Në datën 2 qershor 2022 studentët e programit Bachelor në “Financë-Kontabilitet” morën pjesë në një leksion të hapur me temë “Operacionet e Bankave Tregtare” në lëndën “Tregjet dhe Institucionet Financiare”. E ftuar ishte msc. Ediola Dama, ish-studente e këtij , e cila prej 16 vitesh është shefe e shërbimit dhe arkës në Raiffeisen Bank, Korçë. Sipas pedagoges së lëndës, dr. Klaudeta Merollari, ky leksion i hapur ka për qëllim konkretizimin e njohurive teorike që studentët kanë marrë gjatë zhvillimit të lëndës për bankat si institucione financiare. Studentët u njohën me produktet, shërbimet që Raiffeisen Bank ofron (depozitat, kartat e kreditit) dhe operacionet e bankës në tregjet financiare (investimet në bono thesari, obligacione etj).
Ata u përfshinë në diskutime dhe bënë pyetje në lidhje me mënyrën se si bankat i ofrojnë këto shërbime, duke sjellë edhe shembuj konkretë. Gjithashtu u diskutua për sigurinë e transfertave bankare, për shërbimin e-banking dhe luftën kundër pastrimit të parave. Studentët treguan interes edhe për fondet e investimeve dhe fondin e pensioneve vullnetare të Raiffeisen Bank.
Në përfundim të takimit studentët falënderuan znj. Dama për informacionet, mendimet dhe sygjerimet që ajo solli nëpërmjet përvojës së saj si ish-studente e këtij Universiteti dhe sot si një profesioniste në këtë fushë.
Në datën 30 maj 2022, Universiteti “Fan S. Noli” dhe Instituti i Edukimit, Tashëgimisë dhe Turizmit lidhën marrëveshje bashkëpunimi mes tyre. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga rektori, prof. dr. Dhimitri Bello dhe prof. as. dr. Ramiz Zekaj, Drejtor Ekzekutiv i IETT. Gjatë takimi të zhvilluar mes përfaqësuesve të të dy institucioneve u theksua se qëllimi është bashkëpunimi në veprimtari akademike, sociale, kulturore dhe për t`i ardhur në ndihmë shoqërisë në tërësi dhe rinisë në veçanti. Në fjalën e tij ndër të tjera Rektori shprehu bindjen se kjo marrëveshje do të gjejë mjaft fusha bashkëpunimi me fakultetet e Universitetit “Fan S. Noli”. Gjithashtu, palët vunë në dukje kontributin që do të japë në organizimin e eventeve të ndryshme në fushën e edukimit në arsimin e lartë dhe pas-universitar, në fushën e trashëgimisë kulturore e historike për ruajtjen e vlerave materiale e shpirtërore dhe në fushën e turizmit në të gjitha drejtimet sidomos në turizmin familjar, historik e kulturor, në Shqipëri dhe më gjerë. Suksese këtij bashkëpunimi i uroi edhe prof. dr. Nevila Nika, e cila përgëzoi Universitetin “Fan S. Noli” për suksesin dhe arritjet e deritanishme, ndërsa vuri theksin edhe në vlerat e patjetërsueshme historike dhe kulturore që mbart rajoni i Korçës.
Më pas, prezantimi i Revistës “Univers” ishte takimi që konkretizoi këtë marrëveshje, duke zyrtarizuar kështu fillimin e bashkëpunimit midis dy institucioneve. Drejtor Ekzekutiv i IETT, prof. as. dr. Ramiz Zekaj të pranishmit në këtë promovim, ndërsa i ftoti pedagogët dhe studentë të botojnë në rubrikat e kësaj reviste. Ai tha se kjo revistë ka për qëllim të publikojë trashëgiminë kulturore, si dhe arritjet më të fundit të disiplinave të ndryshme shkencore.
Disa kopje të revistës Instituti ia dhuroi Bibliotekës së Univeristetit “Fan S. Noli”.
