Category: Fakulteti i Ekonomise

BASHKËPUNIMI NË FUSHËN E MARKETINGUT DIGJITAL ISHTE FOKUSI I TAKIMIT TË ZHVILLUAR MES STAFIT AKADEMIK TË FAKULTETIT TË EKONOMISË DHE REKTORIT TË UBT, PRISHTINË PROF. DR. EDMOND HAJRIZI

Në datën 22 dhjetor 2021 në mjediset e Bibliotekës ‘”Thimi Mitko”, Korçë me mbështetjen e Qendrës “Korça Innovation and Technology Hub”, pedagogë dhe studentë të departametit Marketing-Turizëm të Universitetit “ Fan S. Noli” organizuan një takim me rektorin e  Kolegjit Universitar për Biznes e Teknologji, Prishtinë, prof. dr. Edmond Hajrizi . Në qendër të këtij takimi ishte krijimi i hapësirave të mundshme të bashkëpunimit si në aspektin e kurrikulës mësimore të programit të studimit “Master” në “Marketing Digjital”, ashtu edhe mbi mundësitë e kryerjes së praktikave mësimore të studenteve.

Gjithashtu të pranishmit diskutuan virtualisht me rektorin Hajrizi edhe për aplikime në projekte të ndryshme me interes të përbashkët.

STUDENTË TË FAKULTETIT TË EKONOMISË U NJOHËN ME PROGRAMET E NXITJES SË PUNËSIMIT GJATË NJË TAKIMI, KU ISHIN TË FTUAR PËRFAQËSUES TË DREJTORISË RAJONALE TË AGJENCISË KOMBËTARE TË PUNËSIMIT DHE AFTËSIVE, KORÇË

Në datën 9 dhjetor 2021, departamenti i Menaxhimit i Fakultetit të Ekonomisë organizoi një takim informues për studentët e ciklit Bachelor në “Menaxhim”, “Informatikë biznesi” dhe për studentët e ciklit Master në “Administrim biznesi”, me fokus programet e nxitjes së punësimit. Në këtë takim ishin të ftuar znj.Denada Manoku, drejtore e Drejtorisë Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Korçë dhe znj. Helena Zhapa, përgjegjëse e Sektorit të Programeve Aktive dhe Pasive të Punësimit në këtë drejtori.

Në këtë takim studentët u njohën me programet e nxitjes së punësimit për vitin 2022, si: programi i praktikës profesionale, programi i vetpunësimit, programi i punësimit, programi i formimit nëpërmjet punës dhe programi i punëve publike në komunitet.

Përfaqësueset e Drejtorisë Rajonale të Punësimit i njohën studentët me kriteret që duhen plotësuar për të përfituar nga këto programe, si dhe me hapat që duhen ndjekur për t’u bërë pjesë e tyre, duke përfituar statusin e punëkërkuesit, si dhe të punëkërkuesit të papunë.

Studentët treguan interes për këto programe, duke bërë pyetje dhe duke diskutuar rreth tyre.

TAKIM NË KUADËR TË BASHKËPUNIMIT TË FAKULTETIT EKONOMIK ME DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE

Në datën 6 dhjetor 2021, dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. as. dr. Ledina Alolli dhe specialisti i Qendrës së Karrierës dhe Alumnit z. Romeo Terolli pritën në takim drejtuesin e Sektorit Juridik të Drejtorisë së Përgjjthshme të Pronësisë Industriale, z. Përparim Mezini, si dhe  specialistët, z. Marsid Sedja dhe z. Luan Sallaku. Takimi u fokusua në bashkëpunimin në kuadër të trajnimeve, orëve të hapura dhe mundësitë për zhvillimin e internship-eve për studentët e Fakultetit Ekonomik pranë DPPI-së.

Përfaqësuesit e DPPI-së bënë një prezantim për rëndësinë që ka njohja e studentëve me patentat për shpikje, markat tregtare dhe shërbimet, disenjot industriale, treguesit gjeografikë, topografitë e produkteve gjysmpërçuese etj.

Dekania e Fakultetit Ekonomik, prof. as. dr. Ledina Alolli u shpreh e gatshme për krijimin sa më shpejtë të mundësive për trajnime dhe internshipe për studentët e Fakultetit Ekonomik.

