VEPRIMTARI PËR 100-VJETORIN E LINDJES SË AKAD. IDRIZ AJETIT

Në datën 30 qershor 2017, Instituti Albanologjik i Prishtinës në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë, organizuan në Prishtinë konferencën shkencore me temë “Profesor Idriz Ajeti në 100-vjetorin e lindjes”, ku morën pjesë studiues dhe pedagogë  nga Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia etj.

Në këtë veprimtari ishte i pranishëm dhe akad. Idriz Ajeti dhe bashkëshortja e tij, Hajrija.

Pas fjalëve përshëndetëse, rektori i Universitetit “Ismail Qemali”, prof. dr. Roland Zisi, i dorëzoi akad. Idriz Ajetit titullin “Doctor Honoris Causa”.

Rektori i Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës, prof. dr. Ali Jashari, pasi u shpreh me fjalë nderimi për prof. Idriz Ajetin (shih më poshtë), i dha atij “Medaljen e Artë” të institucionit me motivacionin: “Akademik dhe profesor i shquar i gjuhësisë shqiptare dhe ballkanike, autor i shumë veprave shkencore dhe teksteve universitare, që ka dhënë ndihmesa të vyera në përgatitjen e mësuesve të shqipes dhe studiuesve të saj, që ka mbrojtur me përkushtim gjuhën e përbashkët shqipe, në shenjë mirënjohjeje të thellë nga pedagogët dhe studentët e filologjisë të Universitetit të Korçës ”.

Prof. dr. ALI JASHARI

 

FJALË NDERIMI PËR AKADEMIK IDRIZ AJETIN

Gjithsekush këtu në sallë mund ta ketë një shtysë për të ardhur në këtë konferencë mbresëlënëse, qoftë për të thënë faqe të tjerëve diçka për akad. Idriz Ajetin, qoftë edhe për të dëgjuar të tjerët në shenjë miradijeje për të.

Edhe unë e kam patur prej kohësh një peng dhe një dëshirë që të shkruaja diçka për profesor Idrizin dhe rasti e solli falë organizimit të kësaj konference nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe ftesës që na bëri prof. Qemal Murati.

Pengu dhe dëshira ime mbetën gjatë të palëvizura, veç të tjerash, edhe për shkak të simpatisë që krijova qyshse isha student i filologjisë, kur pata rastin të dëgjoja nga afër kumtesën e prof. Idrizit për rrugën e zhvillimit të gjuhës letare shqipe në Kosovë mbajtur në Kongresin e Drejtshkrimit në nëntor të vitit 1972 në Tiranë dhe më pas, para pesë vjetësh, kur bashkë me prof. Emil Lafen dhe Gjovalin Shkurtajn ishim në Gjilan për 95-vjetorin e lindjes së prof. Idriz Ajetit.

Idenë e fjalëve që do të them shumë shkurt këtu e kisha krijuar në mendjen time prej kohësh dhe tani mendoj se nuk ishte e rastësishme, paçka se mund të duket e stilit të lartë apo e thënë enkas, siç thuhen fjalët në veprimtari të tilla, pra që Akad. Idriz Ajeti ka krijuar një shkollë të begatë në gjuhësinë shqiptare, por me ndikim mjaft të gjerë.

Siç dihet, shkollat gjuhësore janë krijuar në periudha kthesash të mendimit gjuhësor për shkak të ndryshimeve ekonomiko-shoqërore, ngase studiuesit e një rangu mblidhen e organizohen në rrethe e shkollëza, ose për shkak të mospajtimeve në parime krijuese e metoda me bashkëkohës të tjerë, duke dalë me prurje të reja intelektuale. Dhe më tej, ka raste kur shkollat krijohen post mortum, si ato që lidhen me zhvillimin e ideve të Sosyrit etj. Por kundrimi ynë për shkollën “ajetiane” të gjuhësisë shqiptare nuk është i tillë. Gjithashtu, këndvështrimi ynë u mbështetet dhe në librin e vyer me titull “Idriz Ajeti-Rrapi shekullor”  të prof. Bahtijar Kryeziu dhe Begzad Baliu, që autorët na i dhanë në kohën e duhur, ku, ndër të tjera, ata shkruajnë se “Në rrugën e tij jetëgjatë prej albanologu e ballkanologu, ai ka vazhduar ta ndërtojë shkollën e trashëguar prej brezash në fushë të albanologjisë, ka përgatitur pasardhësit e saj”. Sot mund ta themi me plot gojë se prof. Idriz Ajeti ka krijuar shkollën e tij gjuhësore që ka disa përmasa e tipare, të cilat mund t’i sëravitim si më poshtë:

E para, është shpirti njerëzor. Gjeni një tjetër njeri dijetar si profesor Idrizi. Zëri i tij i butë dhe sytë pas syzeve të qelqta flasin shumë për këtë gjë,

E dyta, është përvoja në arsim, pra në edukim dhe në mësimmdhënie. Profesor Idrizi ka mëkuar më dashurinë për shqipen dhe ka selitur njohuritë për të te shumë e shumë breza nxënësish dhe studentësh, që nga Gjimnazi i Prishtinës, në degën e Albanologjisë të Universitetit të Beogradit dhe sidomos në degën e gjuhës dhe letërsisë të Fakultetit të Filozofisë në Prishtinë.

