Në datën 28 tetor 2025 u prezantua në mjediset e Fakultetit të Ekonomisë projekti “Përfitimet Financiare të Zhvillimit të Bizneseve Turistike Miqësore ndaj Mjedisit”. Të pranishëm ishin drejtues të UNIKO, Këshillit të Qarkut Korçë, si partner në këtë projekt, pedagogë e studentë, përfaqësues të Bashkisë Korçë, si dhe drejtues të bizneseve që operojnë në rajonin tonë.
Takimin e përshëndeti fillimisht drejtuesja e projektit, prof. as. dr. Alketa Zheku dhe më pas një prezantim të detajuar të projektit bëri pedagogia prof. as. dr. Mamica Nene, në emër të grupit të punës, ku bën pjesë edhe Junada Sulillari, kandidate PhD.
Vlerësime për këtë projekt dha edhe kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Petrika Tollkuçi, i cili theksoi gjithashtu bashkëpunimin e suksesshëmm që ka patur dhe vijon të ketë midis të dy institucioneve.
Më pas, takimi vijoi me diskutime nga të pranishmit në funksion të turizmit të qëndrueshëm përmes integrimit të praktikave miqësore ndaj mjedisit në bizneset turistike që përbën edhe qëllimin e këtij projekti, i cili u mundësua me fondet e AKKSHI-it.



















