Në datën 13 tetor 2025 në bibliotekën e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë u zhvilluan minikonferencat: “Tiparet ballkanike kundrejt tipareve neolatine në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies së dialektit arumun” dhe “Gjeografi të shenjta. Rreth strukturës së vendbanimeve arumune që nisin nga Malet e Pindit”.
Këto minikonferenca u organizuan në kuadër të bashkëpunimit që Universiteti “Fan S. Noli” ka me Universitetin e Bukureshtit, Rumani. Me këtë rast u përurua edhe manuali për mësimdhënien dhe mësimnxënien e dialektit arumun paralelisht dhe në krahasim me gjuhën rumune standarde, ”Carti tră învițare rămănește. Părțăli di propoziție”, Bukureshti 2025, (Libër për të mësuar arumanishten. Pjesët e ligjeratës).
Dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho përshëndeti studentët dhe stafin akademik të pranishëm në këtë veprimtari shkencore, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe kontributin e çmuar të akademikëve të ftuar në bashkëpunimin mes dy institucioneve.
Akademik, prof. dr. Nicolae Saramandu, “Doctor Honoris Causa” i Universitetit “Fan S. Noli” me një veprimtari të pasur akademike evropiane; prof. dr. habil. Manuela Nevaci dhe dr. Irina Floarea nga Instituti i Gjuhësisë dhe Dialektologjisë ”I. Iordan -Al. Rosetti”, Akademia Rumune dhe prof. as. dr. Cătălin Constantin, Universiteti i Bukureshtit.
Në konferencë mori pjesë edhe muzikologu i njohur, z. Pandi Bello.
Me herët akademikët e njohur të shoqëruar edhe nga prof. as. dr. Daniela Stoica u pritën në takim nga dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho, si dhe nga rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi dhe zëvendësrektoret dr. Aida Mosko e prof. as. dr. Lorena Zeqo.
Akad. Nicolae Saramandu gjatë takimit me Rektorin, ka theksuar lidhjet e vjetra historike dhe kulturore midis dy vendeve, miqësinë që gjithmonë ka bashkuar dy popujt vëllezër, popullin rumun dhe atë shqiptar. Ndërkohë biseda u fokusua në bashkëpunimin e suksesshëm të Universitetit “Fan S. Noli” me universitetet rumune dhe zgjerimi i mëtejshëm i tij në të tjera veprimtari e projekte të përbashkëta.
