Por ajo që e bën veprën e profesor Idrizit të quhet shkollë, në kuptimin e plotë të fjalës, është përmasa shkencore. Atij i është dashur të lëvrojë për herë të parë aq shumë fusha të letrave, si asnjë tjetër gjuhëtar, duke sjellë botime themelvënëse apo kritika shkencore për mjaft syresh. Mjaft prej këtyre veprave janë bërë objekte të kumtesave dhe artikujve në shumë konferenca dhe veprimtari, siç është dhe kjo e sotmja, por po i përmendim shkurt për të krijuar një ide të plotë, si: histori e gjuhës shqipe, gramatikë historike, dialektologji, drejtshkrim, kulturë gjuhe, histori e albanologjisë, onomastikë, ballkanistikë, sllavistikë etj., që prof. Idrizi i ka lëvruar në mbi 24 vepra e përmbi 160 artikuj e studime.

Përmasa shkencore e shkollës ajetiane në gjuhësinë shqiptare plotësohet edhe me diçka tjetër të rëndësishme, me përvojën e tij drejtuese si drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, dekan i Fakultetit Filozofik të Prishtinës, rektor i Universitetit të Prishtinës dhe kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Ksovës.

Duke qenë në drejtim të institucioneve më të rëndësishme shkencore për albanologjinë në Kosovë, ai mundi të sendërtojë më së miri në botimet shkencore të gjuhësisë shqiptare (qoftë edhe periodike) parime të qenësishme krijuese dhe metoda të mirëfillta shkencore (nuk është i rastit fakti që në shumicën e veprave kolektive dhe kodifikuese profesor Idrizi është kryeredaktor a redaktor përgjegjës), si dhe nismëtar e mbështetës për shumë veprimtari të rëndësishme shkencore, që sot mund të quhen dhe realizime konkrete të shkollës ajetiane të gjuhësisë shqiptare. Qysh 40 vjet më parë akad. Rexhep Qosja ka shkruar “Nuk mund të flitet sot për rritjen e mendimit shkencor, në mënyrë të veçantë për rriten e mendimit tonë shkencor në fushën e albanistikës, e mos të flitet për rolin vendimtar që në këtë pikëpamje ka luajtur profesor Idriz Ajeti si pedagog, si organizues, si iniciator, si drejtues i një vargu iniciativash, aksionesh dhe institucionesh. Ai është, gjithsesi, një prej edukatorëve të parë dhe të përkushtuar të kuadrove të reja shkencore gati në të gjitha disiplinat e albanistikës”.

Por, më në fund, që të quhet e tillë, shkolla duhet të ketë ndjekës, përkrahës, pasardhës, idhtarë, “nxënës”. Unë mendoj se ka shumë ndjekës, një pjesë e të cilëve janë sot në këtë sallë, të tjerë janë në Tiranë dhe në gjithë shkollat shqiptare, në Prishtinë, Beograd, Tetovë, Shkup e gjetiu.

Profesor Idriz Ajetit i kanë të gjithë një borxh intelektual, që shumëkujt mund t’i mbetet i tillë për tërë jetën, kurse të tjerë e kthejnë në mirënjohje të përhershme, siç është dhe kjo veprimtari kaq domethënëse, ndaj dhe jam shumë i lumtur që në emër të Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës ta nderoj akad. Idriz Ajetin me “Medaljen e Artë” të institucionit.

Faleminderit!

 

 

 

 

Harta e Vendodhjes

Kontakt

Rektori
Prof. dr.  Ali Jashari

Tel. : +355 822 42230
         +355 822 42580

e-mail:  ajashari@unkorce.edu.al
            alijashari@yahoo.com
            rektorati@yahoo.com

Sekretarja e Rektorit
Megi Pashko

Tel. : +355 822 42230
e-mail: megipashko@yahoo.com
        rektorati@yahoo.com

Zv. Rektore për mësimin
Prof. as. dr.  Majlinda Bello

Tel. : +355 822 42580
e-mail: mbello@unkorce.edu.al
            rektorati@yahoo.com

Zv. Rektore për shkencën dhe projektet
Dr. Erinda Papa

Tel: +355 822 42580
e-mail: erindapapa@yahoo.com

Administrator i Universitetit

Msc. Enslemvera Zake (Furxhi)
Tel: +355 822 43609
e-mail: eni_furxhi@yahoo.com

Te gjitha kontaktet