“GJUHA GREKE: URË E KULTURAVE NË TË SHKUARËN DHE TË SOTMEN” ISHTE TEMA E SIMPOZIUMIT TË ZHVILLUAR NË MJEDISET E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” NË KUADËR TË DITËS NDËRKOMBËTARE TË GJUHËS GREKE

12 shkurt 2025-Simpoziumi u organizua nga Zyra e Koordinatorit të Arsimit, në bashkëpunim me departamentin e Gjuhës dhe të Letërsië, UNIKO dhe Institutin e Gjuhës Greke “Timenos” të Universitetit të Maqedonisë Perëndimore.

Takimin e përshëndeti fillimisht rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, duke e vlerësuar atë si thelbin e bashkëpunimit akademik dhe dialogut kulturor, i cili bëri bashkë studiues nga Universiteti i Maqedonisë Perëndimore, Universiteti Aristoteli dhe pedagogë të Universitetit “Fan S. Noli”.

“Ky simpozium është një dëshmi e bashkëpunimit akademik që ka ardhur në rritje përmes studimeve të ndërsjella dhe projekteve të përbashkëta. Në këtë frymë edhe marrëdhëniet midis UNIKO me të dy këto universitete kanë qenë një model i këtij bashkëpunimi. Do të dëshironim ta zgjeronim bashkëpunimin me universitetet greke kjo në kuadër të projekteve evropiane, mobiliteteve të profesorëve, stafit e studentëve, duke shpresuar në të ardhmen edhe në diploma të përbashkëta, të dyfishta në të tre ciklet”.

Më pas, përshëndeti takimin edhe zëvendësrekorja e Universitetit të Maqedonisë Perëndimore, prof. Eleni Griva, e cila referoi në këtë simpozium edhe temën: “Kontributi historik i gjuhës greke dhe sfidat/perspektivat për forcimin e saj në hartën botërore”.

Punime të mbara i uruan këtij simpoziumi edhe Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Korçë, z. Nikolaos Yotopoulos dhe Koordinatori i Arsimit për Shqipërinë pranë kësaj Konsullate,  z. Georgios Mpestias.

Dekania e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, UNIKO, prof. as. dr. Jonela Spaho përshëndeti takimin ndërsa referoi më pas temën: “Poeti grek Jannis Ricos dhe kontributi i tij në letërsinë botërore”.

Profesore Emeritus Anna Anastasiadi-Symeonidi nga Universiteti Aristoteli, Selanik referoi për të pranishmit temën: “Gjuha greke e lashtë dhe terminologjia shkencore ndërkombëtare”.

Takimi, ku merrnin pjesë edhe stafi pedagogjik e nxënës të shkollës greke “Omiros” në Korçë vijoi me referatën e përgjegjësit te departamentit të Gjuhës dhe të Letërsisë, UNIKO prof. as. dr. Eris Rusi me temën: “Një botë midis dy kulturave: Jehonat e poezisë femërore greke në gjuhën shqipe”, Prof. as. Eleni Korosidu u prezantua në këtë simpozium me temën: “Forcimi i mësimdhënies së greqishtes në mjediset digjital: materiale dhe aplikacione për nxënës të moshës  së vogël”.

Punimet e këtij simpoziumi vijuan me temën: “Nikos Kazantzakis: Jeta dhe vepra e tij letrare”, nga pedagogu i UNIKO, dr. Ilir Shyta, ndërsa më pas kandidatja për titullin Doktor në Universitetin e Maqedonisë Perëndimore, Chrysanthi Markou referoi temën: “Krijimi i “urave” ndërkulturore digjitale midis shkollave dy-gjuhëshe “Omiros” dhe shkollës eksperimentale të fillore të Follorinës.

Veprimtaria u shoqërua edhe me poezi të poetëve grekë, të interpretuara dhe të shoqëruara me nota muzikore nga nxënës të shkollës greke “Omiros”.

Previous Post
BASHKËPUNIMI AKADEMIK DHE PROGRAM I PËRBASHKËT DOKTORATURE ISHIN QËLLIMI I TAKIMIT TË ZHVILLUAR MIDIS PËRFAQËSUESEVE TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”, UNIVERSITETIT “ALEKSANDËR MOISIU”, DURRËS DHE UNIVERSITETIT “MAGNA GRAECIA” TË CATANZARO-S, ITALI
Next Post
Thirrje për pjesëmarrje në Konferencën e parë Ndërkombëtare në Shkenca Kompjuterike dhe në Teknologji Informacioni (CSIT 2025)