Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

INVESTIMET NË INFRASTRUKTURËN E KËRKIMIT SHKENCOR, PROGRAMI I RI I STUDIMIT NË “INXHINIERI INFORMATIKE”, SI DHE PLANI STRATEGJIK, QË SYNON PROFILIZIMIN DHE NDËRKOMBËTARIZIMIN E UNIVERSITETIT ISHIN NË QENDËR TË VIZITËS QË MINISTRJA E ARSIMIT DHE SPORTIT, ZNJ. OGERTA MANASTIRLIU DHE MINISTRI I MBROJTJES, Z. NIKO PELESHI ZHVILLUAN NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”

Investimet në infrastrukturën e kërkimit shkencor, programi i ri i studimit në “Inxhinieri Informatike”, që do të hapet vitin e ri akademik në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, si dhe plani strategjik, që synon profilizimin dhe ndërkombëtarizimin e Universitetit ishin në qendër të vizitës që ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu dhe ministri i Mbrojtjes, z. Niko Peleshi zhvilluan në Universitetin “Fan S. Noli”.

Fillimisht Ministrja pa nga afër mjediset e Bibliotekës Shkencore të Universitetit, ku sapo ka përfunduar projekti për digjitalizimin e fondit të Bibliotekës së Universitetit “Fan S. Noli”, një projekt i financuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI).

Më pas, ajo vizitoi Qendrën për Formimin e Vazhduar, ku foli për modulet e reja me modele praktike dhe metoda efektive të mësimdhënies, duke përfshirë pedagogjinë por edhe metoda inovatore.

Gjatë takimit që u zhvillua më pas me rektorin, prof. dr. Dhimitri Bello, zëvendësrektorë, dekanë, shefa të departamenteve dhe pedagogë të Universitetit “Fan S. Noli” u theksua se Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e ofertës akademike dhe kapaciteteve në Universitetin e Korçës, duke synuar profilizimin e këtij Universiteti. Ministrja Ogerta Manastirliu ndër të tjera u shpreh: “Vullneti ynë i përbashkët na ka drejtuar në vendimmarrjen për të pasur një analizë të vërtetë të gjithë aspekteve, të cilat lidhen me programet e studimit dhe kapaciteteve të stafit në Universitetin e Korçës. Për ta bërë ofertën atraktive sigurisht kemi nevojë që të rrisim kapacitetet tona në lidhje me kërkimin shkencor por edhe sa i përket kapaciteteve vetë akademike, që Universiteti të mundet të ketë të gjitha ciklet e studimit dhe mbi të gjitha edhe shkollat doktorale”.

Ministrja shtoi se këto janë hapat e një plani strategjik për zhvillimin e Universitetit, i cili do të përfshijë hapa konkretë për përmirësimin e programeve të studimit, adaptimin e ofertës akademike me kërkesat e tregut dhe zhvillimin rajonal, si dhe zhvillimin e kapaciteteve akademike, kërkimore dhe infrastrukturore të Universitetit.

Në këtë kuadër, theksi u vu edhe në rëndësinë e ndërkombëtarizimit të ofertës universitare, me synimin për të tërhequr më shumë studentë dhe stafe nga jashtë dhe për të ofruar programe studimi që përputhen me standardet evropiane. Për këtë qëllim, Universiteti “Fan S. Noli” ka nisur bashkëpunime me institucione të tjera arsimore, dhe më i afërti është ai me Universitetin Politeknik të Tiranës në bashkëpunim me të cilin do të hapet programi i ri i studimit në “Inxhinieri Informatike”.

Ministrja Ogerta Manastirliu dëgjoi edhe idetë dhe sugjerimet e pedagogëve të këtij Universiteti.

Leave a Reply