UNIKO ZHVILLOI KONFERENCËN STUDENTORE ME TEMË: “GJITHËPËRFSHIRJA NË VEPRIM”

Në datën 19 korrik 2019, në mjediset e Bibliotekës Shkencore të UNIKO zhvilloi punimet konferenca studentore “Gjithëpërfshirja në veprim”, organizuar nga Departamenti i Edukimit në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhëve të Huaja, Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë, Departamentin e Histori-Gjeografisë, Departamentin e Matematikës dhe Fizikës, si dhe me Departamentin e Pedagogjisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Në fjalën e hapjes përgjegjësja e Departamentit të Edukimit, prof. as. dr. Irena Nikaj, përshëndeti të pranishmit dhe u shpreh se kjo konferencë do të shërbejë si një lektorium i hapur, ku studentët do të kenë mundësi të shkëmbejnë informacionet dhe njohuritë e tyre, të debatojnë dhe të hedhin ide rreth problematikave që lidhen me profesionin e tyre. Sipas saj, konferenca synon nxitjen dhe motivimin e studentëve drejt orientimit të kërkimit dhe studimit shkencor në funksion të zgjerimit të dijeve dhe përgatitjes profesionale. 
Rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, përgëzoi organizatorët dhe studentët pjesëmarrës në këtë konferencë, e cila, së bashku me veprimtari të tjera të organizuara në UNIKO, do të ndikojnë në arritjen e një standardi për akreditimin e programeve të studimit. Ai tha se gjithëpërfshirja, tema bosht e kësaj konference, është një çështje me rëndësi të veçantë jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën dhe se punimet e studentëve të orientuara rreth saj, kanë vlera të shumanshme. Rektori vlerësoi studentët, që nëpërmjet kësaj konference krijuan një përvojë shumë të mirë në fushën e kërkimit shkencor, si dhe përgatitën tema konkrete, gjë e cila do t’i ndihmojë si profesionistë të ardhshëm. Ai u tha studentëve dhe mësuesve të pranishëm: “Ju që kumtoni sot në këtë konferencë, përveçse dalloheni për anën tuaj diturore, keni kuptuar se të qënit edukator i fëmijëve nuk mjaftohet vetëm me zotërimin e njohurive që ne kemi, por mbi të gjitha është shpirti juaj i madh, dashuria juaj për fëmijët pa asnjë dallim”. 
Dekani i FEF, prof. as. dr. Pavllo Cicko, përshëndeti këtë nismë të lavdërueshme të studentëve, që të orientuar dhe nga pedagogët, zgjodhën të bashkojnë në këtë konferencë arritjet e kërkimeve të tyre, duke fituar një përvojë, e cila do të jetë në interes të punës së tyre në arsimin gjithëpërfshirës. 
Konferencën e përshëndeti edhe përgjegjësja e Departamentit të Gjuhëve të Huaja, dr. Benita Stavre, pedagogu i Departamentit të Pedagogjisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës,  doc. dr. Lulzim Mehmedi, studentë dhe të ftuar të tjerë. Punimet e konferencës vijuan në disa sesione paralele dhe në fund u ndanë certifikatat për pjesëmarrësit.

Harta e Vendodhjes

Lidhu me ne

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 676385000

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
 alijashari@yahoo.com

Te gjitha kontaktet

Asistente e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230

e-mail:
megipashko@yahoo.com
rektorati@yahoo.com