Znj. Erina Dino – Drejtor i Drejtorisë Jurdike dhe të Burimeve Njerëzore
Kjo drejtori kujdeset për:
Ndjekjen, koordinimin dhe kontrollin e punës së sektorëve në përbërje të drejtorisë.
Në zbatim të strukturës organizative dhe organigramës së miratuar nga Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit i UK-së, ndjek plotësimin e vendeve të punës, informon Rektorin dhe Administratorin për mungesat që mund të rezultojnë dhe përgatit propozimet përkatëse. Pas marrjes së vendimeve nga ana e Rektorit, apo Administratorit, sipas përkatësisë, përgatit urdhrin për pagesë për Drejtorinë e Financës.
Mban dokumentacionin e plotë mbi të dhënat e çdo punonjësi, kualifikimin dhe aktivitetin mësimor-shkencor të personelit akademik, ndihmësakademik dhe atij administrativ.
Krijon dosjen personale për çdo punonjës të ri dhe pasuron dosjet ekzistuese me të gjitha ndryshimet e mundshme. Çdo veprim në dosjen personale kryhet mbi bazën e dokumenteve origjinale ose fotokopjeve të noterizuara.
Administron librezat e punës së punonjësve dhe kryen veprimet përkatëse në to, mbi bazën e vendimeve të Rektorit apo Administratorit (pranim, largim ose ndryshim vendi pune).
Mban me përgjegjësi të plotë Regjistrin Themeltar të punonjësve dhe e plotëson atë për çdo lëvizje e ndryshim.
Në zbatim të ligjit ndjek daljet në pension të punonjësve dhe bën veprimet përkatëse.
Në bashkëpunim me drejtoritë e tjera dhe dekanët e fakulteteve harton grafikun e lejeve të zakonshme për punonjësit dhe pas miratimit nga Rektori e Administratori, ndjek zbatimin e tij.
Ndjek mbarëvajtjen e punës në Universitet nga pikëpamja e disiplinës (mungesa, vonesa, raporte mjekësore, thyerje të disiplinës) të personelit akademik, ndihmësakademik dhe administrativ. Çdo fund muaji mbledh kohëshënuesit (listëprezencat) e hartuar nga Drejtorët e Drejtorive dhe Dekanët, dhe pasi i kontrollon dhe firmos, i dorëzon ato për pagesë pranë Drejtorisë së Financës.
Ndjek plotësimin e kushteve të punës së punonjësve dhe në bazë të akteve ligjore e nënligjore në fuqi realizon trajtimin material e financiar që u takon.
Evidenton dhe ndjek periodikisht vjetërsinë e punës për punonjësit dhe ia përcjell Drejtorisë së Financës për të bërë pagesat përkatëse.
Kontrollon zbatimin e detyrave brenda kuadrit ligjor në fuqi.
Është i ngarkuar nga Statuti i Universitetit, neni 45, pika 3, me detyrën e anëtarit të komisionit të vlerësimit të kandidatëve konkurrues për vendet vakante për personel akademik, ndihmësakademik apo administrativ, si dhe në komisione të tjera që mund të ngrihen për çështje të ndryshme.
Drejtori i Drejtorisë Juridike dhe Burimeve Njerëzore, me urdhër emërimi nga Rektori, kryen detyrën e drejtuesit të Autoritetit Përgjegjës për Parandalimin, Kontrollin dhe Zgjidhjen e Gjendjeve të Konfliktit të Interesave,të institucionit, sipas ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, Udhëzimit nr. 1, datë 27.06.2014, të ILDKPKI-së, si dhe rregulloreve të brendshme të institucionit, me qëllim parandalimin e rasteve të konfliktit të interesave.
Drejtori i Drejtorisë Juridike dhe Burimeve Njerëzore, me urdhër emërimi nga Rektori, kryen detyrën e drejtuesit të Njësisë përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve në UK, sipas ligjit nr. 60/2016, datë 2.6.2016, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, VKM nr. 816, datë 16.11.2016, pikat 1, 3 dhe 11.
Drejtori i Drejtorisë, në përfundim të vitit kalendarik, harton performancën e punës të çdo punonjësi të drejtorisë.