Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

SENATI AKADEMIK DHE BORDI I ADMINISTRIMIT I UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” MIRATUAN PROJEKTRAPORTIN E VITIT AKADEMIK 2021-2022

Në datën 27 dhjetor 2022, në mjediset e Universitetit “Fan S. Noli” , Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit, në një takim të përbashkët, zhvilluan analizën e veprimtarisë mësimore, kërkimore-shkencore dhe financiare për vitin akademik 2021-2022.

Në këtë takim ishin të ftuar Dekanët e Zëvendësdekanët,  përgjegjësat e Njësive Bazë, drejtorët e drejtorive të Universitetit, si dhe anëtarë të Njësisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë.

Në fjalën e tij, rektori, prof. dr. Dhimitri Bello ndër të tjera theksoi se raporti i detajuar vjetor i veprimtarisë së Universitetit “Fan S. Noli” për vitin akademik 2021-2022 është një dokument i rëndësishëm për veprimtarinë e kryer nga institucioni në fushat akademike, shkencore, administrative dhe financiare.
Raportimin për veprimtarinë kërkimore-shkencore e bëri zëvendësrektorja për Shkencën dhe Projektet, dr. Benita Stavre, e cila vuri në dukje punën e bërë dhe masat që janë marrë gjatë vitit akademik 2021-2022 për përmbushjen e objektivave të parashikuar në planin strategjik të kërkimit shkencor në fushat: burimet njerëzore, infrastruktura, ndërkombëtarizimi dhe rajonalizimi, si dhe bashkëpunimi me sektorin publik e privat.
Zëvendësrektori për mësimin, dr. Ato Adili bëri raportimin për programet e studimit, parashikimin për angazhimin e personelit akademik, procesin e akreditimit, gjurmimin e studentëve, si dhe veprimtarinë mësimore të njësive akademike në Universitetin “Fan S. Noli”.
Të dhënat për strukturën organizative të Universitetit, planin buxhetor vjetor dhe atë afatmesëm, si dhe të dhëna të tjera financiare të institucionit i raportoi më pas administratori i Universitetit,  z. Petrika Petro.
Mendimet dhe sugjerimet që dhanë të pranishmit për elemente të ndryshëm të projektraportit do të mbahen parasysh në hartimin e dokumentit përfundimtar.
Në fund të takimit, të pranishmit miratuan projektraportin.

Leave a Reply