Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” ZHVILLOI CEREMONINË TRADICIONALE TË FILLIMIT TË VITIT TË RI AKADEMIK 2023-2024

Në datën 2 tetor 2023 në Universitetin “Fan S. Noli” u zhvillua ceremonia tradicionale e fillimit të vitit të ri akademik 2023-2024. Ceremonia nisi me nderimin e Himnit tonë Kombëtar.

Në përshëndetjen e tij për fillimin e vitit të ri akademik, rektori, prof. dr. Dhimitri Bello iu drejtua të gjithë të pranishmëve: “Është nder dhe kënaqësi për mua të uroj çdonjërin për suksese të mëtejshme, me bindjen e plotë se këto suksese do të jenë të sigurta dhe të merituara. Një përshëndetje e veçantë për të gjithë studentët dhe në veçanti për studentët e rinj: “Mirësevini në Universitetin “Fan S. Noli” në Universitetin Tuaj”. Ai i përgëzoi ata për zgjedhjen e bërë ndërsa i siguroi se në këtë Universitet do të gjejnë gjithçka që u duhet për t`u bërë nesër profesionistë të aftë: “Çdo fillim është i vështirë, por fillimi ynë është i mbushur me energji rinore, me pritshmëri dhe shpresa për përjetime dhe emocione pozitive, njohuri të dobishme për shoqërinë dhe sukses të merituar kudo.”

Gjithashtu, rektori solli në vëmendje edhe një sërë bashkëpunimesh të suksesshme ndërinstitucionale që Universiteti ynë ka nënshkruar gjatë vitit të kaluar akademik, si dhe veprimtaritë akademike, shkencore, ndërgjegjësuese, kulturore e sportive në të cilat studentët tanë kanë marrë pjesë, dukë përfaqësuar denjësisht veten dhe institucionin.  

Në këtë ceremoni, ishin të pranishëm pedagogë, studentë, përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë të Qarkut Korçë, përfaqësues të komuniteteve fetare, familjarë të studentëve etj.

Fillimin e këtij viti akademik e përshëndetën më pas edhe Ministri i Mbrojtjes, z. Niko Peleshi, prefekti i Korçës, z. Nertil Jole, Kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Erjon Nexhipi,  zëvendëskryetarja e Bashkisë Korçë,  znj. Benila Themeli, të cilët uruan suksese të mëtejshme për stafin dhe studentët, për të ngritur gjithmonë e më lart emrin e Universitetit “Fan S. Noli”.

Pas ceremonisë, studentët u drejtuan në fakultete. Ata u njohën me stafin akademik dhe u orientuan në auditorët përkatës, ku do të zhvillojnë procesin mësimor për këtë vit akademik që sapo ka nisur.

Leave a Reply