FAKULTETI I EKONOMISË DHE INSTITUTI PËR POLITIKA PUBLIKE DHE MIRËQEVERISJE LIDHËN MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI

Në datën 3 dhjetor 2021, Fakulteti i Ekonomisë i Universitetit “Fan S. Noli” lidhi marrëveshje bashkëpunimi me Institutin për Politika Publike dhe Mirëqeverisje, e cila u nënshkrua nga dekania, prof. as. dr. Ledina Alolli dhe Presidenti i Nderit i këtij Instituti, prof. dr. Arben Malaj. Në kuadër të këtij bashkëpunimi prof. Malaj mbajti edhe një leksion të hapur me pedagogë e studentë të këtij fakulteti. Ai tha se kjo marrëveshje do të jetë pika më e fortë e bashkëpunimit që do të vijojë mes Institutit dhe Universitetit, duke u ofruar mundësi reale si pedagogëve, ashtu edhe studentëve të bëhen pjesë e analizave, gjetjeve dhe rekomandimeve në kuadër të takimeve që do të zhvillohen në gjashtë bashki të vendit. Sipas tij, qeverisja vendore është ajo që ka edhe një ndikim më të madh te qytetarët.

Po gjithashtu profesor Malaj u prezantoi pjesëmarrësve edhe librin e përkthyer prej tij “Një histori e shkurtër e financave euforike”.

“ROLI I MARKËS NË PROMOVIMIN E DESTINACIONEVE TURISTIKE”-LEKSION I HAPUR ME STUDENTËT E FAKULTETIT TË EKONOMISË

Studentët e departamentit Marketing-Turizëm të Fakultetit të Ekonomisë morën pjesë në leksionin e hapur me temë “Roli i markës në promovimin e destinacioneve turistike” (Në fokus rajoni i Korçës). Leksioni u mbajt nga pedagogia e Universitetit të Barit, Itali, prof. Maria Buonarota. Duke u bazuar edhe në përvojën e saj ajo foli për rëndësinë që ka krijimi i një marke, ndërsa vuri në dukje se marka korçare sigurisht që e identifikon këtë destinacion turistik bashkë me atraksionet e tij. Ky ishte edhe qëllimi i këtij leksioni të hapur, të cilin profesore Maria e konkretizoi edhe nëpërmjet shembujve që solli për studentët pjesëmarrës.

KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME NGA ANALIZA E REZULTATEVE TË NJË STUDIMI LIDHUR ME KARAKTERISTIKAT STUDIMORE TË STUDENTËVE AKTUALË TË FAKULTETIT TË EKONOMISË DHE PROBLEMATIKA TË MËSIMIT ONLINE U DISKUTUAN NË NJË TRYEZË TË RRUMBULLAKËT ME PJESËMARRJEN E STAFIT TË KËTIJ FAKULTETI DHE STUDENTËVE

Në datën 1 nëntor 2021 Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti “Fan S. Noli” zhvilloi një tryezë të rrumbullakët në qendër të së cilës ishte studimi i dytë i realizuar nga zëvendësdekani, dr. Emil Frashëri në kuadër të iniciativës së Fakultetit të Ekomomisë për një përqasje bazuar te të dhënat, në funksion të rritjes së cilësisë së mësimdhënues dhe mësimnxënies për përballimin me sukses të sfidave të ardhme në sektorin e arsimit të lartë.

Në këtë takim, ku ishin të pranishëm stafi i fakultetit, zëvendësrektori për mësimin, dr. Arto Adili dhe studentë përshëndeti fillimisht dekania, prof. as. dr. Ledina Alolli, e cila u ndal në dy studimet e realizuara në këtë kuadër. Studimi i parë kishte në fokus maturantët ndërsa ky studim i dytë u realizua me studentët.

Vlerësime për këtë nismë të ndërmarrë nga FE përcolli edhe zëvendësrektori, dr. Arto Adili, ndërsa më pas e mori fjalën zëvendësdekani dr. Emil Frashëri, i cili solli me detaje të gjitha hapat e ndërmarra për realizimin e tij.

Në fund të takimit pjesëmarrësit diskutuan dhe dhanë sugjerime e rekomandime, duke iu referuar pikave të veçanta të këtij studimi.

FONDACIONI SHQIPTARO-AMERIKAN PËR ZHVILLIM DHUROI LIBRA PËR FAKULTETIN EKONOMIK DHE BIBLIOTEKËN SHKENCORE TË UNIKO

Në datën 26 tetor 2021 në mjediset e Bibliotekës Shkencore, Universiteti “Fan S. Noli”, u zhvillua një takim për dhurimin e librave nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) për Fakultetin Ekonomik dhe Bibliotekën Shkencore të këtij universiteti. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm pedagogë të FE, dekania prof. as. dr. Ledina Alolli vlerësoi librat e dhuruar si një vlerë e shtuar për Fakultetin. Librat do të jenë në mbështetje të pedagogëve dhe studentëve, duke u ofruar njohuritë që kërkon sot tregu global i punës.

Zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet, dr. Benita Stavre falënderoi fondacionin për dhurimin e librave, i cili vjen në kuadër edhe të formave të tjera të bashkëpunimit që UNIKO ka me AADF. Ajo veçoi projektin CleanScore, i cili ofron një mënyrë bashkëkohore në procesin e vlerësimit të studentëve në mënyrë elektronike. Ajo nënvizoi, se në kuadër të këtij bashkëpunimi janë publikuar edhe një sërë thirrjesh për përfshirjen e stafit dhe studentëve në projekte të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Më pas pedagogët e FE bënë një vlerësim të librave sipas profileve përkatëse, duke i parë si mjaft të vlefshëm për punën e tyre dhe njëkohësisht ua rekomanduan edhe studentëve pasi këta libra sjellin shembuj konkretë dhe aktualë nga bota e biznesit. 

Z. Sokol Ymeri, menaxher projekti për edukimin pranë AADF, u shpreh se përzgjedhja e këtyre titujve nuk ishte rastësore, por u bë mbi bazën e propozimeve të pedagogëve. Ai theksoi se janë në punim e sipër edhe botime të tjera jo vetëm në fushën e ekonomisë, por dhe në atë të mësimdhënies.

Në fund të takimit u nënshkrua edhe kontrata e dhurimit të librave ndërmjet AADF dhe UNIKO.

“SFIDAT E BIZNESIT NË EPOKËN DIGJITALE”-KONFERENCË STUDENTORE E ORGANIZUAR NGA FAKULTETI I EKONOMISË I UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”, KORÇË

Në datën 9 qershor 2021, Fakulteti i Ekonomisë organizoi konferencën studentore me temë: “Sfidat e biznesit në epokën digjitale”, e cila vjen edhe në kuadër të 50-vjetorit të Universitetit “Fan S. Noli”. Konferencën e hapi dekania e FE, prof. as. dr. Ledina Alolli, e cila falënderoi për bashkëpunimin Fakultetin e Ekonomisë dhe Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, Universiteti “Fan S. Noli”; Fakultetin Ekonomik të Institutit Kanadez të Teknologjisë, CIT; Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Albanian University dhe Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit. Ajo shprehu njëkohësisht falënderim dhe mirënjohje edhe për të gjithë pedagogët udhëheqës të studentëve, për punën, përkushtimin dhe mbështetjen që u kanë dhënë në realizimin e punimeve cilësore dhe mjaft aktuale për periudhën që po kalojmë: “Ky realitet i ri preku dhe institucionet arsimore në të gjitha ciklet dhe nivelet e studimit, ku u vu re rëndësia dhe roli i teknologjisë në mësmidhënie, por sigurisht edhe sfidat me të cilat u përballëm. Sfida që kërkojnë përgatitje dhe bashkëpunim për t`u kaluar”.

Në përshëndetjen e saj zëvendësrektorja për projektet dhe shkencën në Universitetin “Fan S. Noli”, dr. Benita Stavre përgëzoi bashkorganizatorët e kësaj veprimtarie, me besimin se kjo do të jetë e para e një kolane konferencash të përvitshme, duke krijuar mundësinë e diskutimeve më të gjera dhe më konkrete.  Ajo tha se ka ardhur koha që studentët ta shprehin në mënyrë të organizuar mendimin e tyre akademik, të ndiejnë se janë kontribues në jetën e Universitetit, të kuptojnë se  shfletimi i literaturës vendase dhe të huaj u hap horizonte të reja zbatimi në qytetin ku jetojnë, në biznesin ku do të punësohen apo edhe në profilin në të cilin do të diplomohen.

Konferencën e përshëndetën edhe prof. as. dr. Artur Jaupaj, dekan i Fakultetit Ekonomik, Instituti Kanadez i Teknologjisë, CIT, Tiranë dhe prof. as. dr. Enkeleda Llukovi, dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Albanian University. Ata e vlerësuan organizimin e kësaj konference me një temë mjaft aktuale për realitetin e ri në të cilin na vendosi Covid-19, si dhe punimet e studentëve. Nëpërmjet komunikimit online ata sollën për pjesëmarrësit prirjet e reja dhe fushat e zhvillimit në epokën digjitale, duke e parë digjitalizimin si një proces që krijon mundësi zhvillimi dhe progresi për të gjithë sektorët.

