Në datën 7 shkurt 2023, Debati Universitar IV zhvilloi takimin në nivel institucional në Universitetin “Fan S. Noli” Debati Universitar IV zhvilloi takimin në nivel institucional në Universitetin “Fan S. Noli” me pjesëmarrjen e studentëve Romina Xhaferi, Joana Katundi, Dalina Krekas, Elva Lera, Silvana Firanj, Ketiana Papa, Erdi Mallkas dhe Eriona Dëmba, të cilët debatuan rreth temës “Digjitalizimi i sektorit publik do të ulë nivelin e korrupsionit në vend”. Juria e debatit e përbërë nga zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, dr. Benita Stavre, zëvendësdekani i FSHNH, phd. Jordan Jorgji dhe shkrimtari e pedagogu, dr. Eris Rusi bashkë me asistenten e projektit “Debati Universitar”, znj. Jesmina Senga vlerësoi punën e studentëve të të dy skuadrave, të cilat sollën argumentet pro dhe kundër për temat e përcaktuara, duke i ilustruar edhe me shembuj konkretë. Në debatin e liderve tema ishte “Universitetet shqiptare duhet të favorizojnë në renditje aplikantët e angazhuar në veprimtari vullnetare/komunitare”. Siç u shpreh edhe juria ky debat tregoi një përgatitje të shkëlqyer, seriozitetin dhe etikën e studentëve në komunikim, ku gjetën përdorim të mirë gjuha e trupit, si dhe oratoria në argumentimin e fakteve.
Pasi bëri një analizë të detajuar të të gjithë elementëve dhe, duke përgëzuar të dy skuadrat për zhvillimin e një debati shumë përmbajtësor, juria shpalli një skuadër fituese, por që të gjithë studentët do të jenë pjesë e debateve të tjera që do të zhvillohen në fazën e ardhshme në nivel kombëtar, ku do të marrin pjesë 14 institucione, si dhe do të jenë përfitues të mundësive të tjera që do t`iu ofrohen në vazhdim nga SCiDEV. Ashtu si dhe në edicionet e tjera edhe këtë debat e moderoi specialist i Qendrës së Karrierës dhe Alumnit pranë Universitetit “Fan S. Noli”, dr. Romeo Terolli.