Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

MËSIMI NË DISTANCË-UNIKO ZHVILLOI TRYEZËN E RRUMBULLAKËT NË KUADËR TË DITËVE ERASMUS+

Në datën 16 tetor 2020 në mjediset e UNIKO u zhvillua një tryezë e rrumbullakët në kuadër të ditëve Erasmus +. Në këtë veprimtari u diskutua për procesin e të mësuarit në distancë dhe platformat që ndihmojnë në këtë proces. Në takim ishin pjesëmarrës zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet, dr. Benita Stavre, koordinatori i programit Erasmus+ në UNIKO, z. Ardian Çërava, pedagogë dhe punonjës të stafit ndihmësakademik, të cilët diskutuan për bashkëpunimin e grupeve mësimore në procesin e mësimit online, si dhe për përfitimet dhe nevojat e Universitetit në lidhje me këtë çështje.

Disa pika të tjera që u trajtuan në këtë tryezë diskutimi ishin: ndërkombëtarizimi i institucioneve të larta, si një proces dinamik në lidhje me studimet jashtë vendit; kurrikulat dhe studimet ndërkombëtare etj. Pjesëmarrësit ndanë mendimet e tyre, si dhe diskutuan mbi disa plane strategjikë për mundësitë e studentëve, stafit dhe institucionit.  

Takimi doli me këto detyra:  

  1. UNIKO duhet të krijojë një manual praktik me udhëzimin në përdorimin e Microsoft Teams, si një platformë mësimdhënëse dhe mësimnxënëse (Sektori i Kurrikulave dhe Sigurimit të Cilësisë dhe Sektori i IT duhet të bashkëpunojnë në krijimin dhe vënien në funksion të stafit).
  2. Sektori IT duhet të hartojë një plankalendar me seksionet e trajnimit të mësuesve në çdo njësi kryesore. Mësuesit duhet të njoftohen paraprakisht për modulin e trajnimit, në mënyrë që të kenë në dispozicion materialet e kursit  dhe të mund të realizojnë veprimtari praktike, duke i hedhur ato në platformë gjatë trajnimit. Trajnimet duhet të fillojnë me Fakultetin e Ekonomisë për shkak të nevojës së tyre të menjëhershme për të siguruar kurse online gjatë semestrit të parë të vitit akademik 2020-2021.
  3. Sektori i Kurrikulës dhe Sigurimit të Cilësisë duhet të hartojë një plan dhe mekanizma për sigurimin e cilësisë të kurseve online.
  4. Programet më të mundshme për të ofruar kurse online janë ato të ciklit të dytë. Ato janë më fleksibël në orar (për shkak të faktit se shumica e studentëve janë tashmë të punësuar) dhe kjo do t’u përshtatet më së miri nevojave të studentëve dhe pedagogëve.
  5. Pajisjet e blera në kuadrin e Valeu-x do të jenë në dispozicion për Qendrën e Mësimit në Distancë.
  6. Sektori i kërkimeve akademike dhe botimeve, duhet të sigurojë një mundësi teknike për pedagogët që të ngarkojnë literaturën e kursit në mënyrë elektronike dhe ta bëjnë atë të disponueshme për studentët në internet.

Leave a Reply