UNIKO PËRCJELL ME MIRËNJOHJE BASHKËPUNIMIN E FRYTSHËM ME AKADEMINË E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË

Në datën 7 shkurt 2020, në mjediset e Bibliotekës Shkencore të UNIKO u zhvillua një veprimtari për bashkëpunimin e Universitetit “Fan S. Noli” me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe ndihmesat që i ka dhënë ky institucion Universitetit të Korçës. Në fjalën e tij rektori, prof. dr. Ali Jashari, theksoi se nëpërmjet kësaj veprimtarie UNIKO i shpreh mirënjohjen drejtuesve të Akademisë së Shkencavë për bashkëpunimin e frytshëm dhe të ngushtë, si dhe për bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet dy institucioneve, por sidomos për dhurimin e paçmuar që i bënë Universitetit me mbi 200 tituj librash e periodikësh, afër 1100 kopje nga të gjitha fushat që mbulon Akademia. Ai përshëndeti dhe falënderoi për pjesëmarrjen akad. Ethem Likaj, një ndër drejtuesit e Universitetit të Tiranës dhe një prej gjuhëtarëve shqiptarë, ndër më të shquarit,  miken e madhe të UNIKO, kryetaren e Seksionit të Shkencave Shoqërore, akad. Floresha Dado, sekretarin shkencor të Akademisë, akad. Shaban Sinani, i cili gjithmonë ka qenë i pranishëm në Universitetin e Korçës si bashkorganizator, si idedhënës, si kumtues në veprimtari të ndryshme të përbashkëta. Rektori e cilësoi si një akt vlerësimi dhe nderimi ardhjen në UNIKO të akad. Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa përmendi një sërë veprimtarish shkencore, ku logoja e Universitetit të Korçës dhe ajo e Akademisë kanë qenë pranë e pranë si simbol i një bashkëpunimi të ngushtë. Prof. dr. Ali Jashari theksoi se në kuadër të këtij bashkëpunimi janë parashikuar disa veprimtari, si ngritja e qendrës burimore dhe shkencore të studimeve noliane me rastin e 140-vjetorit të lindjes se Fan Nolit dhe konferenca ndërkombëtare kushtuar atij, po ashtu përgatitja e një antologjie me shkrime të zgjedhura nga vepra e Nolit etj., veprimtaritë për 200-vjetorin e  Thimi Mitkos, të cilat do të realizohen si një bashkëpunim i ngushtë i UNIKO dhe ASHSH dhe që do të sendërtohen në një marrëveshje bashkëpunimi.

Më pas e mori fjalën kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi, i cili vlerësoi traditën e bashkëpunimit të Akademisë me UNIKO dhe u shpreh se sa më i zhvilluar të jetë kërkimi, aq më cilësore është mësimdhënia. Sipas tij, reforma në Akademinë e Shkencave ka synuar që ajo të jetë e hapur me institucionet e arsimit të lartë dhe takime të tilla janë një mundësi shumë e mirë për zgjerimin e këtij bashkëpunimi. Akad. Skënder Gjinushi u shpreh: “Është vlerësim për çdo studiues që botimet e tij të lexohen sa më shumë. Duke i sjellë në bibliotekat e universiteteve ato ndodhen pikërisht aty ku e kanë vendin”. Takimin e përshëndetën edhe akad. Ethem Likaj dhe profesor Shaban Sinani, të cilët gjithashtu shprehën vlerësimet e tyre për cilësinë e lartë që ka pasur dhe ka arsimi në Korçë.

Në fund të takimit, rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, vlerësoi akad. Floresha Dado me certifikatën e mirënjohjes me këtë motivacion: “Figurë e shquar e letrave shqipe, studiuese e letërsisë shqiptare dhe specialiste e teorisë së letërsisë, kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore në ASHSH për ndihmesat e çmuara që ka dhënë në organizimin dhe pjsëmarrjen në veprimtaritë shkencore, si dhe për kualifikimin shkencor të pedagogëve të institucionit tonë. Në shenjë mirënjohjeje nga stafi akademik dhe drejtuesit e Universitetit “Fan S. Noli”i  Korçës”.

Akad. Floresha Dado falënderoi drejtuesit e UNIKO për këtë vlerësim dhe premtoi se do të vazhdojë të bashkëpunojë me Universitetin e Korçës edhe në të ardhmen, veçanërisht me departamentin e gjuhës dhe letërisë, për të cilin dhuroi dhe disa kopje të librave të saj, që do t`u shërbejnë pedagogëve të rinj dhe studentëve. Takimin e përshëndeti dhe dekani i FEF, prof. as. dr. Pavllo Cicko.

Para zhvillimit të kësaj veprimtarie akademikët u pritën në një takim të veçantë nga Rektori i UNIKO, në mjediset e Rektoratit, ku i njohu ata me arritjet e Universitetit të Korçës dhe strategjinë e zhvillimit të tij.