitorëve, sjelljen e ideve inovatore në shërbim të politikave të zhvillimit për një vendimmarrje të drejtë dhe të mbështetur në punime kërkimore dhe shkencore.

Gjithashtu, në këtë marrëveshje synohet edhe ofrimi i mbështetjes për zhvillimet e qëndrueshme të ekonomisë, duke shfrytëzuar kapacitetet dhe burimet njerëzore ekzistuese e duke krijuar ekspertë të aftë për tregun e punës në këtë fushë.

Marrëveshja e bashkëpunimit u konkretizua edhe me zhvillimin e një leksioni të hapur me temë: “Në fokus pensioni privat, domosdoshmëria e zhvillimit të tij për të patur një jetë më të mirë në moshën e pleqërisë” i mbajtur nga znj. Lauresha Trëndafili, specialiste për pensionin dhe znj. Brunilda Malo, juriste pranë “Sigal Uniqa, Dega Korçë”.

Gjatë leksionit studentët treguan interes për temën dhe në veçanti drejtun pyetje në lidhje me përfitimet që sjell ligji i ri i miratuar për Fondin Privat të Pensioneve.

“RISQET DHE SFIDAT EKONOMIKE TË BIZNESEVE TË VOGLA, SI DHE NEVOJA E TYRE PËR PËRFSHIRJEN NË PLATFORMA DIXHITALE DHE INOVATORE”- LEKSION I HAPUR ME STUDENTË TË FAKULTETIT TË EKONOMISË

Në datën 25 tetor 2023, në kuadër të projektit: “Analiza e riskut ekonomik për bizneset e vogla në qarkun e Korçës dhe roli i dixhitalizimit në fuqizimin e tyre gjatë dhe pas periudhës së pandemisë COVID-19” u zhvillua leksioni i hapur me teme: “Risqet dhe sfidat ekonomike të bizneseve të vogla, si dhe nevoja e tyre për përfshirjen në platforma dixhitale dhe inovatore”. Ky leksion u drejtua nga dy ekspertet e ekonomisë, znj. Migena Kazani pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës dhe znj. Migena Buzra, drejtuese e Akademisë Cyber Security (CEO) dhe drejtoreshë operacionale, sistemi integrator.

Në këtë leksion u diskutuan risqet e bizneseve të vogla, disa rekomandime për mënyrat se si mund t`i menaxhojmë dhe kapërcejmë këto sfida. Gjithashtu, në bazë të statistikave u pa situata aktuale e bizneseve të vogla.

Në kuadër të inovacionit dhe dixhitalizimit, pjesëmarrësit u informuan për programin Fintech në bizneset e vogla: navigimi në epokën e inovacionit financiar.

Diskutimi vijoi me pyetje nga të pranishmit.

Projekti financohet nga të ardhurat e Universitetit dhe Buxheti i Shtetit.

“NDIHMOJMË VETËPRODHUESIT E ENERGJISË DIELLORE NË BALLKANIN PERËNDIMOR” ISHTE TEMA E KONFERENCËS QË U ZHVILLUA NGA UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” NË BASHKËPUNIM ME ORGANIZATËN “MIQ TË KORÇËS” DHE ME PARTNERË NGA VENDET E BALLKANIT PERËNDIMOR

Në datën 20 tetor 2023 zhvilloi punimet konferenca me temë: “Ndihmojmë vetëprodhuesit e energjisë diellore në Ballkanin Perëndimor” e organizuar nga Universiteti “Fan S. Noli” në bashkëpunim me organizatën “Miq të Korçës” dhe me partnerë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Fjalën e mirëseardhjes e mbajti zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, prof. as. dr. Benita Stavre, e cila falënderoi të gjithë  pjesëmarrësit dhe në veçanti ata të cilët ndanë drejtpërdrejt me palë interesi gjetje dhe rekomandime të mirëfillta  mbi hapësirat  e mundshme që praktikat e mira të shteteve të tyre mund të kenë në rajonin juglindor shqiptar. Në këtë kuadër ajo përmendi edhe seminarin me temë: “Just Transision and Sustainable Development” që Universiteti ynë do të organizojë së shpejti në bashkëpunim me Universitetin Western Macedonia, Kozan, Greqi, në të cilin zhvillimi, transformimi dhe përdorimi me produktivitet i energjisë do të jenë temat kryesore të diskutimit.

Edhe prof. as. dr. Ledina Alolli, dekan i Fakultetit të Ekonomisë e përshëndeti këtë konferencë, diskutimet dhe sygjerimet e së cilës, sipas saj do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e komunitetit të rajonit tonë.

