Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

ZHVILLOI PUNIMET KONFERENCA E DYTË SHKENCORE NDËRKOMBËTARE “EARLY CHILDHOOD EDUCATION AND CARE: CHALLENGES AND PERSPECTIVES” ORGANIZUAR NGA DEPARTAMENTI I EDUKIMIT I UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”, KORÇË NË BASHKËPUNIM ME DEPARTAMENTIN E SHKENCAVE TË EDUKIMIT “GIOVANNI MARIA BERTIN” TË UNIVERSITETIT TË BOLONJËS DHE PROGRAMIN E AMBASADËS ITALIANE NË SHQIPËRI VALE- KORÇA, ALBANIA

Në datën 15 tetor 2021, Departamenti i Edukimit në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin “Fan S. Noli”, zhvilloi online Konferencën e Dytë Shkencore Ndërkombëtare “Early Childhood Education and Care: Challenges and Perspectives”. Kjo konferencë u organizua në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave të Edukimit “Giovanni Maria Bertin” të Universitetit të Bolonjës dhe Programin e Ambasadës Italiane në Shqipëri VALE- Korça, Albania.

Konferencën e përshëndeti zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet në UNIKO, dr. Benita Stavre, e cila i uroi punime të mbara kësaj konference dhe theksoi se bashkëpunime të tilla, të cilat rezultojnë të jenë të sukseshme, duhet të jenë edhe më të shpeshta. Sipas saj, tema që trajton kjo konferencë është tepër e ndjeshme, sepse bëhet fjalë për kujdesin në fëmijërinë dhe foshnjërinë e hershme. Nga ana tjetër, konferenca të tilla bëjnë bashkë pjesëmarrës të shumtë nga vende të ndryshme, duke zgjeruar dhe forcuar më tepër edhe bashkëpunimin midis universiteteve.

Konferencën e përshëndeti edhe zëvendësambasadori italian, z. Alberto Petrangeli, i cili përgëzoi organizatorët dhe nënvizoi se konferenca të tilla kthejnë vëmendjen te fëmijët dhe zhvillimi i tyre si një ndër shtyllat kryesore të shoqërisë. Në fjalën e tij ai theksoi se duhet investuar më shumë në shërbimet që u ofrohen atyre dhe familjes.

Vlerësimet e tyre për pjesëmarrësit në këtë konferencë dhanë edhe zëvendësdekani i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, dr. Orjon Ago, si dhe dr. Albina Pajo, përgjegjëse e Departamentit të Edukimit, si organizator i kësaj konference. Ata vunë theksin mbi rëndësinë e studimeve në këtë fushë, e cila, krahas të tjerave ka ndikim të gjerë në zhvillimin e mirëqenies publike, shëndetit dhe ndërgjegjësimit qytetar.

Fjalën kryesore në këtë seancë e mbajtën dy profesore nga Universiteti i Bolonjës:

Prof. Lucia Balduzzi, Drejuese e Ciklit të Parë të Studimeve “Edukator në shërbimet sociale të fëmijërisë së hershme” në Departamentin e Shkencave të Edukimit “Giovanni Maria Bertin”, Universiteti i Bolonjës, në fjalën e saj u ndal në aspekte të zhvillimit profesional si një instrument për zhvillimin e profesionistëve të fushës së fëmijërisë së hershme, duke sjellë rezultatet e përfituara nga kërkimet e BE-së mbi një studim rasti në rajonin Emilia Romagna. Prof. Arianna Lazari, profesore dhe kërkuese në Departamentin e Shkencave të Edukimit “Giovanni Maria Bertin” u ndal në menaxhimin e cilësisë së shërbimeve në Edukimin e Foshnjërisë dhe Fëmijërisë së Hershme gjatë pandemisë Covid-19. Ajo trajtoi elemente të CORE- Raport mbi rekomandimet për zhvillimin e shërbimeve në fëmijët e moshës 0-3 vjeç të publikuara nga Komisioni Evropian.

Seanca plenare u moderua nën drejtimin e PhD Daniela Stoica, përgjegjëse e Departamentit të Gjuhëve të Huaja në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë në UNIKO.

Më pas konferenca i zhvilloi punimet në tre seanca paralele, ku pjesëmarrës nga Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova trajtuan tematika të tilla si: “Cilësia e shërbimit dhe profesionalizmi në edukimin dhe përkujdesjen në fëmijërinë dhe foshnjërinë e hershme”; “Zhvillimi në fëmijërinë e hershme dhe çështje të shëndetit”, si dhe “Metodat e edukimit dhe të nxënit në fëmijërinë e hershme”.

Në fund të konferencës u zhvillua një seancë diskutimi dhe reflektimi mbi bashkëpunimin e universiteteve të ndryshme në rajon e më gjerë për të zhvilluar kërkime rreth shërbimeve të ofruara në foshnjërinë dhe fëmijërinë e hershme, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin midis profesionistëve të ndryshëm të fushës.

Leave a Reply