NGA BUKURESHTI NË KORÇË, PËRMES DIJES DHE KULTURËS: UNIKO FORCON URAT E BASHKËPUNIMIT AKADEMIK NDËRKOMBËTAR

Në kuadër të programit Erasmus+, përmes një mobiliteti për mësimdhënie, stafi akademik i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. as. dr. Jonela Spaho zhvilloi një vizitë akademike në Universitetin e Bukureshtit, Rumani, duke e shndërruar këtë përvojë në një hapësirë të vyer shkëmbimi shkencor, kulturor dhe njerëzor.

Në fokus të veprimtarive ishte ndarja e përvojës në fushën e letërsisë shqipe, folklorit dhe studimeve krahasuese letrare, përmes diskutimeve, bashkëbisedimeve dhe leksioneve me studentë dhe kolegë të Universitetit të Bukureshtit. Takimet krijuan mundësi për të prezantuar pasurinë e gjuhës, letërsisë dhe traditës sonë kulturore, por edhe për të zbuluar këndvështrime të reja mbi pika takimi mes letërsive dhe kulturave tona.

Një dimension i veçantë i kësaj vizite ishte edhe pjesëmarrja e prof. as. dr. Jonela Spaho në promovimin e “Manualit të dialektit arumun për studim universitar, niveli C1” të zhvilluar në Akademinë Rumune, si dhe në konferencën shkencore në qytetin Alba Iulia, që e pasuroi më tej këtë përvojë me një dimension historik dhe kulturor, duke dëshmuar se dija, identiteti dhe kujtesa kulturore janë ura që lidhin popujt përtej kufijve.

Universiteti “Fan S. Noli” vijon të konsolidojë profilin e tij ndërkombëtar, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik dhe duke e bërë dijen një gjuhë të përbashkët komunikimi mes universiteteve dhe kulturave.

 

Postimi i Mëparshëm
NË KUADËR TË PROJEKTIT EDUFAIR U ZHVILLUA NJË TAKIM ME FOKUS INTELIGJENCËN ARTIFICIALE
Postimi Pasues
STARTON PROJEKTI I UNIKO ME FOKUS NJË QASJE NDËRDISIPLINORE PËR SHËRBIMET NDAJ TË MOSHUARVE