UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” NË BASHKËPUNIM ME UNIVERSITETIN “ARISTOTELI” SELANIK DHE INSTITUTIN GOETHE NGA DATA 5-9 QERSHOR 2023 ZHVILLUAN AKADEMINË VERORE: “MOSCOPOLI, VENDLINDJA E MODERNITETIT NË BALLKAN”

Në Universitetin “Fan S. Noli” në datën 5 qershor 2023 filloi punimet Akademia Verore “Moscopoli, Vendlindja e Modernitetit në Ballkan” e organizuar nga Universiteti “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Universitetin “Aristoteli”, Selanik dhe Institutin Goethe.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj akademie përshëndeti rektori i Universiteit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello, znj. Albana Tole, zëvendësministër i Arsimit dhe Sporteve në Shqipëri, prof. Vasileios Toulikas dhe prof. Dimosthenis Sarigiannis, President of the International Relations Committe Aristotle University of Thessaloniki, si dhe Konsulli i Kosullatës së Përgjithshme Greke në Korçë, z. Nikolaos Yotopoulos.  

Pas ceremonisë zyrtare Akademia Verore vijoi me modulin e saj të parë me temë: “Historia kulturore dhe etnografike në perspektivën ballkanike”, me ligjërues prof. Dhori Q. Qirjazi nga Universiteti Aristoteli, Selanik.

Dita e parë e Akademisë Verore u mbyll me vizitën e studentëve në Muzeun e Artit Mesjetar, Korçë.

Në datën 6 qershor 2023 veprimtaritë mësimore të Akademisë Verore vijuan në fshatin turistik të Voskopojës. Ligjëruesi, prof. dr. Dhori Q. Qirjazi u ndal në temën: “Studime gjuhësore dhe kulturore në zonën e Ballkanit”, një temë e cila synon që studentët të kuptojnë dhe interpretojnë të ashtuquajturat arritje kulturore njerëzore, si: gjuha, letërsia, filozofia, feja etika dhe institucionet më zonën e Ballkanit.

Si veprimtari jashtëkurrikulare në këtë ditë ishte vizita në manastirin e Shën Gjon Pagëzorit dhe Kisha e Shën Nikollës.

Në datën 7 qershor 2023, veprimtaritë mësimore të Akademisë Verore vijuan me modulin e tretë me temë: “Gjuhësia ballkanike dhe lidhjet gjuhësore ballkanike (Balkanshprachbund)” mbajtur nga prof. dr. Dhimitri Bello.  Tema kishte në qendër Ballkanin si zona e lidhjeve të para gjuhësore ballkanike (Balkanshprachbund) që u identifikua si e tillë. Koncepti fillimisht u identifikua për të shpjeguar përhapjen midis gjuhëve që ishin gjenealogjikisht të palidhura ose të lidhura në distancë në termat e ndryshimit normal gjuhësor në krahasim me nocionet e korrupsionit dhe papastërtisë, në kuadrin e kontaktit gjuhësor.

Studentët patën mundësinë të njihen me zhvillimin e studimeve në fushën e ballkanistikës dhe kontributet e gjuhëtarëve të ndryshëm në këtë fushë si dhe me çështjet më të prekshmeme interes. 

Si veprimtari jashtëkurrikulare, studentët në këtë ditë zhvilluan një vizitë në komunitetin arumun të Boboshticës.

Në datën 8 qershor 2023, Akademia Verore vijoi me modulin “Historia e Besimeve Fetare”, me ligjërues: At Vangjel Sotiri, Mitropolia e Shenjtë Korçë; Ledian Çikalleshi, Myfti i Korçës dhe Dejvid Pronjari përfaqësues nga Teqe e Melçanit.

Studentët e Akademisë ndoqën me vëmendje çështjet epistemiologjike në kuadrin e parimeve dhe besimeve fetare, si dhe ilustrimin kritik të metodave dhe të dhënave të kërkimit fetar.

Rektori i Universiteti “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello përshëndeti të ftuarit dhe studentët pjesëmarrës në Akademi, duke vënë theksin ndër të tjera edhe në qasjet e çëshjeve aktuale të bashkëjetesës fetare të paraqitura në këtë modul.

Gjithashtu, përgjegjësi i departamentit të Histori-Gjeografisë phd. Metin Venxha u ndal shkurtismisht në rëndësinë e besimeve fetare në procesin e ndërtimit të shtetit shqiptar gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe kontributi i tyre në formimin e identitetit kombëtar.

Në pjesën e dytë të Modulit IV, Doktori i Filozofisë Pandeli Pani referoi temën: “Tendencat aktuale dhe qasjet e reja kërkimore në fushën e gjuhësisë ballkanike”. Ai theskoi se përgjatë pjesës më të madhe të historisë së gjuhësisë ballkanike, shkaku i ballkanizmave të ndryshme u pa të ishte ndikimi dhe prestigji i greqishtes bizantine ose latinishtes ballkanike.

Pjesë e këtij moduli ishin edhe vizitat e studentëve në disa nga institucionet fetare të qytetit të Korçës.   

Me falënderime për studentët pjesëmarrës, për stafin që u angazhua në këtë organizim, për të dy institucionet bashkëpunëtorë, Universiteti “Aristoteli”, Selanik dhe Instituti Goethe dhe me dëshirën e mirë që Akademia Verore të kthehet në një traditë për  Universitetin tone, rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello ka përmbyllur  veprimtaritë e Akademisë Verore në datën 9 qershor 2023 në mjediset e Rektoratit.  

Gjatë ceremoinisë për shpërndarjen e certifikatave të pjesëmarrjes Rektori i përgëzoi studentët për punën dhe përkushtimin që treguan gjatë zhvillimit të të gjitha kurseve të Akademisë.

Ndërkohë, në ditën e fundit të saj studentët zhvilluan Modulin V me ligjërues Akad. Shaban Sinani nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, i cili referoi temën: “Arkivi, biblioteka, dokumentacioni për Moschopolin”.

Fokusi i këtij kursi ishte nxjerrja, sistemimi, përpunimi, shpërndarja dhe ruajtja e informacionit në lidhje me zonen e Moschopolit.

Kursi u ofron studentëve njohuritë bazë të historisë së arkivave dhe historisë së bibliotekës dhe zhvillon njohuritë kërkimore në fushën e përzgjedhur.

Vizita në Arkivën e Digjitalizuar të Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” mbylli edhe këtë modul të Akademisë Verore.

Previous Post
Ministria e Arsimit dhe Spotit shpall thirrjen për financimin e IAL-ve publike, për projekte të përbashkëta në kuadër të ndërkomtarizimit të programeve të studimit, për vitin akademik 2023-2024
Next Post
NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” U ZHVILLUAN TRAJNIME PËR STAFIN AKADEMIK DHE NDIHMËSAKADEMIK NË KUADËR TË PROJEKTIT “BOLOGNA HUB PEER SUPPORT”