Në datën 17 janar 2024 një delegacioni i përbërë nga staf akademik i Universitetit Arsitoteli, Greqi, prof. Giannis Papageorgiou, pedagog për politikën evropiane dhe përgjegjës i departamentit të Shkencave Politike i Universitetit Aristoteli, prof. as. Maria Kavala, pedagoge e historisë dhe emigracionit pranë këtij Departamenti, Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë, Korçë z. Nikolaos Yotopoulosu etj. u pritën në një takim nga drejtues të Universitetit “Fan S. Noli”, ku në qendër të diskutimeve ishte bashkëpunimi ndërinstitucional., në kuadër të të cilit u zhvillua edhe tryeza shkencore: “Migrimi në një botë të globalizuar: Shqipëria dhe Greqia”.
Në këtë tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane në bashkëpunim me departamentin e Shkencave Politike të Universitetit Aristoteli ishin të pranishëm përfaqësues të stafeve akademike të dy univesiteteve, të pushtetit vendor, studentë etj.
Takimin e hapi zëvendësdekani i FSHNH, phd. Jordan Jorgji, i cili shpjegoi në terma të përgjithëm natyrën aktuale dhe komplekse të emigracionit.
Më pas, përshëndetën punimet e kësaj tryeze shkencore edhe rektori, prof. dr. Dhimitri Bello, kryebashkiaku i Korçës, z. Sotiraq Filo dhe prefekti i Qarkut, Korçë, z. Nertil Jole, të cilët theksuan se çështja e emigrimit është një temë globale shumë aktuale, por edhe shumë e ndjeshme në Bashkimin Evropian e jo vetëm. Një dukuri që duhet të adresohet bashkarisht, nëpërmjet zbatimit të politikave për zhvillim e mirëqënies së qytetarëve në vendet e tyre të origjinës.
Edhe për Konsullin Yotopoulosu kjo veprimtari është mjaft e rëndësishme, duke trajtuar një dukuri sa historike aq edhe aktuale dhe, për më tepër ajo bëri bashkë në një tryezë diskutimi pedagogët e të dy universiteteve, duke u krijuar mundësi të vazhdueshme për bashkëpunim edhe në veprimtari të tjera në të ardhmen.
Gjatë referimeve rreth temës bosht të kësaj tryeze prof. Giannis Papageorgiou theksoi rëndësinë që ka analiza për migrimin në aspektin ndërkombëtar. Ai bëri një përmbledhje se çfarë ndodh sot në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. “Migrimi lidhet me perceptimet njërëzore, të cilat për fat të keq janë negative në rastin e migrimit ilegal. Edhe pse imigracioni ilegal nuk është sot burimi i vetëm i migrimit në BE, ai lidhet me perceptimet negative, të cilat shfrytëzohen nga lëvizjet populiste antimigratore”.
Në punimin e paraqitur nga prof.as. dr. Eleni Vangjeli u pasqyrua impakti që ka patur migracioni për ekonominë dhe demografinë shqiptare. Ajo përmendi rastin e remitancave, të cilat ishin mjaft të rëndësishme, sidomos në reduktimin e varfërisë në Shqipëri.
Më pas, prof. as. Maria Kavala në analizën e paraqitur u ndal në integrimin e suksesshëm të pjesës më të madhe të emigrantëve shqiptarë në Greqi, ndonëse mbeten akoma vështirësi që duhet të menaxhohen me kujdes. “Lidhjet me të dy shoqëritë janë më të pranishme në gjeneratën e dytë të emigrantëve shqiptarë, të cilët paralelisht me shoqërinë greke, ku ata janë lindur dhe rritur, përpiqen sot të zbulojnë akoma më shumë për vendin e origjinës së tyre, Shqipërinë”.
Dr. Denisa Titili në temën e saj u fokusua në potencialin migrator të shqiptarëve në ditët e sotme, ku vihet re prirje e re e emigracionit nga Greqia dhe Italia drejt vendeve të Evropës Qëndrore-Perëndimore, kryesisht në Gjermani. Ajo theksoi impaktin pozitiv që ka migrimi për krijimin e kontakteve të përbashkëta sociale, ku në rastin e emigrantëve Shqiptarë në Greqi ato janë tashmë të konsoliduara.