Rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello dhe zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, prof. as. dr. Benita Stavre ishin të ftuar në Universitetin Aristoteli të Selanik-ut, ku morën pjesë në tryezën e rrumbullakët me temë: “Inspireurope+” të organizuar nga ky Universitet.
Në qendër të diskutimeve ishte rritja e ndërgjegjësimit të aktorëve kryesorë në Greqi dhe vendet përreth mbi mundësitë për t’u përfshirë në veprimtari që mbështesin studiuesit në rrezik. Gjithashtu u diskutua edhe se cilat janë mënyrat efektive për të mbështetur kërkuesit në rrezik në përpjekjet që ata bëjnë për të vazhduar karrierën e tyre akademike e profesionale në mjedise të sigurta pune në Greqi dhe në pjesën tjetër të Evropës, qoftë në sektorin akademik apo në atë joakademik.
Seminari bëri së bashku akademikë, përfaqësues të IAL-ve, OJQ-ve, përfaqësues kombëtarë/BE, përfaqësues të shoqatave profesionale/industriale dhe studiues në rrezik së bashku me partnerët e tjerë të projektit për të shkëmbyer përvoja, njohuri mbi programet ekzistuese të mbështetjes apo financimit dhe praktikat e mira, si dhe për të promovuar bashkëpunimin në të gjithë Evropën në mbështetje të studiuesve në rrezik.