Departamenti i Informatikës, Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, në bashkëpunim me departamentin DSIZ, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, Kolegjin Universitar Logos dhe Kolegjin Universitar Beder, Tiranë, organizuan në dt. 27 maj 2022, në amfiteatrin e FSHNH, Sesionin Shkencor me temë: “Teknologjitë e reja të informacionit dhe aplikimi i tyre”. Sipas përgjegjësit të këtij Departamenti dr. Rafail Prodani qëllimi i organizimit të sesionit është që pedagogët, ekspertë të fushës dhe studentë ekselentë të shpalosin arritjet dhe zhvillimet e fundit në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimin, si dhe aplikime të tyre. Nëpërmjet shkëmbimit dhe transferimint të njohurive dhe përvojave synohet rritja e nivelit të kërkimit shkencor në këto fusha, e shkallës së implementimit të këtyre teknologjive, si dhe bashkëpunim ndërmjet pedagogëve dhe studentëve të midis departamenteve. Nga departamenti i Informatikës, Universiteti “Fan S. Noli” referuan:
• Dr. Blerina Çeliku – “Integrimi i metodologjive të reja dhe mjeteve dixhitale në mësimdhënien e kriptografisë”;
• Kandidat dr. Dhori Beta – “Aplikime të Inteligjencës Artificiale në mjekësi”;
Në datën 26 maj 2022 departamenti “Financë-Kontabilitet”, Fakulteti i Ekonomisë organizoi një leksion të hapur për studentët e programeve “Master Profesional” në “Financë-Kontabilitet ” dhe “Master i Shkencave” në “Financë” me temë: “Auditimi i Pavarur”, ku e ftuar ishte znj. Anila Çunoti, Kontabël i Miratuar dhe Auditues Ligjor. Sipas pedagoges së këtij Departamenti, prof. as. dr. Alketa Pasholli, ky leksion zhvillohet në kuadër të lëndës “Auditimi” dhe ka për qëllim zgjerimin e njohurive në këtë fushë. Znj Çunoti prej vitesh bashkëpunon me Departamentin dhe Fakultetin jo vetëm nëpërmjet këtyre takimeve, ku ajo sjell për studentët përvojën e saj gati 25-vjeçare në fushën e kontabilitetit dhe auditimit, por edhe duke u ofruar studentëve mundësinë të zhvillojnë praktikën profesionale pse jo edhe të punësohen në studion e saj. Takimi vijoi me pyetje dhe diskutime ku studentët treguan interes për: Shërbimet e Kontabilitetit dhe Auditimit, Organizatat Profesionale të Kontabilistëve dhe Audituesve,
Kriteret që duhet të plotësojë një kandidat për t’u certifikuar si Kontabilist i Miratuar apo Auditues Ligjor nga Autoritetet e Certifikimit, Kualifikimi i vijueshëm profesional etj.
Në mbyllje të takimit studentët falënderuan znj. Çunoti për mendimet, sygjerimet dhe këshillat praktike që u dha për t’i mbajtur parasysh në rrugën drejt realizimit të tyre profesional.
Në datën 25 maj 2022 departamenti i Menaxhimit i Fakultetit të Ekonomisë organizoi një leksion të hapur me temë: “Menaxhimi i emergjencave civile nga pushteti lokal”, ku të ftuar ishin, z.Thanas Tona, zëvendëskryetar pranë Bashkisë Korçë dhe z. Gjergji Raidhi, specialist i emergjencave civile, Bashia Korçë. Të pranishëm ishin pedagogë të FE dhe studentë të programeve “Bachelor” në “Menaxhim” dhe “Informatikë Biznesi”, si dhe të programit “Master profesional” në “Administrim biznesi”.
Sipas pedagoges, dr. Eva Dhimitri ky leksion i hapur u zhvillua në kuadër të lëndëve “Menaxhimi risku” dhe “Menaxhim publik”, duke u dhënë mundësinë studentëve të dëgjojnëdhe të kuptojnë se si njohuritë e mara mund të vihen në praktikë për menaxhimin e emergjencave civile. Të ftuarit u ndalën konkretisht në disa nga pikat kryesore se si menaxhohen rastet e emergjencave pranë bashkisë Korçë, ndërsa në fund studentët bënë edhe pyetje në lidhje me mënyrën e tratimit të situateve të ndryshme.
Në datën 23 maj 2022 përfaqësues të JAA (Junior achievememt of Albania) zhvilluan me studentët e Klubit të Debatit të Universitetit “Fan S.Noli” trajnimin III me temë: “Komunikimi dhe Prezantimi në Publik”. Trajnimi u organizua dhe drejtua nga ekstertja e komunikimit, zj. Edlira Gjoni dhe zj. Kristela Pashollari, koordinatore pranë JAA në bashkëpunim me pedagoget dr. Klaudia Lipi dhe dr. Edlira Xega, koordinatore të klubeve përkatëse studentore, si dhe Qendra e Karrierës dhe Alumni pranë Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë. Ky trajnim, i cili ështe i fundit për këtë vit akademik synon t’u japë studentëve njohuri dhe aftësi në lidhje me komunikimin dhe prezantimin, në mënyrë që të mund t’i praktikojnë ato gjatë angazhimit të tyre në debatet rajonale e kombëtare që do të zhvillohen më tej.
