Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

FAKULTETI I EDUKIMIT DHE FILOLOGJISË ORGANIZOI NJË VEPRIMTARI NË TË CILËN U PROMOVUA ROMANI MË I RI I SHKRIMTARES RITA PETRO: “LINDUR SË PRAPTHI”

Në datën 11 dhjetor 2023 në mjediset e Bibliotekës Shkencore të Universitetit “Fan S. Noli”, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë zhvilloi një veprimtari në të cilën u promovua romani i shkrimtares Rita Petro: “Lindur së prapthi”.

Në këtë takim ishin të pranishëm pedagogë e studentë të këtij Fakulteti, si dhe nxënës të shkollave të mesme të qytetit të Korçës.

Në fjalën e hapjes pedagogu, dr. Eris Rusi përgëzoi autoren për këtë roman që sipsa tij është një rrëfim i letrarizuar i ngjarjeve jetësore të vetë autores. Libri ilustron përplasjen dhe bashkëjetesën e ndjesive, dëshirave, realiteteve, të ushqyera nga dy botëkuptime në përplasje me njëri-tjetrin.

Për librin dhanë vlerësimet e tyre edhe përgjegjësja e departamentit të Gjuhës dhe të Letërsisë, prof. as. dr. Anyla Saraçi dhe pedagou, dr. Ilir Shyta, i cili foli edhe për jetën dhe veprën e poetes Petro.

Autorja Rita Petro falënderoi organizatorët e kësaj veprimtarie dhe u shpreh se bashkëbisedimi intim me lexuesin nis që në rreshtat e parë të librit, sepse janë pikëtakimet me mendimet dhe kujtimet e fshehta që shumica e njerëzve i mban brenda vetes. “Ky libër më ka dhënë emocione të jashtëzakonshme. Kam bashkëbiseduar gjatë me Ritën e vogël, kam qeshur dhe kam qarë me të. Sigurisht dhe me Ritën adoleshente. Kur shkruan kujtime dhe fillon mendon për ato, të vjen një lum i madh prej tyre. Problemi është si t’i seleksionosh kujtimet, si t’i vendosësh në qëllim të rrëfimit tënd. Jo çdo kujtim vlen për romanin. Unë kisha idetë e mia në kokë, si dhe qëllimet që të nxirrja të gjitha fenomenet negative të diktaturës përmes syrit të fëmijës, përmes mendimeve të fëmijës dhe adoleshentes”.

Më pas të pranishmit lexuan pjesë nga romani “Lindur së prapthi”, si dhe i drejtuan autores pyetje rreth tij.

Leave a Reply