Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

PËRFAQËSUES TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” DHE STUDENTË MORËN PJESË NË TRAJNIMIN ME TEMË: “VERIFIKIMI I FAKTEVE DHE RËNDËSIA E LIGJIT PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT E ORGANIZUAR NGA ORGANIZATA “FAKTOJE”

Në datën 2 tetor 2023, përfaqësues të Universitetit “Fan S. Noli” dhe studentë morën pjesë në trajnimin me temë: “Verifikimi i Fakteve dhe rëndësia e ligjit për të Drejtën e Informimit” organizuar në qytetin e Korçës nga organizata “Faktoje”.

Në takimin me fokus transparencën dhe informimin e saktë të publikut morën pjesë gazetarë, koordinatorë të institucioneve publike shtetërore, përfaqësues të shoqërisë civile dhe studentë, të cilët u njohën me mënyrën se si Institucionet duhet të bëjnë transparencë dhe media duhet t’i nxisë ato të bëjnë llogaridhënien ndaj qytetarëve. Jo gjithmonë procesi i kërkimit dhe i dhënies së informacionit është i thjeshtë.

Gjatë trajnimit të organizuar nga “Faktoje” të pranishmit ndanë përvojat e tyre, duke e vënë theksin te rëndësia e këtyre takimeve informuese mes palëve, si mënyrë për të diskutuar dhe për të përmirësuar procesin e përcjelljes së informacionit.

“Çdo punonjës i administratës publike ngarkohet me përgjegjësi për shkelje të Ligjit Për të Drejtën e Informimit. Moszbatimi i vendimit të Komisionerit përbën kundërvajte administrative dhe sanksionohet me gjobë” tha ndër të tjera drejtoresha e Përgjithshme për të Drejtën e Informimit, znj. Elona Hoxhaj.

Ndërsa eksperti i medias, njëkohësisht avokat, z. Dorian Matlija bëri të ditur se në rreth 90% të rasteve janë marrë përgjigje nga kërkesat për informacion që janë dërguar në drejtim të institucioneve publike.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri, z. Reinout Vos, i cili theksoi rëndësinë që ka e vërteta në shoqërinë e sotme.

Leave a Reply