Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” NDEROI ME “MEDALJE ARI”, PROF. DR. ALI JASHARIN, PËR PËRKUSHTIMIN, PROFESIONALIZMIN DHE DINJITETIN ME TË CILIN EDUKOI BREZA TË TËRË NË 25 VITE VEPRIMTARIE TË PALODHUR AKADEMIKE, GJATË NJË CEREMONIE TË VEÇANTË, KU ISHIN TË PRANISHËM STAFI AKADEMIK, NDIHMËSAKADEMIK E ADMINISTRATIV, KOLEGË,  STUDENTË, MIQ E TË FTUAR TË TJERË

Në datën 28 qershor 2021, Universiteti “Fan S. Noli” nderoi me “Medalje Ari”, prof. dr. Ali Jasharin në një ceremoni të veçantë, e cila përkoi edhe me 68-vjetorin e lindjes së tij. Ceremoninë e çeli rektori i Universitetit, prof. dr. Dhimitri Bello, i cili vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të profesor Ali Jasharit, përkushtimin dhe profesionalizmin me të cilin edukoi breza të tërë gjatë një veprimtarie të palodhur akademike. “Profesor Jashari ka qenë në poste drejtuese, si përgjegjës departamenti, dekan, zëvendësrektor e rektor detyra të cilat i ka realizuar më së miri, por që gjithmonë ka qenë modest për veten, duke vlerësuar e dekoruar të tjerë personalitete nga fusha të ndryshme të jetës”.

Më pas të pranishmit ndoqën një video prezantuese me disa nga momentet më të rëndësishme të jetës së profesor Ali Jasharit, të lidhura me veprimtarinë akademike dhe atë shkencore, mes tyre edhe një surprizë e veçantë nga Flavia, mbesa e profesorit, e cila përcolli një mesazh shumë të bukur dhe plot emocion për gjyshin e saj në këtë ditë.

I pranishëm në këtë ceremoni, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, prof. dr. Valter Memisha, tha se ndihet i privilegjuar që ka patur një bashkëpunëtor e mik si profesor Ali Jashari. “Njeri, mësimdhënës dhe bashkëpunëtor si rrallë të tjerë, profesor Aliu e ka përcaktuar profilin e tij që kur ishte student dhe vjen sot në moshën 68-vjeçare me dhjetra botime shkencore, të cilat i bëjnë nder profesorit, Universitetit të Korçës, i bëjnë nder arsimit dhe shkencës albanologjike në përgjithësi. Profesor Aliu tashmë është identifikuar si mësimdhënës dhe si punonjës shkencor. Ai ka studiuar frazeologjinë e gjuhës shqipe dhe punoi për fjalën shqipe, duke hartuar vepra madhore të cilat sot ndodhen në Bibliotekën e Universiteti të Korçës dhe jo vetëm”.

Ish-rektori i këtij Universiteti, sot dekan i Fakultetit të Bujqësisë, prof. as. dr. Gjergji Mero i uroi jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme në punën e tij profesor Ali Jasharit. Ai theksoi se kjo ceremoni është një vlerësim dhe promovim i vlerave të një akademiku, miku dhe drejtuesi shembullor. Më pas, ai ndau me të pranishmit disa nga momentet më të rëndësishme të punës me profesor Ali Jasharin, tek i cili ka gjetur një nga bashkëpunëtorët e tij më të mirë dhe njëkohësisht një kontribues mjaft të rëndësishëm për Universitetin “Fan S. Noli”.

Rektori i Universitetit, i dorëzoi profesor Ali Jasharit “Medaljen e Artë” dhe Diplomën që e shoqëron me këtë motivacion: “Për përkushtimin, profesionalizmin dhe dinjitetin me të cilin edukoi breza të tërë në 25 vite veprimtarie të palodhur akademike, për punën dhe kontributin e sjellë si profesor i shquar i gjuhësisë shqiptare, si autor i veprave madhore shkencore dhe i teksteve universitare, dhe për lartësimin e emrit të Universitetit “Fan S. Noli” gjatë periudhës kur ka punuar si drejtues i tij. Në shenjë mirënjohjeje nga drejtuesit, stafi akademik dhe studentët e Universitetit “Fan S. Noli” me rastin e 68-vjetorit të lindjes”.  

Prof. dr. Ali Jashari ka falënderuar për këtë vlerësim drejtuesit e Universitetit “Fan S. Noli”, Senatin Akademik, si dhe të gjithë kolegët, stafin e këtij Universiteti, studentët dhe të ftuarit e tjerë të pranishëm në këtë ceremoni. Ai u shpreh se ky vlerësim dhe besim që i jepet sot e nxit edhe më tepër për të vazhduar punën me të njëjtin përkushtim e me ndershmëri të lartë.
Stafi dhe studentët e Universitetit “Fan S. Noli” kishin përgatitur për prof. Ali Jasharin në këtë ditë të veçantë një dhuratë simbolike.

Prof. dr. Ali Jashari është autor e bashkautor i një sërë botimesh në fushën e gjuhësisë, ku përmendim: “Fjalor i homonimeve në gjuhën shqipe”; “Fjalor leksiko-frazeologjik i krahinës së Devollit”; “Fjalor me shprehje të huazuara në gjuhën shqipe”; një sërë botimesh për arsimin parauniversitar për gjuhën shqipe dhe mendimin kritik, ushtrime, përmbledhje artikujsh dhe kumtesash të ndryshme etj. Aktualisht profesori ka në duar një tjetër vepër për gjuhësinë shqipe, e cila shumë shpejt do të shohë dritën e botimit, si dhe është bashkautor i “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” pjesë e projektit madhor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Leave a Reply