Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

UNIKO MES 18 UNIVERSITETEVE PARTNERE NË PROJEKTIN “ZHVILLIMI I CILËSISË NË BASHKËPUNIMIN NDËRKOMBËTAR DHE MENAXHIMIN E PROJEKTEVE” (QUADIC)

Nga data 11-14 shkurt 2020, në Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit (UKZ) u zhvillua takimi i parë në kuadër të projektit “Zhvillimi i cilësisë në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe menaxhimin e projekteve” (QUADIC), i cili koordinohet nga ky universitet dhe mbështetet nga BE në kuadër të programit Erasmus +. Në takim morën pjesë përfaqësues të 18 universiteteve partnere në këtë projekt. Në fjalën e hapjes rektori i UKZ, prof. as. dr.  Bajram Kosumi, i njohu pjesëmarrësit me infrastrukturën, veprimtarinë dhe strategjinë e zhvillimit të Universitetit. Më pas, takimin e përshëndetën dhe rektorë të universiteteve partnere në projekt, kryetari i bashkisë së Gjilanit, përfaqësues të zyrave të BE-së dhe të Erasmus + në Kosovë etj.

Në nisjen e punimeve të workshopit, zëvendësrektori i UKZ, prof. as. dr. Dukagjin Leka shprehu kënaqësinë për këtë projekt madhor, ku të gjithë partnerët do të japin kontributin e tyre në zbatimin e tij. Ai prezantoi 10 paketat e punës që do të zhvillohen në harkun kohor të tre viteve, të cilat përfshijnë tryeza të rrumbullakëta, trajnime, krijimin e një software të konsorciumit etj. Takimi vijoi me prezantimet nga universitetet partnere, ku UNIKO u përfaqësua nga zëvendësrektorja për kërkimin dhe shkencën, dr. Erinda Papa. Ajo bëri një prezantim të veprimtarisë së Universitetit “Fan S. Noli” në lidhje me ndërkombëtarizimin dhe u shpreh se ndërkombëtarizimi dhe zhvillimi i projekteve janë fushat në të cilat edhe UNIKO duhet të punojë, duke u orientuar drejt standardeve që kanë universitetet e BE-së, gjë e cila do të ndikojë dukshëm në rritjen e cilësisë në arsim. Gjatë katër ditëve të takimit pjesëmarrësit prezantuan praktikat më të mira të universiteteve në Kosovë, Shqipëri dhe Evropë.

Leave a Reply