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës “Miq të Korçës”, z. Gjergji Gjinko bëri një paraqitje të detajuar në lidhje me përmirësimin e rregulloreve dhe rritjen e stimujve për vetë-konsumatorët e energjisë diellore, ndërsa një përshëndetje nga përfaqësuesit e donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare dhe institucionet publike shqiptare e bëri z. Ilir Melo, Kryetar i Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu, përshëndeti punimet e kësaj konference edhe znj. Naida Taso nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, e cila e ndoqi atë online, prefekti i Qarkut Korçë, z. Nertil Jole, z. Kastriot Suka, Drejtues i Njësisë së Riskut të Kredisë, ProCredit Bank, përfaqësues të institucioneve publike: MIE, ERE, OSSH/OSHEE etj.

Më pas, gjetjet dhe rekomandimet për vendet e tyre përkatëse të Ballkanit Perëndimor i referuan për pjesëmarrësit edhe z. Sasha Ivanoviq, FICG, Mali i Zi; z. Shuip Marku, CSCD, Maqedonia e Veriut; z. Filip Spirovski, BËN, Maqedonia e Veriut; znj. Zenepa Lika, MSJA, Mali i Zi.

Diskutimi vijoi i hapur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile, organizatave, komunitetit të biznesit, pushtetit vendor, institucioneve financiare, pedagogë, studentë etj.

ORIENTIM NË TREGUN E PUNËS DHE MBËSHTETJE PËR TË NDËRTUAR KARRIERËN NË VENDLINDJE PAS PËRFUNDIMIT TË STUDIMEVE UNIVERSITARE ISHTE QËLLIMI I TRAJNIMIT NË TË CILIN MORËN PJESË EDHE STUDENTË TË FAKULTETIT TË EKONOMISË, UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” 

Nga datën 17 tetor 2023 studentë të Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti “Fan S. Noli” morën pjesë në trajnimet mbi orientimin në tregun e punës me drejtuese Erjonilda Hasrama, pedagoge e departamentit “Marketing” në  Universitetin “Aleksander Moisiu”, Durrësi.

Studentët dhe të rinj të tjerë të porsa punësuar do të mentorohen në muajt në vijim nga alumnit e Akademisë së Studimeve Politike, duke i mbështetur ata që të ndërtojnë karrierën e tyre në vendlindje pas përfundimit të studimeve universitare.

Këto trajnime zhvillohen në kuadër të projektit “Së bashku për të zhvilluar karrierën në Shqipëri” zbatohet nga Akademia e Studimeve Politike (ASP) me mbështetjen e Agjencia Kombëtare e Rinisë AKR dhe të Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, znj. Bora Muzhaqi.

DITA BOTËRORE E TURIZMIT-FAKULTETI I EKONOMISË NË BASHKËPUNIM ME ADMINISTRATËN RAJONALE TË ZONAVE TË MBROJTURA ORGANIZUAN NJË VEPRIMTARI PROMOVUESE PËR ZONAT E MBROJTURA

Në datën 27 shtator 2023, Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura, Korçë dhe Universiteti “Fan S. Noli”, në kuadër të Ditës Botërore të Turizmit organizuan një veprimtari promovuese për Zonat e Mbrojtura dhe shtimin e guidave turistike në këto zona.

Pjesëmarrës në takim ishin: stafi akademik i departamentit “Marketing-Turizëm”, FE përfaqësues të fushës së turizmit nga bashkitë e Qarkut të Korçës, si dhe përfaqësues nga disa agjenci turistike që operojnë në rajonin  tonë.

Në fokus të takimit ishin disa prezantime për zonat e mbrojtura, me në qendër vizitat në monumentet natyrore dhe kulturore për t`i bërë të  aksesueshme guidat turistike në to, shtigjet për ecje, çiklizmi etj.  

Gjithashtu, me rastin e kësaj dite u mbajt edhe një tryezë e hapur, ku të pranishmit diskutuan rreth problematikave të zhvillimit të turizmit në zonat e mbrojtura, duke dhënë ide e mendime rreth zgjidhjeve të mundshme.  

