Në datën 10 tetor 2023 në Universitetin “Fan S. Noli” zhvilloi punimet Konferenca Ndërkombëtare “Edukimi dhe Kujdesi në Fëmijërinë e Hershme”- Sfida dhe perspektiva” e organizuar nga departamenti i Edukimit në bashkëpunim me departamentin e Shkencave të Edukimit, “Giovanni Maria Bertin”, Universiteti i Bolonjës.
Në seancën plenare përshëndeti zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, prof. as. dr. Benita Stavre, e cila i uroi punime të mbara kësaj konferencë edhe në emër të rektorit të Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello.
Më pas, në fjalën e saj dekania e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, prof. as. dr. Jonela Spaho përgëzoi organizatorët, ndërsa theksoi rëndësinë e kësaj konference: “Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se në fëmijërinë e hershme vendosen themelet e krijimit të personalitetit të individit, të krijimit të identitetit të vet personal dhe ngritja e vetëbesimit. Në këtë fazë të jetës përcaktohen themelet e shprehive të tyre dhe krijohen modelet për gjithë jetën. Zhvillimi i kësaj konference me prurjet më bashkëkohore të kërkimit shkencor ndaj kësaj çështjeje, si dhe përvoja e vyer e kolegëve të Universitetit të Bolonjës është një ndihmesë e madhe për t`u ballafaquar me sfidat dhe perspektivat e edukimit të fëmijëve në moshë të hershme, për t‘i pasuruar kurrikulat dhe programet tona, si dhe për t’u ofruar literaturë të specializuar shkencore studentëve tanë”.
Fjalën e mirëseardhjes në këtë konferencë e mbajti përgjegjësja e departamentit të Edukimi, dr. Albina Pajo, e cila falënderoi të gjithë ata që morën pjesë dhe bashkëpunuan në organizimin e saj.
Seanca vijoi punimet me referimin e profesores Federica Zanetti nga Universiteti i Bolonjës me temë: “Prindërimi dhe Teknologjitë Dixhitale”.
Prof. Penelope Papadopoulou, dekane e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Shkencave Humane, në Universitetin e Maqedonisë Perëndimore u paraqit në këtë konferencë me temën: “Edukimi për qëndrueshmëri: Promovimi i aftësive kërkimore te nxënësit e rinj në terren dhe në klasë”.
Pas seancës plenare pjesëmarrësit në auditor, si dhe ata që e ndoqën konferencën online referuan punimet e tyre rreth temës bosht, duke sjellë shembuj të edukimit në fëmijërinë e hershme, të lojës së fëmijëve, zhvillimit të aftësive narrative në moshën parashkollore, zhvillimit të aftësive digjitale, ndikimit të mjedisit në zhvillimin motorik të fëmijëve 3-6 vjeç, të cilësisë së pritjes së fëmijëve me ASD në çerdhët e qytetit të Korçës etj.