Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË, NË BASHKËPUNIM ME UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” DHE SHOQATËN KULTURORE “NAUM VEQILHARXHI” ORGANIZUAN:  TRYEZË SHKENCORE (NË 225-VJETORIN E NAUM VEQILHARXHIT)

Në datën 12 dhjetor 2022, në Universitetin “Fan S. Noli” zhvilloi punimet Tryeza Shkencore e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin “Fan S. Noli” dhe Shoqatën Kulturore “Naum Veqilharxhi” me rastin e 225-vjetorit të Naum Veqilharxhit. Në fjalën e hapjes rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello përshëndeti të pranishmit dhe çmoi bashkëpunimin që Universiteti ynë ka me Akademinë e Shkencave në organizimin e veprimtarive të ndryshme, si dhe përgëzoi Shoqatën Kulturore “Naum Veqilharxhi” për angazhimin në këtë organizim. “Në këtë tryeze shkencore prezantohen kumtesa me mjaft vlerë nga profesorë e studiues të njohur, të cilët sjellin me punimet e tyre këndvështrime të reja e të panjohura për jetën dhe veprën e Naum Veqilharxhit”. 

Fjalën përshëndetëse në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave e mbajti akad. asoc. Gëzim Hoxha, i cili gjithashtu shpehu kënaqësinë për realizimin e disa bashkëpunimeve të suksesshme me Universitetin tonë. Ai shprehu besimin se kumtesat e këtij tubimi do të japin të dhëna e gjykime historike për figurën e ndritur të rilindasit Naum Veqilharxhi.

Prof. dr. Vjollca Ibro në emër të kryesisë së Shoqatës Kulturore “Naum Veqilharxhi” falënderoi Akademinë e Shkencave dhe Universitetin “Fan S. Noli”, të cilët u treguan mjaft entuziastë për të mbështetur këtë organizim.  Më pas, ndër të tjera theksoi se synimi i Shoqatës ka qenë dhe mbetet njohja dhe përcjellja e vlerave të ngjarjeve historike, të personaliteteve, të traditave atdhetare e kulturore në nivel kombëtar e në veçanti të vendlindjes, Vithkuqit e Korçës.  

Në kumtesën e tij, prof. dr. Emil Lafe u ndal në “Parimet gjuhësore të Naum Veqilharxhit” ndërsa prof. as. dr. Jonela Spaho, dekan i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë referoi temën: “Abetaret e Veqilharxhit si fillim i letërsisë shqipe për fëmijë”.

Punimet e kësaj tryeze vijuan me kumtesën e dr. David Hosaflook, “Ëvetarët” e Naum Veqilharxhit dhe Shoqëria Biblike: një përgjigje e vonuar e pyetjes së Ilo Mitkë Qafëzezit më 1937”. 

Prof. dr. Fedhon Meksi, prezantoi për pjesëmarrësit kumtesën: “Një vend nderi në altarin e nacionalizmit shqiptar për Naum Bredhi-Veqilharxhi”, ndërsa prof. as. dr. Teuta Toska referoi temën: “Abetaret në shqipe si shenja përtej gjuhës: nga Veqilharxhi e deri më sot”.

Dr. Adelina Nexhipi referoi temën: “Rruga drejt “Evëtarit” – një fanar i dijes”.

Pjesë e kësaj veprimtarie ishin edhe prezantimi nëpërmjet posterave i burimeve për vendlindjen, jetën dhe veprimtarinë e N. Veqilharxhit, disa videoklipe me këngë popullore kushtuar figurës së tij, si dhe leximi i disa pjesëve të zgjedhura nga letra për nipin, lexuar nga nxënësit e shkollës së mesme “Themistokli Gërmenj”.

Në fund të veprimtarisë, në emër të Qendrës së Studimeve për Arbëreshët, prof. Emil Lafe dhuroi disa libra për bibliotekën e Universitetit tonë.

Leave a Reply