Në datën 20 shtator 2025 në mjediset e Këshillit të Qarkut Korçë u zhvillua ceremonia zyrtare e hapjes së programit “20 Udhërrëfyes Turistikë Lokalë për Qarkun Korçë” një projekt i përbashkët i Universitetit “Fan S. Noli” dhe Këshillit të Qarkut Korçë.
Në takim morën pjesë 20 kursantët fitues pas përzgjedhjes në bazë të kritereve të vendosura për aplikim, si dhe staf akademik nga UNIKO, i cili do të zhvillojë procesin mësimor të këtij programi.
Urimet më të mira përcollën për pjesëmarrësit kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Erjon Nexhipi dhe rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, duke i uruar njëkohësisht suksese edhe këtij bashkëpunimi ndërinstitucional.
“Së bashku filluam këtë rrugëtim sa të bukur po aq edhe frytdhënës.
Përmes projektit “20 Udhërrëfyes Turistikë Lokalë për Qarkun Korçë”, 20 të rinj nga qarku do të trajnohen dhe certifikohen si udhërrëfyes turistikë, duke u bërë ambasadorë të historisë, kulturës dhe mikpritjes sonë”.
Dita e parë e programit vijoi edhe me urimet e stafit akademik, si dhe me udhëzime e leksione të përgatitura nga pedagogët e departamentit të Histori-Gjeografisë, FEF.














