RETH FAKULTETIT
Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane e zhvillon veprimtarinë akademike dhe shkencore, në dy godina, godina tek ish-divizioni dhe godina ekzistuese e shkollës së infermierisë.
Struktura e godinave përbëhet nga: 1 amfiteatër, 6 salla leksionesh, 8 salla seminaresh; 12 laboratorë përkatësisht: 2 laboratorë biologjie dhe kimie, 1 laborator fizike, 2 laboratorë informatike, 1 laborator obstetrikë-gjinekologji, 2 laboratorë anatomo-fiziologji, 3 laboratorë infermieristikë dhe 1 laborator kirurgjikal.
Në godinë gjenden edhe biblioteka, salla e informatikës, sekretaria mësimore, selitë e departamenteve, zyra dhe arkivi, mjedise për studentët etj.
Në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane mbajnë leksione dhe zhvillojnë veprimtari personalitete diplomatike, shkencore dhe letrare brenda dhe jashtë vendit. Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane organizon simpoziume shkencore, konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe seminare shkencore.
Gjithashtu,ky fakultet boton përmbledhje me materiale nga konferenca, nga simpoziumet, monografi etj. që pasurojnë buletinin shkencor të tij. Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane organizon veprimtari të ndryshme kulturore, promovuese dhe shkencore me stafin akademik, studentët dhe komunitetin.
INFORMACIONET E FAKULTETIT:
Adresa:
Rruga ‘Nënë Tereza’, ish-divizioni, Korçë, Shqipëri, 7001
Tel: +355822 7922
Email: fshkencave@unkorce.edu.al
Orari Mësimor:
MISIONI DHE VIZIONI
Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane funksionon mbi bazën e parimeve universitare europiane, standardeve të cilësisë në fushën akademike dhe kërkimore. Misioni parësor i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane është përgatitja dhe formimi cilësor i studentëve në të gjitha ciklet e studimit si dhe kërkimi shkencor në fushat përkatëse.
Mësimdhënia mbështetet mbi kërkimin shkencor dhe formimin profesional të pjesëtarëve të stafit akademik të FSHNH. Ajo reflekton një standard të lartë të cilësisë duke kultivuar kompetencën në programet e studimit, duke nxitur kërkimin shkencor në fushat përkatëse të studimit, duke e familjarizuar studentin me metodat shkencore dhe duke i prezantuar atij mënyrën e të menduarit dhe të kërkimit shkencor.
Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Humane synon të përmbushë misionin e tij, konform Statutit të Universitetit dhe legjislacionit në fuqi mbi arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, në nivelin cilësor më të lartë të mundshëm. Kështu, FSHNH bazohet dhe vepron mbi parime, por merr edhe masat e nevojshme për të vepruar në mënyrë fleksibël dhe të arsyeshme përballë nevojave dhe detyrave në modifikim të vazhdueshëm.