Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

“SFIDAT E INDUSTRISË TURISTIKE NË RAJONIN E KORÇËS-KOORDINIMI I GRUPEVE TË INTERESIT”-TRYEZË E RRUMBULLAKËT E ORGANIZUAR NGA DEPARTAMENTI MARKETING–TURIZMIT I FAKULTETIT EKONOMIK ME FOKUS PROBLEMET DHE SFIDAT ME TË CILAT PËRBALLET SOT INDUSTRIA TURISTIKE NË RAJONIN E KORÇËS

Në datën 3 mars 2022 në mjediset e Universitetit “Fan S. Noli” u zhvillua tryeza e rrumbullakët me temë: “Sfidat e industrisë turistike në rajonin e Korçës-Koordinimi i grupeve të interesit” organizuar nga departamenti Marketing-Turizëm me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pushtetit vendor, bizneseve turistike në rajonin e Korçës, pedagogëve dhe studentëve të FE dhe të ftuarve të tjerë. Në fjalën e hapjes dekani i FE, prof. as. dr. Ledina Alolli u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve në takim, ndërsa theksoi se qëllimi i këtij organizmi është bashkëpunimi, shkëmbimi i mendimeve dhe ideve me fokus një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend siç është turizmi. “Bashkëpunimi me njëri-tjetrin, sektor publik dhe privat, duke patur si urë lidhëse Universitetin me kapacitetet profesionale, burimet njerëzore që ai ofron në përshtatje me kërkesat e tregut të punës, duhet të jenë kryefjala e zhvillimit të turizmit në Korçë. Sot Korça dhe i gjithë qarku ynë është rikthyer në vëmendjen e shumë vizitorëve. Për të rritur më tej numrin e turistëve dhe për t`u bërë më të konkurueshëm në rajon me qëllimin final që ta kthejmë Korçën në një destinacion turistik të qëndrueshëm, departamenti organizoi edhe këtë tryezë diskutimesh”.  Vlerësime për këtë takim me diskutimet dhe analizën e problematikave dhe sfidave me të cilat përballet sot industria turistike në Rajonin e Korçës, dha edhe rektori, prof. dr. Dhimitri Bello, i cili gjithashtu u shpreh se Universiteti do të jetë në mbështetje të zhvillimit të turizmit në rajon me kapacitetet e veta intelektuale dhe specialistët që përgatit.  

Në fjalën e tij kryetari i Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo përshëndeti organizmimin e kësaj tryeze, duke e parë atë si një mundësi shumë të mirë diskutimi midis aktorëve kryesorë për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit rajonal, duke qenë se Korça jo vetëm që ka pësuar mjaft transformime, por njëkohësisht ajo ka trashëguar edhe mjaft vlera nga e kaluara.

Nënkryetarja e Qarkut, Korçë, znj. Mimoza Shuli midis të tjerash tha se duhet të synojmë turizmin gjithëvjetor dhe turistët e huaj, duke mos u mjaftuar vetëm me vizitorët vendas. Duhet të dalim me paketa turistike rajonale dhe, përtej kësaj, të promovohen të gjitha atraksionet turistike, pasi disa zona të rajonit tonë janë të panjohura për turistët e huaj.

Më pas takimi vijoi me referimin e pedagoges, prof. as. dr. Mamica Nene me temë:

 “Digjitalizimi si një oportunitet në turizëm. Oferta e Universitetit në përpjekje për të plotësuar kërkesat e tregut”, ndërsa prof. as. dr. Eleina Qirici referoi temën: “Turizmi, domosdoshmëri për zhvillimin e rajonit”.

Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për nënshkrimin  e marrëveshjes së bashkëpunimit me përfaqësues të bizneseve turistike dhe institucioneve të tjera pjesëmarrëse për realizimin e praktikave mësimore të parashikuara në kurrikulën mësimore, duke ofruar kështu një forcë punëtore më të kualifikuar në tregun e punës.

Leave a Reply