Në datën 15 tetor, në mjediset e Qendrës së Formimit të Vazhduar (QFV) në UNIKO u zhvillua takimi i Komitetit Koordinativ të Rrjetit të Qendrave të Formimit të Vazhduar, në kuadër të projektit TEAVET (Erasmus+). Takimi, i cili u ndoq edhe online, kishte përfaqësues nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës; Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan; Universiteti “Eqerem Çabej” Gjirokastër; Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë; Kolegji Universitar “Pavarësia”, Vlorë; Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër; Universiteti i Sporteve, Tiranë; si dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar.
Në fjalën e hapjes zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet në UNIKO, dr. Benita Stavre përshëndeti pjesëmarrësit, duke u uruar mirëseardhjen edhe në emër të rektorit, prof. dr. Dhimitri Bello. Ajo prezantoi më pas drejtimet kryesore të punës së QFV të UNIKO, duke u ndalur në historikun e saj, veprimtarinë, sfidat e përballjes me konkurrencën e padrejtë në dëm të cilësisë, sfidat e promovimit të ekspertizës universitare në institucionet e arsimit parauniversitar, në përgatitjen e dosjeve të plota të moduleve në procesin e aplikimit etj. Ajo ftoi të pranishmit të ndanin së bashku edhe të tjera sfida me qëllim që bashkëpunimi i deritanishëm të ofrojë më tepër mekanizma për përballimin e tyre. Të pranishmit i përshëndeti edhe dekania e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, prof. as. dr. Jonela Spaho, e cila, ndërsa renditi disa nga arritjet e QFV të Universitetit të Korçës, vlerësoi performancën cilësore të QFV që prej krijimit të saj, përgëzoi stafin që punon në të dhe theksoi se kjo qendër është një aset mjaft i rëndësishëm për FEF.
Më pas takimi vijoi me diskutimin e koordinatores së rrjetit, dr. Eva Çipi, e cila diskutoi në lidhje me disa nga problemet e hasura gjatë kësaj periudhe në lidhje me funksionimin paraprak të rrjetit.
Përgjegjësi i kësaj qendre, msc. Olger Brame, prezantoi kalendarin e të gjithë veprimtarisë që ka zhvilluar QFV të UNIKO që nga krijimi i saj e deri me sot. Ai parashtroi drejtimet kryesore të veprimtarisë së QFV duke u fokusuar në strukturën organizative, burimet njerëzore të angazhuara pranë saj, plankalendarin vjetor, format e bashkëpunimit me Drejtorinë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, mekanizmat e promocionit, sigurimin e brendshëm të cilësisë etj.
Në fund u dhanë konkluzionet e takimit: Rjeti i QFV është një risi në strukturat që ofrojnë trajnime për mësuesit në detyrë; ai do të promovohet në faqet përkatëse të mediave sociale; plan-kalendari vjetor i moduleve do të koordinohet në nivel ndërinstitucional.
Konferenca përmbyllëse e projektit TEAVET do të shërbejë si një mënyrë për rrahjen e mendimeve rreth përmirësimit të shërbimeve të këtij rrjeti.