Me moton “Të gjithë së bashku të gëzojmë” studentë të Fakultetit të Ekonomisë, departamenti “Marketing-Turizëm” zhvilluan një veprimtari ndërgjegjësuese në kuadër të 20 Majit, Ditës Kombëtare të Jetimëve. Me të ardhura e grumbulluara nga vetë ata studentët u dhuruan vogëlushëve të shtëpisë së foshnjës “Lulet e vogla”, Korçë një program artistik me këngë e kërcimë, ku të ftuar ishin personazhet e tyre më të dashur, si dhe mjaft lodra të bukura. Studentët këtë veprimtari e zhvilluan edhe në kuadër të Marketingut Social. Nuk është hera e parë që studentët e Universitetit “Fan S. Noli” zhvillojnë veprimtari të tilla bamirësie dhe ndërgjegjësimi, duke përcjellë mesazhe dashurie dhe mbështetjeje për njerëzit që kanë më tepër nevojë për to.
Departamenti i Menaxhimit përmbylli veprimtaritë në kuadër të Javës së Sipërmarrjes me vizitat e studentëve në 2 prej biznes e më të suksesshme në rajon: Kompania e përpunimit të mishit “Fix” dhe “Grand Hotel”. Studentët u njohën nga afër me specifikat dhe mënyrën e organizimit të punëve në secilin prej bizneseve. Gjatë busedës me ta administratorët e këtyre kompanive u siguruan studentëve mbështetje si për zhvillimin e praktikave ashtu edhe në drejtim të punësimit në sektorët që ata mbulojnë.
Në datën 19 maj 2022 studentë të programeve “Master Profesional” në “Financë-Kontabilitet” dhe “Bankë e Sigurime” zhvilluan një takim me specialistë të Zyrës së Punësimit, Korçë. Gjatë takimit studentët morrën informacion të hollësishëm në lidhje me shërbimet që ofron Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive sa i takon Programit të Punësimit, Nxitjes së Punësimit, Programit të Praktiave Profesionale, si dhe shërbimeve të tjera të ofruara nga kjo agjenci. Studentët thanë se takime të tilla informuese i njohin dhe i orientojne edhe më mirë me tregun e punës.
Në datën 17 maj 2022, departamenti “Financë-Kontabilitet” i Fakultetit të Ekonomisë organizoi një takim me drejtues të Raiffeisen Bank, ku ishin të pranishëm studentë të këtij fakulteti. “Programi i Studentëve”, intershipet dhe punësimet në kuadër të bashkëpunimit institucional me këtë bankë ishin në qendër të takimit, i cili u përshëndet fillimisht nga dekania, prof. as. dr. Ledina Alolli. Më pas drejtuesit e Bankës Raiffeisen i njohën studentët më konkretisht me “Programin e Studentëve”, i cili funksionon prej vitit 2015 dhe që deri më sot ka bërë të mundur punësimin e rreth 350 studentëve në të gjithë vendin. Drejtori rajonal i kësaj banke, z. Eugen Agolli, i cili vjen edhe si një ish-student i Universiteti “Fan S. Noli” dhe të pranishmit e tjerë i ftuan studnetët që t`i vlerësojnë këto mundësi jo vetëm për të mësuar më tepër, por për të qenë sa më afër tregut të punës. Përgjegjësja e departamentit, dr. Anila Mançka tha se aktualisht në këtë bankë janë duke zhvilluar intershipe mbi 10 studentë, të cilët janë shprehur të kënaqur nga mundësitë që po u ofrohen në njohjen me shërbimet e bankës, kreditë, kartat e kreditit, overdraft-in etj.
Një tjetër çështje ku u fokusua takimi ishte edhe mbështetja e vazhdueshme në zhvillimin e praktikave mësimore të studentëve të programeve të studimit “Financë-Kontabilitet” dhe “Ekonomiks”, në kuadër të bashkëpunimit që Universiteti dhe Fakulteti kanë me këtë bankë dhe jo vetëm.