PROF. DR. ALI JASHARI (BASHKËHARTUES I FJALORIT TË MADH TË GJUHËS SHQIPE) ZHVILLOI NJË BASHKËBISEDIM ME PEDAGOGË DHE STUDENTË PËR PUNËN E BËRË DERI TANI LIDHUR ME HARTIMIN E KËSAJ VEPRE DHE PËRMBAJTJEN E SAJ, NË KUADËR TË VEPRIMTARIVE KUSHTUAR KONGRESIT TË DREJTSHKRIMIT (1972)

Departamenti i gjuhës dhe i letërsisë në Universitetin “Fan S. Noli” e ka bërë traditë organizimin e përvitshëm të veprimtarive kushtuar Kongresit të Drejtshkrimit (1972), sidomos ato që lidhen me problemet e kulturës gjuhësore në shkolla, në median e shkruar dhe elektronike etj.

Më 22 nëntor, nga prof. dr. Ali Jashari (bashkëhartues i Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe) u zhvillua një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë për punën e bërë deri tani lidhur me hartimin  e kësaj vepre dhe përmbajtjen e saj.

Gjatë takimit profesor Ali Jashari u shpreh se projekti për Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe është një projekt mbarëkombëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i financuar nga qeveria shqiptare, i cili filloi në vitin 2021 dhe do të përfundojë në vitin 2024.

Më pas, ai u ndal në hapat e ndjekura për zbatimin e këtij projekti, organizimin e punës hartuese etj.

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe përfshin gjerësisht shtresën aktive të leksikut të shqipes (ligjërim i folur dhe ligjërim i shkruar). Ai do të përfshijë përmbi 110 mijë fjalë nga rreth 40 mijë që ka FGJSSH (1980) me kuptimet dhe shpjegimet përkatëse. Gjithashtu përfshin 11.500 njësi frazeologjike në fund të çdo gjymtyre vatër kuptimore, me shpjegimet dhe referimet përkatëse, si dhe togfjalëshat e qëndrueshëm jofrazeologjikë kryesisht nga botanika dhe biologjia, për të cilën jepet dhe termi latinisht.

Të pranishmit e përgëzuan për punën voluminoze, si dhe i drejtuan profesor Ali Jasharit pyetje të ndryshme në lidhje me përmbajtjen dhe vështirësitë e hasura gjatë punës për hartimin e këtij fjalori.

Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe do t`u vijë në ndihmë akademikëve, pedagogëve, studiuesve, përkthyesve, studentëve, gazetarëve, si dhe të gjithë atyre që përdorin gjuhën shqipe.     

Previous Post
RRITJA E NDËRGJEGJËSIMIT PËR PASOJAT E ANTIMIKROBIKOREZISTENCËS DHE MËNYRAT E PARANDALIMIT TË SAJ ISHTE QËLLIMI I NJË SEMINARI TË ORGANIZUAR NGA DEPARTAMENTI I INFERMIERISË NË KUADËR TË JAVËS NDËRKOMBËTARE TË NDËRGJEGJËSIMIT PËR REZISTENCËN ANTIMIKROBIKE
Next Post
DEPARTAMENTI I SHKENCAVE SOCIALE, UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” ORGANIZOI SEMINARIM ME TEMË “NJERIU NJËDIMENSIONAL DHE SFIDAT E SHEKULLIT XXI” NË KUDËR TË DITËS NDËRKOMBËTARE TË FILOZOFISË