PROJEKTRAPORTI I VITIT AKADEMIK 2022-2023 I UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” MORI MIRATIMIN E SENATIT AKADEMIK DHE BORDIT TË ADMINISTRIMIT

Në datën 20 dhjetor 2023, Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit, në një takim të përbashkët, zhvilluan analizën e veprimtarisë mësimore, kërkimore-shkencore dhe financiare për vitin akademik 2022-2023.

Si në çdo analizë edhe në këtë takim ishin të pranishëm Dekanët e Zëvendësdekanët,  përgjegjësat e Njësive Bazë, anëtarë të Njësisë së Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë, si dhe drejtorët e drejtorive të Universitetit .

Në fjalën e tij, rektori, prof. dr. Dhimitri Bello ndër të tjera ritheksoi se raporti i detajuar vjetor i veprimtarisë së Universitetit “Fan S. Noli” për vitin akademik 2022-2023 është një dokument i rëndësishëm për veprimtarinë e kryer nga institucioni në fushat akademike, shkencore, administrative dhe financiare.
Gjatë analizës raportimin për veprimtarinë kërkimore-shkencore e bëri zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet, prof. as. dr. Benita Stavre, e cila vuri në dukje punën e bërë dhe masat që janë marë gjatë vitit akademik 2022-2023 për përmbushjen e objektivave të parashikuar në planin strategjik të kërkimit shkencor në fushat: burimet njerëzore, infrastruktura, ndërkombëtarizimi dhe rajonalizimi, si dhe bashkëpunimi me sektorin publik e privat.
Raportimin për programet e studimit, parashikimin për angazhimin e personelit akademik, akreditimin institucional, gjurmimin e studentëve, si dhe veprimtarinë mësimore të njësive akademike në Universitetin “Fan S. Noli” e bëri zëvendësrektori për mësimin, dr. Ato Adili.
Administratori i Universitetit,  z. Petrika Petro paraqiti të dhënat për strukturën organizative të Universitetit, planin buxhetor vjetor dhe afatmesëm, si dhe të dhëna të tjera financiare të institucionit.  

Mendimet dhe sugjerimet e këtij takimi për elemente të ndryshëm të projektraportit do të mbahen parasysh në hartimin e dokumentit përfundimtar.
Në fund të takimit të pranishmit e miratuan projektraportin.

Previous Post
FEF ORGANIZOI PROMOVIMIN E ROMANIT “I RA MJEGULLA BUENËS” TË AUTORIT ARBEN PRENDI
Next Post
“DITA AKADEMIKE 2023”- U ZHVILLUA NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” CEREMONIA E DIPLOMIMIT TË STUDENTËVE