Nga data 20-25 tetor 2025 Fakulteti i Bujqësisë, Universiteti “Fan S. Noli” mirëpriti me kënaqësi biologun nga Zvicra, phd. Tim Haye, i cili me nismën e pedagogut, dr. Nikolin Karapançi erdhi në UNIKO për të zhvilluar një studim kërkimor interesant për dëmtuesin Erthesina Fullo, (çimka kutërbuese me njolla të verdha) në laboratorët dhe infrastrukturën bashkëkohore që ofron ky Fakultet.
Gjatë kësaj periudhe, krahas studimit dhe një leksioni të hapur që mbajti për stafin dhe studentët në lidhje me gjetjet më interesante të tij, biologu nga Zvicra zhvilloi takime frytdhënëse edhe me dekanin e FB, prof. as. dr. Besnik Skënderasi dhe me stafin akademik, ku ndanë përvoja dhe hodhën themelet për bashkëpunime të reja shkencore.
Studiuesi Haye shpreh sot falënderimin dhe mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe mbështetjen që i ofroi Universiteti ynë.
Të tilla nisma forcojnë imazhin e universitetit tonë si një hapësirë e hapur për dijen, kërkimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke ngritur ura të reja komunikimi dhe partneriteti, e duke pasuruar përvojën kërkimore-shkencore të komunitetit tonë akademik.