STUDENTË DHE PEDAGOGË TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” MORËN PJESË NË KONFERENCËN XII NDËRKOMBËTARE DHE NË SHKOLLËN VERORE “ASECU YOUTH” TË ORGANIZUAR NË UNIVERSITETIN AEGEAN, CHIOS, GREQI

Në datat 6 – 13 gusht 2023 u zhvillua në Universitetin Aegean, Chios, Greqi Konferenca e 12-të Ndërkombëtare dhe Shkolla Verore e ASECU YOUTH, shoqata e të rinjve të universiteteve anëtare të ASECU-t, ku morën pjesë edhe studentë e pedagogë të Universitetit “Fan S. Noli”.

Tema kësaj konferencë ishte “Common Good in a World of Increasing Asymmetries and Global Challenges” (“E mira e përbashkët në një botë me asimetri në rritje dhe sfida globale”).

Pjesëmarrës në këtë veprimtari ishin profesorë dhe studentë të universiteteve nga Kina, Armenia, Polonia, Greqia, Serbia, Maqedonia e Veriut, Turqia, Rumania, Mali i Zi, Sllovakia, Sllovenia, Italia dhe Shqipëria.

Universiteti “Fan S. Noli” mori pjesë me 10 studentë të programit “ Financë – Kontabilitet”: Aldo Ceko , Dhoksiana Mizaku, Elton Cenolli, Eranja Talka, Erika Dajko, Erjol Latollari, Fiorentina Matollari, Kelsja Zere, Xhimi Malkollari dhe Xhesilda Benga, ndërsa ndër pedagogët referues në shkollën verore nga Universiteti ynë ishin dr. Aida Mosko dhe dr. Sorina Koti.

Studentët pjesëmarrës prezantuan punimet e tyre individuale dhe në grup.

Në përfundim të konferencës ndër 53 punimet e studentëve, punimi me temë “Determinants of inflation, Ëestern Balkan countries – A panel data approach” i studentëve Erjol Latollari, Xhimi Malkollari dhe Xhesilda Benga ishte një nga pesë punimet e nominuara për çmimin “Tsekouras për ekonomistët e rinj”.

Punimet e nominuara do të prezantohen në Konferencën e 20-të Ndërkombëtare të ASECU-t dhe në përfundim të saj do të shpallet fituesi. Urojmë që studentët tanë të jenë fitues të këtij çmimi dhe të grantit përkatës që jepet për punimin fitues.

Ndërkohë, krahas pjesës akademike në programin e shkollës verore u zhvilluan edhe veprimtari sociale, kulturore dhe sportive, të cilat u organizuan gjatë tre mbërëmjeve pas përfundimit të leksioneve të pedagogëve dhe prezantimeve të punimeve nga studentët.

Veprimtari të tilla u krijojnë mundësi të rinjve të vendeve të ndryshme të njihen me njeri-tjetrin, duke prezantuar dhe vendet nga vijnë dhe të bashkëpunojnë në të ardhmen në punë kërkimore në fushat me interes të përbashkët.

“INFORMIMI MBI GJENDJEN AKTUALE EKONOMIKE TË BIZNESEVE TË VOGLA, SFIDAT ME TË CILAT PËRBALLEN DHE AFTËSIA E TYRE PËR TË ZGJIDHUR KËTO PROBLEMATIKA” ISHTE TEMA E TRYEZËS SË RRUMBULLAKËT TË ORGANIZUAR NË FAKULTETIN E EKONOMISË, DEPARTAMENTI FINANCË-KONTABILITET NË KUADËR TË PROJEKTIT “ANALIZA E RISKUT EKONOMIK PËR BIZNESET E VOGLA, QARKU KORÇË DHE ROLI I DIXHITALIZIMIT NË FUQIZIMIN E TYRE TYRE GJATË DHE PAS PERIUDHËS SË PANDEMISË”

Në datën 7 korrik 2023 u zhvillua tryeza e rrumbullakët me temë: “Informimi mbi gjendjen aktuale ekonomike të bizneseve të vogla, sfidat me të cilat përballen dhe aftësia e tyre për të zgjidhur këto problematika të organizuar në Fakultetin e Ekonomisë nga Departamenti Financë-Kontabilitet në kuadër të projektit “Analiza e riskut ekonomik për bizneset e vogla, Qarku Korçë dhe roli i dixhitalizimit në fuqizimin e tyre tyre gjatë dhe pas periudhës së pandemisë”

Të ftuar në këtë diskutim të hapur ishin drejtues dhe anëtarë të Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm të Shqipërisë, përfaqësues të biznsit të vogël në Qarkun Korçë, pedagogë dhe studentë të këtij departamenti.

Sipas drejtueses së projektit, dr. Jorida Koçibelli qëllimi është të bëhen bashkë të gjithë aktorët për të diskutuar rreth problemeve me të cilat përballet sot biznesi dhe për të dalë në një përfundim, i cili t`u rekomandohet institucioneve përgjegjëse për zgjidhje.  

