Në datat 23-24 shtator 2022 u zhvillua Konferenca e 18-të Ndërkombëtare “Socio-Economic Challenges in the Post-Pandemic Period” (Sfidat socio-ekonomike në periudhën postpandemi) e Fakultetit të Ekonomisë e organizuar në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare të Rrjetit të Universiteteve të Evropës Juglindore (ASECU).
Konferencën e hapi pedagogia e këtij Fakulteti, dr. Aida Mosko, e cila pas përshëndetjeve të rastit paraqiti në mënyrë të përmbledhur historikun dhe qëllimin e kësaj konference.
Në të u bënë bashkë shkencëtarë, studiues dhe aktorë kryesorë akademikë, me fokus paraqitjen e rezultateve të kërkimit mbi situatën e re socio-ekonomike të krijuar nga Pandemia Covid-19 dhe sfidat me të cilat përballen qeveritë e vendeve të ndryshme.
Përshëndeti dhe vlerësoi këtë organizim edhe rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello, i cili vlerësoi rëndësinë që ka konferenca edhe në zgjerimin e rrjetit akademik dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve. Më pas mbajti fjalën e mirëseardhjes dekania e FE, prof. as. dr. Ledina Alolli. Ndër të tjera, ajo theksoi qëllimin e kësaj konferencë për eksplorimin e mundësive të zhvillimit në kuadrin e realitetit të ri ekonomik dhe inkurajimi i debatit akademik mbi mënyrat se si mund të kapërcehen sfidat aktuale rajonale dhe për të reduktuar ndikimin e tyre në perspektivat e ardhshme globale. “Konferenca do të sjellë një kontribut shumë të çmuar në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të rajonit e më gjerë dhe në menaxhimin sa me efektiv të sfidave të ardhshme me të cilat mund të përballen qeveritë në nivel global”.
Një përshëndetje të veçantë përcolli në këtë konferencë edhe presidenti i ASECU-t, prof. Grigoris Zarotiadis “Konferenca e 18-të ndërkombëtare e shoqatës së universiteteve ekonomike nga Evropa Jugore dhe Lindore, si edhe nga rajoni i Detit të Zi, (Association of Economic Universities, ASECU, of South and Eastern Europe and the Black Sea Region) vjen në kuadër të konferencave të përvitshme që organizon ASECU. Zhvillimi i saj në qytetin e Korçës ka për qëllim të kontribuojë në forcimin e marrëdhënive të bashkëpunimit të Universitetit të këtij qyteti me institucionet e tjera akademike anëtare të kësaj shoqate”. Gjithashtu, punime të mbara i uroi kësaj konferencë edhe anëtari i Bordit të ASECU-t për Shqipërinë, prof. Fatmir Memaj.
Seanca e parë i vijoi punimet me referatin kryesor nga prof. Grigoris Zarotiadis: “Efektet socio-ekonomike të postpandemisë: Një fazë në procesin e zhvillimit”.
Rreth 53 pjesëmarrës me 35 materialet e prezantuara në këtë konferencë vinin nga universitete dhe qendra kërkimore-shkencore të vendeve, si: Greqi, Bullgari, Maqedonia e Veriut, Poloni, Irlandë, Armeni, Rusi, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëri.
Tematika e këtij viti ishte zhvillimi i qëndrueshëm me një fokus të veçantë në sfidat, kërkesat dhe mundësitë në kohën tonë në rajonin e Ballkanit dhe Detit të Zi.