Në datën 26 tetor 2026, në kuadër të projektit të UNIKO “Nga analiza e nevojave në pilotim: Një qasje ndërdisiplinore për shërbimet ndaj të moshuarve- Rast studimi Qarku Korçë”, filloi pilotimi i disa shërbimeve ofruar moshës së tretë në bashkitë Korçë, Pogradec dhe Maliq, i cili zhvillohet në bashkëpunim me Misionin Emanuel.
Sipas pedagoges Viola Dolani, përmes angazhimit vullnetar të studentëve të programit profesional 2-vjeçar “Shërbim Social”, departamenti i Shkencave Sociale synohet të identifikohen nevojat e të moshuarve për shërbime sociale dhe shëndetësore, duke i bërë ato të aksesueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Për studentët e këtij programi, vullnetarizmi është një mundësi për ta kthyer dijen në kujdes dhe përkushtimin në veprim. Përmes kontributit në identifikimin e nevojave të të moshuarve për shërbime sociale dhe shëndetësore, ata do të fitojnë përvojë praktike dhe aftësi profesionale, por mbi të gjitha, do të zbulojnë vlerën e të qenit pranë tjetrit, të dëgjimit me empati dhe të solidaritetit që i jep kuptim të vërtetë profesionit të tyre.









