Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” NËNSHKROI MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME UNIVERSITETIN E SPORTEVE NË TIRANË

Në datën 26 mars 2021, rektori i UNIKO, prof. dr. Dhimitri Bello dhe rektori i Universitetit të Sporteve në Tiranë (UST), prof. dr. Agron Kasa, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit midis dy institucioneve.  Gjatë një takimi të zhvilluar midis drejtuesve të të dy universiteteve në mjediset e Rektoratit, u fol për rëndësinë e këtij bashkëpunimi, i cili ka nisur më herët dhe sot po finalizohet me nënshkrimin zyrtar të tij. Prof. Dhimitri Bello e njohu delegacionin e UST me organizimin dhe veprimtarinë që zhvillon UNIKO. Ai vlerësoi rëndësinë që ka në këtë bashkëpunim shkëmbimi i përvojave dhe njohurive, si dhe ofrimi i shërbimeve midis dy institucioneve, të cilat janë të dobishme për përparimin social dhe kulturor të tyre, si në fushën e edukimit fizik dhe sporteve, edukimit shëndetësor etj. Edhe rektori i UST, prof. Agron Kasa pasi u ndal në disa nga programet specifike që ofron UST e vlerësoi këtë bashkëpunim edhe për nxitjen e shkëmbimeve gjithëpërfshirëse në funksion të zhvillimit institucional dhe ndërinstitucional. Zv.rektorja për shkencën dhe projektet në UNIKO, dr. Benita Stavre, ndërsa solli përvojën e Qendrës për Formimin e Vazhduar, e cila ofron module për përgatitjen e përgjithshme të mësuesve, u shpreh se në kuadër të këtij bashkëpunimi, do të shihet mundësia edhe për aplikime të përbashkëta për module më specifike. Më tej takimi vijoi me diskutime për bashkëpunime në programe studimi konkrete, siç është programi “Edukim Fizik dhe Sporte”, për hapjen e të cilit kanë dhënë mbështetjen e tyre edhe ekspertët e UST.

Pjesëmarrësit në takim ranë dakord për krijimin e një plan-veprimi për bashkëpunim midis UST dhe UNIKO përmes veprimtarive specifike me interes të përbashkët siç mund të jetë dhe konsulenca në fushën e edukimit fizik dhe sporteve, veprimtarisë fizike, shëndetit dhe rekreacionit. Qëllimi është përmirësimi i bashkëpunimit akademik, shkencor dhe kulturor, si dhe shkëmbimi i stafit akademik, studiuesve dhe studentëve, punëve kerkimore-akademike dhe i projekteve midis dy institucioneve.

Leave a Reply