PREZANTOHEN NISMAT PËR RUAJTJEN DHE MBROJTJEN E LLOJEVE TË RRALLA TË BIODIVERSITETIT-LEKSIONI I HAPUR ME STUDENTË TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” NË KUADËR TË DITËS NDËRKOMBËTARE TË BIODIVERSITETIT

Në datën 22 maj 2023, PPNEA (Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri) ka zgjedhur të festojë këtë vit Ditën e Biodiversitetit me studentë dhe pedagogë të Universitetit “Fan S. Noli”. Përfaqësues të kësaj shoqate prezantuan nismat e saj për ruajtjen dhe mbrojtjen e llojeve të rralla të biodiversitetit, në një takim me studentë e pedagogë të këtij Universiteti, duke përfshirë punën për kërkimin shkencor, advokimin për ruajtjen e natyrës si dhe rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e ruajtjes së saj.

Gjithashtu theksi u vu në bashkëpunimet e mundshme me Universitetin, zhvillimi i praktikave mësimore për profilet përkatese pranë saj, zhvillimi i temave studimore për çështje të prekshme të faunës dhe florës së rajonit, si dhe angazhimi i studenteve në Shkollën Verore të Prespës.

Studentët pjesëmarrës të fushave të ndryshme, si: biologji, ekonomi, turizëm, marketing etj, u informuan kryesisht mbi iniciativat e PPNEA dhe mundësitë konkrete të angazhimit pranë kësaj organizate në programet për ruajtjen e llojeve të rrezikuara apo dhe programin për Ruajtjen e Biodiversitetit në zonën ndërkufitare të Prespës.

Në këtë takim u nënvizua se veprimtari të tilla shërbejnë për rritjen e ndërgjegjësimit dhe angazhimit të brezit të të rinjve në ruajtjen e biodiversitetit, si pasuri e vendit tonë.

NË UNIVERSITEITN “FAN S. NOLI” ZHVILLOI PUNMET KONFERENCA III STUDENTORE ME TEMË: “TRANSFORMIMI DIGJITAL NË KOHËN E SFIDAVE” NË KUADËR TË DITËS BOTËRORE TË TELEKOMUNIKACIONIT DHE SHOQËRISË TË INFORMACIONIT

Në datën 17 maj 2023, në kuadër të Ditës Botërore të Telekomunikacionit dhe Shoqërisë të Informacionit në Universitetin “Fan S. Noli” zhvilloi punimet Konferenca III studentore me temë: “Transformimi digjital në kohën e sfidave”.
Sipas pedagoges së departamentit të Menaxhimit, Fakulteti i Ekonmisë, dr. Marinela Teneqexhi, kjo konference vjen si një nismë e këtij Departamenti në bashkëpunim edhe me departamentin e Informatikës, Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane; Albanian University dhe me Kolegjin Universitar Bedër, si dy bashkëpunëtorë të rëndësishëm në realizimin e kësaj konference.

Konferenën e përshëndetën edhe dr. Rafail Prodani, përgjegjës i departamentit të Informatikës, prof. as. dr. Genta Rexha, përgjegjëse e departamentit të Inxhinerive, Albanian University; dr. Elda Dollija, përgjegjëse e departamentit të Ekonomisë dhe Biznesit, Kolegji Universitar Bedër. Ata e vlerësuan rëndësinë që ka bashkëpunimi i vazhdueshëm në realizimin e këtyre konferencave, ndërsa theksuan gjithashtu se një prej përfitimeve kryesore për studentët është prezantimi i detyrave, projekteve të kursit, dhe punimeve të diplomës për një auditor më të gjerë, duke u bërë pjesë debatesh e diskutimesh.

Studentët u vlerësuan nga pedagogët  edhe për temat mjaft interesante që kishin zgjedhur për prezantimet e tyre në lidhje me sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale, teknologjinë 5G, tregtinë elektronike, telefoninë celulare, marketingun digjital etj.
Kjo konference krijoi mundësinë për shkëmbime përvojash dhe njohurish midis studentëve pjesëmarrës në fushën e TIK, si dhe vuri në dukje aftësitë e studentët tanë për të realizuar punë kërkimore, duke bërë krenarë veten dhe pedagogët e tyre.

Në fund, konferenca u përmbyll me konkluzione dhe shpërndarjen e certifikatave për studentët pjesëmarrës.