Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” NDEROI ME TITULLIN “DOCTOR HONORIS CAUSA” HISTORIANEN DHE ANTROPOLOGEN E SHQUAR, PROF. MARIA N. TODOROVA

Në datën 29 qershor 2023 u zhvillua ceremonia e dhënies së titullit “Doctot Honoris Causa” për prof. Maria N. Todorova, personalitet i shquar në fushën e studimeve historike.

Ceremonia u mbajt në Amfiteatrin e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë pas pritjes zyrtare në mjediset e Rektoratit.

Në fjalën e mirëseardhjes rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello ndër të tjera theksoi: “Profesoreshë Maria Todorova është një nga zërat më të rëndësishëm të studimeve shkencore, monografive historike, me fokus të veçantë mbi ballkanin ku ndajmë fate të ngjashme me popujt e tjerë të këtij gadishulli. Emri i të ftuarës së nderit në Universitetin tonë është i njohur për të gjithë studiuesit e Gadishullit Ballkanik dhe të Evropës Lindore. Libri kryesor i profesoreshë Todorovës, “Ballkani imagjinar” i botuar në vitin 1997 i hapi rrugë diskutimeve të shumta dhe rinxori në dritë peshën, interpretimet dhe qendrimet e kundërsjellta mbi Ballkanin dhe ballkanasit të mbajtur nën vëzhgim nga Perëndimi.

Vlera e profesoreshë Todorovës si studiuese dhe historiane qëndron edhe në faktin se ajo nuk ndalet vetëm tek eksperienca jetësore e saj e cila në vetvete është e mbushur me lëvizje të vazhdueshme, kontakt me perëndimin, përfshirje në jetën publike dhe politike në SHBA.

Dua të shpreh edhe një herë konsideratën e lartë për praninë e profesoreshë Todorovës në Universitetin tonë, që i jep një shtysë tjetër përpjekjeve për të kthyer në element të rëndësishëm të institucionit tonë Qendrën e Studimeve Ballkanike, ku kontributi i personaliteteve si profesoreshë Todorova ka për të qenë i paçmuar”.

Titullin “Doctor Honoris Causa” u propozua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe në këtë kuadër akad. Shaban Sinanti prezantoi një profil të shkurtër të studiueses Maria Todorova.

Më pas, në emër të Senatit Akademik, rektori Bello i dorëzoi prof. Maria Todorovës titullin me këtë motivacion:

“Studiuese e njohur bullgaro-amerikane, antropologe, orientaliste, ballkanologe dhe historiane e shquar që me përmbi 15 veprat e saj origjinale ka emancipuar mendimin shkencor botëror dhe ka ndikuar fuqishëm në disa breza studiuesish në trajtimin e çështjeve të tilla madhore, si hierarkitë e qytetërimeve, antropologjia e religjioneve, raportet ndëretnike në Ballkan dhe proceset e europianizimit të tij etj., duke i shfaqur popujt e këtij rajoni në sytë e njëri-tjetrit dhe duke europianizuar mendësitë e tyre. Në shenjë mirënjohjeje nga stafi akademik, studentët dhe drejtuesit e Universiteitt “Fan S. Noli””.

Profesore Todorova falënderoi Universitetin “Fan S. Noli” për këtë vlerësim dhe të gjithë të pranishmit në ceremoni. Ajo mbajti ligjëratën akademike “Imagining the Balkans: 25 years after”- “Ballkani imagjinar: 25 vjet më pas”.

Leave a Reply