U ZHVILLUA NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” FORUMIN AKADEMIK: “PROF. FEHMI AGANI – AKADEMIKU MARTIR I KOMBIT DHE I SHKENCËS”, NË KUADËR TË JAVËS SË KOSOVËS (12-19 QERSHOR-NË 25-VJETORIN E ÇLIRIMIT (19999-2024)

Në datën 18 qershor 2024 u zhvillua në Universitetin “Fan S. Noli” Forumi Akademik: “Prof. Fehmi Agani – Akademiku Martir i Kombit dhe i Shkencës”, në kuadër të Javës së Kosovës si një seri veprimtarish të zhvilluara në disa universitete të Shqipërisë.

Organizatorë të këtij Forumi ishin: Universiteti “Fan S. Noli”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Instituti Shqiptar i Sociologjisë-Shoqata Sociologjike Shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Diasporë).

Në fjalën e saj prof. as. dr. Benita Stavre, zëvendësrektor për shkencën dhe projektet, UNIKO falënderoi organizatorët për vëmendjen që këtë Forum e sollën edhe në Universitetin tonë, një universitet që ka krijuar lidhje domethënëse akademike, por edhe njerëzore me Universitetet e Prishtinës, Prizrenit, Mitrovicës, Gjilanit, Gjakovës, Pejës dhe së fundmi edhe me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Ajo e vlerësoi këtë veprimtari edhe për faktin se në fokus të vet ka figurën e rëndësishme të kombit tonë, prof. Fehmi Aganin një figurë shumëdimensionale. “Akademizmi i tij e radhit ndër krerët e njohësve të shoqërisë, politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare të kombit shqiptar. Ndërkohë që ndjesia e tij e fortë e radhit ndër mendimtarët dhe luftëtarët që vendosën kornizat kombëtare mbi Deklaratën për Pavarësi dhe Kushtetutën e Kosovës”.

Më pas takimi vijoi me referimin me temë: “Kosova në 25-vjetorin e Lirisë (1999-2024) mbajtur nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Sh.T.Z. Skënder Durmishi.

Pedagogia e UNIKO, prof. dr. Irena Nikaj njëkohësisht edhe kryetare e Degës Rajonale të AIS-ALBSA referoi temën: “Martirët e Kosovës dhe personaliteti poliedrik i prof. Fehmi Aganit”.

Kulturologia dhe gazetarja e RTSH-së, znj. Kozeta Hoxha solli për të pranishmit temën: “Kosovës-një Çmim Nobel për Heroizëm”.

Prof. dr. Lekë Sokoli, Instituti Shqiptar i Sociologjisë & UAMD referoi: “Jetët Paralele të Heronjëve të Kosovës”, ndërkohë që vlerësoi Universitetin “Fan S. Noli” me Çmimin e Ekselencës “Fehmi Agani” me këtë motivacion:

“Universitetit “Fan S. Noli” për kontributin historik, nga themelimi i ILB në vitin 1972 e në vijim, në edukimin shkencor dhe me frymën e atdhetarisë”.

Previous Post
PYETESORI STUDENTOR 2024
Next Post
“TË RINJTË PËR NJË SHOQËRI GJITHËPËRFSHIRËSE”-PROJEKTI QË SYNON TË NDËRTOJË KOMUNITETE GJITHËPËRFSHIRËSE
Postimet e fundit