Në datën 12 nëntor 2021 në Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë zhvilloi punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Politikat gjuhësore mbi pakicat në Ballkan-Arritje dhe perspektiva”. Seancën plenare, nën drejtimin e pedagogut, dr. Eris Rusi, e hapi rektori i UNIKO, prof. dr. Dhimitri Bello, i cili theksoi se kjo konferencë vjen edhe në kuadër të 50-vjetorit të Universitetit të Korçës. Ajo sjell punime mjaft interesante nga specialistët më të mirë të fushës që sipas tij do të dalin me konkluzione konkrete për ndërmarrjen e projekteve të tjera në të ardhmen, në lidhje me politikat gjuhësore mbi pakicat në Ballkan.
Në emër të prof. dr. Sabri Laçit, dekanit të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës, përshëndeti seancën plenare prof. dr. Shezai Rrokaj. Ai tha se nga kjo konferencë do të dilet me ide të qarta mbi realitetin juridik të pakicave në Ballkan i kristalizuar me ligjet e vendeve përkatëse.
Konferencën e përshëndeti më pas edhe znj. Kostandina Bezhani, kryetare e Komitetit për Pakicat Kombëtare, si dhe prof. dr. Berton Sulejmani dekan i Fakultetit Filologjik, Universiteti i Tetovës, Maqedoni e Veriut. Punime të mbara kësaj konference i uroi edhe prof. dr . Ali Jashari në emër të departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, UNIKO.
Seanca plenare vijoi me kumtesën e prof. Fernando Ramallo (online nga Spanja) me titull: “The relevance of the European Charter for Regional or Minority Languages for the protection of miniority languages in the Balkans” dhe prof. Kostas Dinas (online nga Greqia) me kumtesën “The Linguistic diversity in the Balkans: a blassing or a problem?”
Pas seancës plenare konferenca i vijoi punimet në tre sesione paralele:
I- Politika gjuhësore për pakicat kombëtare dhe planifikimi gjuhësor;
II-Gjuhët në kontakt;
III- Varietete gjuhësore, gjuha në përdorim dhe probleme të edukimit.
Kjo konferencë u organizua nga departamenti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës dhe departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë, UNIKO.