Më pas, studentët prezantuan punimet e tyre në sallë dhe online, duke sjellë në to tema mjaft interesante dhe aktuale, si:  “Strategjitë marketing-Përdorimi i teknologjisë në restorantet e vogla”; “Përdorimi i statistikave të mediave sociale me qëllim hartimin e strategjisë së marketingut në rrjete sociale”; “Rëndësia e rrjeteve sociale në strategjinë e marketingut të kompanisë”; “Marketingu i produkteve farmaceutike në kuadrin e digjitalizimit”; “Mediat tradicionale kundrejt mediave online” etj. 

DEBATI EKONOMIK-TRAJNIM I ORGANIZUAR NGA JUNIOR ACHIVEMENT OF ALBANIA (JAA) ME STUDENTË TË FAKULTETIT EKONOMIK, UNIVERSITETI “FAN S. NOLI”

Në datën 8 qershor 2021, në mjediset e Universitetit “Fan S. Noli” studentë të Fakultetit Ekonomik morën pjesë në trajnimin me temë: “Debati Ekonomik” i organizuar nga Junior Achivement of Albania (JAA) në bashkëpunim me Fakultetin Ekonomik dhe Qendrën e Karrierës dhe Alumnit të Universitetit “Fan S. Noli”.  Sipas pedagoges së FE, dr. Klaudia Lipi studentët e Klubit të Debatit u trajnuan për formatin dhe rregullat e përgjithshme të debatit parlamentar, për ndërtimin e skuadrave, rolin dhe përgjegjësinë e çdo debatuesi etj.  Ata morën njohuri teorike dhe praktike për mënyrën se si mund të bëhen pjesë e debateve që do të zhvillohen në vazhdim në kuadër të këtij projekti. Trajnueset, znj. Etleva Bisha dhe znj. Kristela Pashollari, thanë se nëpërmjet programit ”Debating Economics” synonohet të edukohen te të rinjtë shqiptarë aftësitë e mendimit kritik, të hulumtimit, të përgatitjes dhe të prezantimit të argumenteve dhe zgjidhjeve kreative të problemeve, të cilat lidhen me çështje që kanë në fokus ekonominë dhe politikat ekonomike vendase dhe ato globale. Kjo praktikë do të kontribuojë në rritjen e aftësive analizuese, vlerave individuale dhe komunitare demokratike dhe tolerancës mes të rinjve Shqiptarë.  

Studentët do të përfshihen edhe në trajnime të tjera që do të zhvillohen me prani fizike ose online. Programi do të vijojë me debatet midis Universiteteve të Shqipërisë, duke u përmbylluar me zhvillimin e një Debati Kombëtar.  

Trajnimi u zhvillua në bashkëpunim edhe me Qendrën e Karrierës dhe Alumni të Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë. 

STUDENTËT E DEPARTAMENTEVE “MARKETING-TURIZËM” DHE “AGROUSHQIM TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” ZHVILLUAN NJË UDHËTIM STUDIMI ME QËLLIM NJOHJEN DHE PROMOVIMIN E TURIZMIT NË ÇDO PJESË TË SHQIPËRISË”

Në datën 30 maj 2021, studentët e Departamentit “Marketing-Turizëm” dhe “Agroushqim” udhëtuan drejt Tiranës për tu njohur me atraksionet kulturore dhe natyrore, si dhe me praktikat më të mira të zhvillimit të produktit turistik. Një pjesë shumë e veçantë e kësaj nisme ishte dhe kthimi i vizitës në Institutin Kanadez të Teknologjisë, ku studentët dhe pedagogët pasi u njohën me ambientet CIT shkëmbyen përvojat e tyre në fushën e ekonomisë. Në takim u fol për bashkëpunime të mundshme midis dy institucioneve arsimore si dhe për projekte të përbashkëta. Udhëtimi u përmbyll me vizitën në Parkun Kombëtar “Mali i Dajtit”, ku studentët patën mundësi të provonin dhe turizmin e aventurës duke kryer zbritje me teleferik , lojra golfi dhe hipizëm me kuaj. Kush më mire se vetë studentët si pjese e industrisë turistike mund të promovojë më së miri atraksionet e vendit tone, por dhe vlerën edukative që mbart Universiteti i Korcës.