FEF ORGANIZOI KONFERENCËN SHKENCORE “THEMELUESIT E KOMEDISË SHQIPE NË GJYSMËN E PARË TË SHEKULLIT XX” ASPEKTE GJUHËSORE DHE LETRARE TË FILLESAVE TË KOMEDISË SHQIPE: (PERSPEKTIVA KRITIKE)

Në datën 10 nëntor 2025 në mjediset e Amfiteatrit “Teodor Laço” FEF u zhvillua Konferenca Shkencore “Themeluesit e Komedisë Shqipe në Gjysmën e Parë të Shekullit XX” Aspekte gjuhësore dhe letrare të fillesave të komedisë shqipe: (perspektiva kritike)

Punimet e kësaj konference i hapi përgjegjësi i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, prof. as. dr. Eris Rusi.
Rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi përshëndeti të pranishmit dhe theksoi se, kjo konferenëcë shërben si një hapësirë studimore dhe diskutim për të reflektuar mbi fillesat e dramaturgjisë sonë dhe mbi rolin që kanë luajtur autorët e brezit të parë në ndërtimin e identitetit kulturor shqiptar.
Përshëndetën konferencën edhe prof. dr. Valter Memisha nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Petrika Tollkuçi, zëvendëskryetare e Bashkisë Korçë, znj. Benila Themeli dhe prof. as. dr. Jonela Spaho dekanë e FEF, e cila ndër të tjera theksoi “Ky projekt që finalizohet me hartimin e një teksti ku përmblidhen komeditë kryesore nga autorët themelues të komedisë shqipe, shënon një hap të rëndësishëm në rikthimin në dritë të veprave të harruara të krijuesve që çelën rrugën e artit dramatik në fillim të shekullit të 20-të në vendin tonë. Prej shumë kohësh, krijimtaria e figurave si Kristo Floqi, Mihal Grameno, Foqion Postoli, Dhori Koti dhe Ilo Mitkë Qafëzezi ka mbetur në hije, duke lënë pas dore kontributet e tyre themeltare në formimin e kësaj gjinie letrare në Shqipëri. Kjo përmbledhje, pjesë e projektit më të gjerë me të njëjtin titull, synon të vendosë këta autorë në vendin e tyre të merituar në historinë letrare dhe kulturore shqiptare” dhe më pas Dekania mbajti dhe referimin kryesor të konferencës “Roli emancipues i themeluesve Korçarë të komedisë në shoqërinë dhe kulturën Shqiptare”.
Një përshëdetje të veçantë përcolli për të pranishmit nëpërmjet vargjeve poetike znj. Blerta Belliu drejtore e Qendrës së Artit dhe Kulturës Korçë.
Sipas përgjegjësit të departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, prof. as. dr. Eris Rusi kjo konferencë vjen në kuadër të projektit “Themeluesit e komedisë shqiptare nën dritën e kërkimit shkencor, botimit dhe artit skenik” i mbështetur nga Universiteti “Fan S. Noli”.
Objektivi kryesor është t’u japë sërish zë autorëve korçarë që hodhën themelet e kësaj tradite: Kristo Floqit, Mihal Gramenos, Foqion Postolit, Dhori Kotit dhe Ilo Mitkë Qafzezit.
Kjo konferencë është kulmimi i këtij rrugëtimi, një hapësirë ku kërkimi shkencor, leximi dhe interpretimi kritik bashkohen për të ruajtur dhe ringjallur veprat që këta autorë i shkruan dhe i vunë në skenë më shumë se një shekull më parë””.
Rreth këtij boshti ishin edhe referimet që u mbajtën më pas në sesionin II të konferencës.

 

Postimi i Mëparshëm
NJOFTIM PËR 7 VENDE TË LIRA PUNE NË AGJENCINË SHTETËRORE TË KADASTRËS, KORÇË
Postimi Pasues
UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” ORGANIZOI “DITËN E HAPUR VIRTUALE 2025”