Në datën 15 shkurt 2024 një delegacion i përbërë nga staf akademik dhe studentë të Kolegjit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Tiranë vizitoi Universitetin “Fan S. Noli”.
Delegacioni u prit nga zëvendësrektori për mësimin, dr. Arto Adili, i cili i njohu ata me veprimtarinë që zhvillon Universiteti ynë, me programet e studimit, veprimtarinë jashtëkurrikulare etj.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Kolegjit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, pasi falënderuan Universitetin për pritjen u shprehën se misioni i këtij Kolegji është edukimi dhe kualifikimi i personelit ushtarak e civil nëpërmjet programit mësimor, në nivelet e larta të drejtimit të Forcave të Armatosura dhe të institucioneve të tjera të sigurisë kombëtare, për përdorimin kreativ dhe me efikasitet të elementëve të fuqisë kombëtare në kohë paqe, krize dhe lufte, si dhe arsimimin e liderve civilë e ushtarakë të vendeve partnere dhe të NATO-s.
Gjatë takimit pati pyetje dhe diskutime edhe për bashkëpunime të ndryshme midis dy institucioneve.
Më pas, delegacioni nga Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë vizitoi mjediset e Universitetit.
Në Bibliotekën Shkencore ata u njohën me procesin e digjitalizimit të saj, si dhe panë me mjaft interes disa nga materialet e Fondit Nolian që ndodhet i ekspozuar në mjediset e kësaj biblioteke.