Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” SHPALLET KAMPION PËR HERË TË DYTË I KAMPIONATIT UNIVERSITAR NË VOLEJBOLL PËR FEMRA

Në datat 31 janar-1 shkurt 2024 studentët e Universitetit “Fan S. Noli” dhe pedagogë të tyre morën pjesë në Kampionatin Kombëtar të Sporit Universitar, i cili u zhvillua në qytetin e Durrësit.

Universiteti ynë u përfaqësua në këtë kampionat me ekipin e volejbollit-vajza dhe ekipin e futbollit-djem.

Ekipi i volejbollit të vajzave u shpall kampion për herë të dytë i Kampionatit Universitar në volejboll për femra, duke fituar sërisht të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Lojrat Europiane Universitare që do të zhvillohen në muajin korrik 2024 në Hungari.

Në përgjithësi në të gjitha përballjet, por në veçanti në finalen e luajtur përballë ekipit të Universitetit “Marin Barleti” vajzat bënë një lojë të shkëlqyer, duke përcjellë emocione të forta edhe për të gjithë ata që ishin duke e ndjekur nga afër këtë përballje një ndër më të bukurat e këtij kampionati, e cila u mbyll me rezultatin 2-1 për Universitetin tonë.

Përgëzime vajzave dhe pedagogëve të tyre që me përgatitjen serioze dhe të përkushtuar arritën të mbajnë kreun e renditjes në këtë kampionat, duke u përfaqësuar denjësisht në këtë kompeticion, e duke i sjellë Univesitetit “Fan S. Noli” një tjetër trofe të merituar plotësisht.

Z. Besnik Veliu, Presidenti i Federatës Shqiptare të Sportit Universitar, e cila organizoi këtë veprimtari sportive përgëzoi të gjitha ekipet finaliste dhe në veçanti uroi për fitoren volejbollistet e Univesittei tonë, gjatë ceremonisë së shpërndarjes së vlerësimeve. Gjithashtu, ai u shpreh se Federata dhe Universitetet do të mbështesin gjithmonë studentët që e duan dhe e vlerësojnë sportin, duke i angazhuar në të tilla veprimtari.

Leave a Reply