Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

STUDENTJA E FAKULTETIT TË EDUKIMIT DHE FILOLOGJISË, XHOANA DUNOLLI SJELL NJË TJETËR PËRVOJË NDËRKOMBËTARE, NË KUADËR TË PROGRAMIT  ERASMUS +

Xhoana Dunolli, studente e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, vjen me një përvojë të re ndërkombëtare, pasi studioi një semestër në Universitetin “Alma Mater Studiorum” në Bolonjë, Itali, në kuadër të programit Erasmus +.  Xhoana, e cila aktualisht vazhdon studimet në vitin e fundit të programit “Mësuesi në Arsimin Fillor”, shprehet se kjo ishte një përvojë mjaft e vlefshme, jo vetëm për profesionin e saj si mësuese e ardhshme, por edhe për arritjet akademike.

“U përshtata dhe u familjarizova shpejt me jetën atje, kjo edhe falë mbështetjes së shoqatës ESNBOLOGNA, e cila mirëpret dhe orienton studentët e rinj në qytetin e Bolonjës. Kjo përvojë e re më  njohu me studentë të kombësive të ndryshme, ku pata mundësinë të njihja kulturat prej nga vinin, të merrja pjesë në veprimtari kulturore e sportive që zhvillonte Universiteti etj. Bolonja është një qytet i mrekullueshëm, madhështor, sa historik aq edhe modern. Pedagogët, studentët, qytetarët italianë dhe ata të huaj më kanë lënë mbresa të shumta. Kjo përvojë më mësoi të punoj në mënyrë të pavaruar, duke më motivuar për të punuar e studiuar me seriozitet me përgjegjësi të lartë. Sa i përket kulturës italiane mund të flas për gjuhën, dialektet e saj që dukeshin sikur ishin gjuhë të ndryshme dhe kjo ishte mjaft interesante.

Studimet nuk pata fatin t`i zhvilloja në auditor për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Gjatë mësimit, i cili u zhvillua online, unë arrita të fitoj një përvojë të vlefshme rreth mësimdhënies dhe teknologjisë. Mendoj se kjo është një përvojë unike për çdo student që e përjeton atë, rezultatet e së cilës do të reflektohen më pas në praktikë, në punë dhe në jetë. Prandaj, unë inkurajoj të gjithë studentët që të përfitojnë sa më shumë nga shkëmbimet që ofron programi Erasmus +. UNIKO, si një universitet i akredituar e i konsoliduar po mbështet gjithnjë e më shumë studentë në këtë drejtim dhe unë u jam shumë mirënjohëse pedagogëve dhe drejtuesve të institucionit për mundësinë dhe mbështetjen e ofruar.  Jam shumë e kënaqur që zgjodha të studioj në Universitetin “Fan S. Noli”, të cilin u mundova ta përfaqësoj denjësisht edhe nëpërmjet arritjeve të mia semestarale në Itali”.

Leave a Reply