Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

ZHVILLOI PUNIMET KONFERENCA SHKENCORE “STUDIME SEMANTIKE NË FUSHËN E LEKSIKUT DHE TË FJALËFORMIMIT NË GJUHËN SHQIPE” E ORGANIZUAR NGA DEPARTAMENTI I LEKSIKOLOGJISË, I TERMINOLOGJISË DHE I GJUHËSISË SË ZBATUAR, NGA DEPARTAMENTI I GRAMATIKËS DHE HISTORISË SË GJUHËS, PRANË INSTITUTIT TË GJUHËSISË DHE TË LETËRSISË, ASA, NË BASHKËPUNIM ME DEPARTAMENTIN E GJUHËS DHE TË LETËRSISË, UNIVERSITETI “FAN S. NOLI”

Në datën 12 korrik 2022, zhvilloi punimet Konferenca shkencore “Studime semantike në fushën e leksikut dhe të fjalëformimit në gjuhën shqipe” (Kontribute të personaliteteve gjuhësore Androkli Kostallari, Enver Hysa, Hajri Shehu), organizuar nga Departamenti i Leksikologjisë, i Terminologjisë dhe i Gjuhësisë së Zbatuar, nga Departamenti i Gramatikës dhe Historisë së Gjuhës, pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës dhe të Letërsisë, pranë Universitetit të Korçës “Fan S. Noli”.

Konferenca përudhi realizimin e një projekti madhor 5-vjeçar të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë për studime përfshirëse në fushën e studimeve për semantikën, të cilat sot janë në pikun e tyre, dhe i përqendroi punimet në vlerësimin e veprës e të punës së akademik Androkli Kostallarit, të prof. Enver Hysës e të prof. Hajri Shehut, që në fushën e semantikës së shqipes janë të shumat dhe themelvënëse në konsolidimin e saj si shkencë e mirëfilltë.

Konferenca i zhvilloi punimet në një seancë plenare dhe në dy sesione: Seksioni I: “Studime rreth veprës së Androkli Kostallarit”, “Studime rreth veprës së Enver Hysës; Sesioni II: “Studime rreth veprës së Hajri Shehut”.

Morën pjesë me kumtesa studiues nga Akademia e Studimeve Albanologjike, nga Universiteti i Korçës “Fan Noli”, nga Universitetit i Tiranës, nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, nga Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”, nga Shoqata e gjuhës shqipe, Tiranë etj.

Punimet i hapi prof. dr. Valter Memisha, i cili ndër të tjera informoi se Konferencën e përshëndesin personalitete të gjuhësisë shqiptare dhe të institucioneve shkencore, si prof. dr. Emil Lafe, prof. dr. Ylber Sela (Agjencia e Zbatimit të Gjuhëve, Shkup), prof. dr. Ludmila Buxheli etj. Ai lexoi dhe Fjalën përshëndetëse të akademikut Jani Thomai, i cili vlerësonte në tërësinë e vet punën e ndihmesën shkencore të tri personaliteteve. Valter Memisha përshëndeti Konferencën dhe në emër të Rektoratit të Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Më pas e mori fjalën drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, prof. dr. Artur Lama, i cili u ndal në një vështrim të thukët në përmbajtjen e projektit 5-vjeçar “Kahe, koncepte dhe metodologji në Semantikën gjuhësore”, përgatitur nga drejtuesit e projektit nën udhëheqjen e prof. dr. Tomorr Plangarica.

Kumtuesit u ndalën gjerësisht në çështje të ndryshme të produktit shkencor dhe të veprimtarisë së tri personaliteteve dhe përmes vështrimeve përgjithësuese apo atyre analizuese, vlerësuan dhe një herë ndihmesën e jashtëzakonshme shumëdimensionale të akademikut A. Kostallari, por dhe të dy profesorëve, Enver Hysa dhe Hajri Shehu në gjuhësinë bashkëkohore shqiptare dhe drejtpërdrejt në semantikën leksikore, morfologjike, sintaksore etj. të shqipes.

Në fund të punimeve të Konferencës e morën fjalën prof. dr. Enver Hysa dhe prof. dr. Hajri Shehu, të cilët falënderuan kumtuesit për vlerësimin e punës së tyre si dhe Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë si organizator i Konferencës.

Leave a Reply