Në datën 28 shkurt 2022 u zhvillua një takim online mes drejtuesve të Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë, rektori, prof. dr. Dhimitri Bello, zëvendësrektori për projektet dhe shkencën, dr. Benita Stavre, dekani i Fakultetit të Bujqësisë, prof. as. dr. Gjergji Mero, përgjegjësi i departamentit të Agronomisë, prof. as. dr. Besnik Skënderasi dhe pedagogu Ardian Çërava. Nga Universiteti i Plovdiv-it, Bullgari ishin të pranishëm rektorja, prof. dr. Hristina Yancheva, zëvendësrektorët, dekanët e fakulteteve dhe përfaqësues të Zyrës së Marrëdhënie me Jashtë. Gjatë takimit përfaqësuesit zyrtarë të të dy universiteteve prezantuan ofertat akademike të secilit institucion. Gjithashtu u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit institucional, si dhe u diskutua rreth mundësive për bashkëpunim në fushat me interes të përbashkët, si: bujqësia dhe ekonomia, duke qenë se Universiteti i Plovdiv-it ka në përbërjen e tij edhe departamentin e Ekonomisë. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje parashikohen kërkime të përbashkëta shkencore; shkëmbim i publikimeve dhe literaturës; publikime të përbashkëta; shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik e studiuesve; ofrimi i diplomave të përbashkëta; organizimi i veprimtarive të përbashkëta, si; konferenca shkencore, ëorkshope, tryeza të rrumbullakëta, kurse të shkurtra trajnuese etj. Takime të tjera do të vijojnë me përfaqësues të Fakultetit të Bujqësisë dhe Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit “Fan S. Noli” për të diskutuar për mundësi konkrete bashkëpunimi midis dy IAL-ve dhe për të hartuar axhendën e veprimtarive.